“Pushtetarët e Mjegullnajës”, një libër që pasuron mendimin politik shqiptar

13 nëntor 2020 | 14:00

Lulëzim ETEMAJ

Publicisti tetovar Ismail Arsllani botoi këtyre ditëve në “Shtypin Akademik” në Shkup librin më të ri “Pushtetarët e Mjegullnajës”. Në recensionin që për të e ka bërë prof. Xhelal Zejneli, nënvizohet se Ismail Arsllani është autor i disa librave që tashmë konsiderohen si pjesë e pashkëputshme e mendimit politik shqiptar në Maqedoninë e Veriut.
Në librin më të ri, autori fokusohet në zhvillimet dramatike në këtë vend, duke përfshirë periudhën e viteve 2009-2019. Në këtë përmbledhje shkrimesh kritike, autori na paraqitet jo vetëm si pasqyrues i ngjarjeve, por edhe si analist politik, si studiues i proceseve, për të cilat e shfaq edhe vizionin e tij. Trajtimi si dhe pasqyrimi në mënyrë të thuktë dhe objektive që ai iu bën zhvillimeve politike si dhe degradimeve të ndryshme në rrafshin etik, e bën librin më të pasur në aspektin shumëdimensional. Gjatë analizimit të marrëdhënjeve ndëretnike në Maqedoninë e Veriut, autori iu ka kushtuar një vëmendje të veçantë raporteve midis dy bashkësive etnike më të mëdha në këtë shtet – shqiptare dhe maqedonase. Mbi këtë bazë, ai paralajmëron se pa zgjidhjen e drejtë të çështjes shqiptare, Maqedonia e Veriut kurrë s’ka për të qenë shtet i qëndrueshëm dhe i konsoliduar. Zgjidhja e statusit politik dhe juridik të shqiptarëve, sipas pikëpamjeve të autorit, është conditio sine qua non për një Maqedoni demokratike dhe me perspektivë euro-atlantike. Njëkohësisht ai nuk ngurron ta shfaq me shqetësim konstatimin e arritur, se shqiptarët nuk do t’i realizojnë të drejtat e veta themelore.
Në këtë vazhdë, projektet antishqiptare të qarqeve shoviniste maqedonase, të ndërtuara mbi ideologjinë anakronike dhe retrograde garashaniniste dhe çubrilloviqiste, rrezikojnë ta çojnë Maqedoninë e Veriut në zhbërje.
Përmes librit më të ri, “Pushtetarët e mjegullnajës”, autori Ismail Arsllani paralajmëron poashtu me shqetësim se shteti demokratik nuk mund të ndërtohet me fjalë, shprehje dhe veprime degraduese ndaj shqiptarëve, të cilët përbëjnë një të tretën e popullsisë së këtij vendi. Fyerjet ndaj tyre, flasin qartë për frymën që ka mbizotëruar në këtë vend, konstaton autori. Sipas pikëpamjes së tij, kjo frymë prezente antishqiptare, nuk ka lindur rastësisht. Ajo është pjellë dhe produkt i politikës së shtetit, i ideologjive të perënduara dhe i inteligjencies maqedonase që nuk ia del të shkëputet nga terri bizantin për të marrë rrugën që shpie drejt familjes perëndimore. Në funksion të paravajtjes së tillë, ai i sugjeron faktorit politik shqiptar që, në funksion të paqes dhe të qëndrueshmërisë së vendit, të veprojë pareshtur që shqiptarët të fitojnë statusin meritor të popullit shtetformues në përputhje me potencialin e tyre demografik, intelektual, ekonomik, prodhues, krijues dhe mbrojtës.

No description available.
Përmes këtij libri, autori Arsllani e ridëshmon faksin se ai nuk është vëzhgues pasiv i proceseve dhe regjistrues i thjeshtë i tyre. Prandaj, nuk ngurron të shfaq pikëpamjet dhe sugjeron edhe mënyrat konkrete të veprimit politik, si dhe objektivat që duhen arritur. Në fokusin e kritikës së tij e vë edhe inteligjencien shqiptare e cila, për të ruajtur interesat personale, mban qëndrime oportuniste dhe konformiste ndaj subjekteve politike. Në shënjestër të kritikës së tij gjenden poashtu edhe poltronët e partive politike, qëllimi i vetëm i të cilëve është përfitimi vetjak, në dëm të interesit të përgjithshëm. Sipas autorit, marrëdhëniet ndëretnike do të rregullohen atëherë kur shqiptarët të fitojnë statusin e popullit shtetformues. Pa zgjidhjen e mosmarrëveshjeve ndëretnike dhe pa integrimin në organizmat euro-atlantikë, Maqedonia e Veriut nuk do të mund të konsolidohet si shtet i qëndrueshëm dhe demokratik.
Për realizimin e këtyre objektivave, autori sugjeron veprime politike me mjete paqësore dhe demokratike. Është për veprime politike në kuadër të institucioneve të sistemit. Pjesë të demokracisë e konsideron edhe prishjen e koalicioneve qeveritare dhe daljet nga qeveritë. Ai angazhohet për një Maqedoni, me shqiptarët popull shtetformues, për kultivimin e marrëdhënieve ndëretnike, për bashkëjetesën midis etniteteve, për marrëdhënie të mira me fqinjët dhe për integrimin në strukturat perëndimore. E konsideron si tejet të rëndësishme luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në shoqëri, duke përfshirë edhe majat e shtetit. Bën thirrje për ndërtimin e shtetit ligjor, për mediume të pavarura, për afirmimin e mendimit kritik, të kritikës së lirë politike dhe të asaj shoqërore. Pavarësisht faktit se trajton çështje të politikës ditore, shkrimet e Ismail Arsllanit kanë bazë të fuqishme kombëtare dhe demokratike.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deontay Wilder ka kërkuar nga Tyson Fury që të bëhet…