Putini në Kinë i shoqëruar nga oficeri që e mbante në dorë valixhen bërthamore

18 tetor 2023 | 15:56

Një pamje e rrallë u pa të mërkurën, ku presidenti rus, Vladimir Putin, u shfaq në Pekin të Kinës i shoqëruar nga oficerë që e bartnin të ashtuquajturën valixhe bërthamore, që mund të përdoret për dhënien e urdhrit për nisjen e një sulmi bërthamor.

Pas takimit me homologun kinez, Xi Jinping, Putini u incizua duke ecur për të nisur një takim tjetër, i rrethuar nga rojat dhe i ndjekur nga dy oficerë të forcave detare ruse në uniformë, që po e bartnin valixhen, raporton agjencia “Reuters”.

Valixhja bërthamore e Rusisë tradicionalisht bartet nga një oficer i forcave detare. E njohur si “Cheget”, sipas emrit të Malit Cheget në Kaukaz, valixhja bërthamore mbahet afër presidentit rus gjatë tërë kohës, por rrallë incizohet.

“Ka valixhe të caktuara pa të cilat asnjë udhëtim i Putinit nuk është i kompletuar”– thanë korrespondentët e agjencisë shtetërore ruse të lajmeve, RIA, për pamjen e publikuar.

Edhe presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, ka pajisje të tillë. Ajo quhet “topi bërthamor i këmbës”. Në atë çantë mbahen kodet që presidenti do t’i përdorte për ta urdhëruar nisjen e raketave bërthamore, nëse ai nuk ndodhet për momentin në Shtëpinë e Bardhë.

Në thelb, valixhja bërthamore është mjet i komunikimit të sigurt, që e lidh presidentin me udhëheqësit më të lartë ushtarakë.

Ministri i Mbrojtjes i Rusisë, Sergei Shoigu, gjithashtu ka një valixhe bërthamore. Një të tillë mund ta ketë edhe komandanti i ushtrisë ruse, Valery Gerasimov.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha ka deklaruar se ka…