Putin njofton se Rusia ka zhvilluar një vaksinë për luftimin e koronavirusit

11 gusht 2020 | 12:21

Presidenti i Rusisë Vladimir Putin, ka treguar se një vaksinë për luftimin e koronavirusit e zhvilluar në Rusi është e gatshme për përdorim dhe se njëra nga vajzat e tij është vaksinuar.

Putini ka bërë këtë njoftim në një takim të qeverisë më 11 gusht, duke theksuar se vaksina është treguar efikase gjatë testimit dhe mund të krijojë imunitet të qëndrueshëm nga koronavirusi.

Më shumë se 100 vaksina të mundshme janë duke u zhvilluar në botë dhe të paktën 4 nga to janë në fazën finale të testimit në njerëz.

Faza 3 e testimit përfshin miliona njerëz dhe procesi zgjatë për disa muaj, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Rusia është shteti i parë që ka regjistruar një vaksinë për mbrojtje nga koronavirusi. Por, shkencëtarët në Rusi dhe vende të tjera janë shfaqur skeptikë dhe e kanë vënë në pyetje vendimin për të lansuar vaksinën para përfundimit të fazës finale të testimit.

OBSH-ja javën e kaluar ka kërkuar nga Rusia që të ndjekë të gjitha metodat e nevojshme dhe fazat që cojnë në zhvillimin e një vaksine të sigurt.

Por, Putin ka insistuar se vaksina ruse ka kaluar të gjitha testet e nevojshme dhe se njëra nga vajzat e tij pas vaksinimit po ndjehet shumë mirë.

“Shpresoj se do të jemi në gjendje të fillojmë me prodhim në masë në të ardhmen e afërt”, tha Putin.

Qeveria ruse tha se punëtorët shëndetësorë, mësimdhënësit dhe personat që bëjnë pjesë në kategorinë më të rrezikuar, do të kenë përparësi për vaksinim.

Rusia ka regjistruar 860,000 raste me koronavirus – vendi i katërt në botë me numrin më të madh të të infektuarve – dhe më shumë se 14,300 viktima, sipas statistikave të universitetit John Hopkins./rel/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Poeti Shaqir Shaqiri, i njohur si “Kalaja” ka botuar fotoalbumin…