Putini do të bisedojë me Erdoganin

01 prill 16:46

Presidenti rus, Vladimir Putin, do të bisedojë sot nëpërmjet telefonit me homologun e tij turk, Rexhep Taip Erdogan, kanë bërë me dije nga Kremlini.

Ky njoftim vjen pasi Stambolli ka qenë të martën nikoqir i bisedimeve për paqe ndërmjet Ukrainës dhe Rusisë.

Erdogani ka thënë se Turqia është e gatshme, në parim, të angazhohet si garantuese e sigurisë për Ukrainën, mirëpo detajet e një formati të tillë duhet të diskutohen.

Ukraina ka propozuar miratimin e statusit neutral, që nënkupton mosanëtarësim në aleanca ushtarake, sikurse ajo e NATO-s, apo që të jetë nikoqire e bazave ushtarake – dhe që në kthim shtetet të bëhen garantuese të sigurisë së saj.

Erdogani ka biseduar me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, përmes telefonit të enjten.

Ankaraja ka thënë se mund të jetë ndërmjetësuese në mes të Rusisë dhe Ukrainës.

Ndryshe, të premten, më 1 prill, kanë rinisur negociatat mes Kievit dhe Moskës, derisa në Mariupol ka ende bllokadë për dërgimin e ndihmave humanitare dhe evakuimin e civilëve nga qyteti i shkatërruar prej luftës.

“Ne po i vazhdojmë bisedimet përmes video-konferencës”, ka thënë shefi negociator i palës ruse, Vladimir Medinsky, përmes “Telegram”-it.

“Pozicionet tona për Krimenë dhe Donbasin nuk kanë ndryshuar”, ka thënë ai.

Para nisjes së takimit të së premtes, negociatori ukrainas, David Arakhamia, ka thënë se, përpos Turqisë, edhe Gjermania ka shprehur gatishmëri për të shërbyer si garantuese për siguri, në rast të arritjes së ndonjë marrëveshjeje mes dy palëve.

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka urdhëruar pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt.

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Prokuroria Themelore në Ferizaj ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit…