Pushteti thotë se ka rënie të korrupsionit viteve të fundit,  opozita përmend ndërhyrjet dhe ligjet antikushtetuese

08 mars 2024 | 13:48

“Ndikimi i korrupsionit politik në kulturën qeverisëse”, ishte tema e diskutimit ndërmjet mazhorancës dhe opozitës. Në konferencën e organizuar nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ku është lansuar Studimi i Sistemit të Integritetit Kombëtar (NIS) ka pasur akuza dhe kundërakuza në lidhje me korrupsionin në Kosovë. Partitë opozitare kanë akuzuar pushtetin për ndërhyrje në institucione dhe nivelin e lartë të korrupsionit, ndërsa mazhoranca ka theksuar se janë duke e luftuar korrupsionin.

Shefja e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza-Kusari-Lila, ka thënë se raporti përmban një vlerësim objektiv mbi realitetin dhe sfidat që kanë institucionet në luftimin e korrupsionit.

Ajo ka theksuar se në këtë raport, Kosova ka rënie të korrupsionit viteve të fundit, si shkak i angazhimeve institucionale. Si shembull, Kusari-Lila ka kërkuar që të merret gjendja në PTK.

“Një prej storieve të suksesit është Posta e Kosovës, e cila nga një ndërmarrje me keqmenaxhim të theksuar ka arritur në ndërmarrje me ndërhyrje të rritura në secilën degë, dhe që gjatë tri viteve të fundit ka pasur bord të shkëlqyer, duke filluar edhe nga kuota gjinore e profesionalizimi”, ka thënë ajo.

Ndërsa deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Blerta Deliu-Kodra, ka thënë se qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti, karakterizohet me vendime antikushtetuese.

“Ka pasur tendencë të hapur për kapje të institucioneve dhe për pasojë duket se do të kemi një projektligj që synon kapjen e institucionit ligjor (Këshillin Prokurorial të Kosovës). Ligji i pagave, zvogëlimi i tyre në sektorin e drejtësisë më përpjekje për kërcënimin e institucioneve të pavarura, një përpjekje për ndryshim që se kemi parë deri më tani”, ka thënë Deliu-Kodra.

Ajo ka përmendur edhe ndërhyrjet tek Ligji i KPM-së dhe gjuhën kërcënuese ndaj gazetarëve.“Prapë po e them se çfarë kemi parë është vërtetë e dhimbshme dhe nuk e karakterizon integritetin e duhur institucional”, ka thënë ajo.

Në anën tjetër shefi i deputetëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, ka thënë se kultura e qeverisjes se Kurtit është kulturë e presionit publik, duke thënë se nuk merr përgjegjësi edhe nëse i rrezikon themelet e shtetit.

“Mund te themi se është qeveria që ka sjellë më së shumti ligje antikushtetuese, ka zgjidhje por duhet të vendoset së pari gjendje e jashtëzakonshme, nuk mundet të pakësoj liritë ekonomike, e pastaj edhe kryeprokurorit të shtetit, me ndërhyrje direkte, kjo tregon tendencë direkte për ndërhyrje në institucione. Imponimi i vendimeve të deputetëve është problem i kësaj qeverisje e cila është e rrezikshme për stabilitet institucional”, ka thënë Gashi.

Gashi ka thënë se qeveria aktuale është qeveria që më së shumti ka dhënë tenderë njëburimore, duke shtuar se kjo kalon numrin e mbi 350 sosh.

Më tutje, shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka thënë qeveria Kurti është shquar për nepotizëm.

“Me nepotizmin e bërë nga kjo qeveri nuk ka dëm 4-vjeçar, por më shumë se 15-vjeçar”, ka thënë ai.

Tahiri ka përmendur edhe ndërhyrjet në sistemin e drejtësisë, duke thënë ato janë duke vazhduar ende.

Për këto akuza, Tahiri është replikuar nga Kusari-Lila e Vetëvendosjes. “Vazhdimisht po e akuzojnë qeverinë për ndërhyrje në organe të rendit, dhe ajo që po ndodh në sistemin legjislativ është se janë miratuar një mori projektligjesh, si ai i vettingut, financimi për partitë politike, ndryshime të mandatit të Agjencisë Anti-korrupsion…”, ka thënë Kusari-Lila. /EO

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sulmuesi belg, Romelu Lukaku po kalon një sezon të mirë…