Putini zhduket, aleatët pyesin sesi rebelët iu afruan kaq shumë Moskës

26 qershor 2023 | 08:35

Vladimir Putin është zhdukur nga paraqitjet publike që kur iu lut rusëve që të mos mbështesin një grusht shteti, ndërsa propaganduesit e tij vunë në pikëpyetje se si rebelët ishin në gjendje t’i afroheshin kaq shumë Moskës.

Zyrtarët këmbëngulën të dielën se Putini ishte në Kremlin gjatë gjithë kërcënimit më të madh për sundimin e tij 23-vjeçar, por ata gjithashtu thanë se ai nuk do të shfaqej në televizion për të qetësuar rusët, raporton “The Telegraph”.

Në vend të kësaj, kanalet televizive të kontrolluara nga Kremlini transmetuan një intervistë të butë me presidentin rus të filmuar në fillim të javës, në të cilën ai foli për rritjen e prodhimit të armëve.

Uebsajtet ruse të lajmeve të opozitës kanë raportuar se avioni presidencial i Putinit u ngrit nga Moska në drekë të shtunën dhe fluturoi drejt Shën Petersburgut përpara se të fikte sistemin e tij të gjurmimit rreth rajonit Tver. Putini ka një rezidencë në rajon.

Antony Blinken, sekretari amerikan i shtetit, tha se përpjekja për grusht shteti në Rusi të shtunën tregoi se regjimi i Putinit po thyhej.

“Ai është dashur të mbrojë Moskën kundër një mercenari të krijuar prej tij”, tha ai. “Ne shohim të çara që shfaqen”.

Zyrtarët e inteligjencës amerikane thanë se ata ishin të vetëdijshëm se një kryengritje nga Prigozhin dhe mercenarët e tij Wagner po ziente qysh më 10 qershor pasi Kremlini i urdhëroi ata të regjistroheshin në ushtrinë e rregullt ruse.

“Ky është një tregim që po shpaloset. Nuk e kemi parë aktin e fundit. Po e përcjellim nga afër situatën”, tha Blinken për CBS News në një intervistë.

Sipas një marrëveshje paqeje që i dha fund kryengritjes të shtunën në mbrëmje, Prigozhin pranoi të shkonte në mërgim në Bjellorusi dhe udhëheqësi mercenar pothuajse gjithmonë hiperaktiv nuk është parë që atëherë.

Burimet e Kremlinit i thanë “Meduza”-s, një faqe interneti e lajmeve e opozitës ruse, se Prigozhin kishte kërkuar të negocionte një marrëveshje të shtunën me Kremlinin pasi kuptoi se thirrja e tij për dezertimin e regjimenteve të rregullta të ushtrisë kishte dështuar.

“Ai tani është dëbuar nga Rusia. Presidenti nuk do ta falë atë që ka bërë”, tha një burim. “Detajet ende duhet të përpunohen në lidhje me pozicionin e ri të Prigozhinit, por ai nuk do të ketë të njëjtin ndikim dhe burime”.

Megjithëse mercenarët e Grupit Wagner rrëmbyen Bakhmutin në Ukrainën lindore këtë vit, burimet e “Meduza”-s thanë se Putini ishte lodhur nga Prigozhini dhe kishte mbajtur anën e komandantëve ushtarakë rusë në mosmarrëveshjen mes tyre. “Meduza” raportoi se Putini nuk kishte folur me Prigozhinin për disa kohë dhe se presidenti rus refuzoi të pranonte telefonatën e tij gjatë përpjekjes për grusht shtet.

Një burim tha gjithashtu se ishte Prigozhin ai që kishte këmbëngulur që Aleksandar Lukashenko, presidenti i Bjellorusisë, të merrte kreditin për negocimin e një marrëveshjeje paqeje.

“Prigozhin kishte nevojë për një mënyrë për të dalë dhe për të shpëtuar fytyrën. Këtu hyri Lukashenko”, tha burimi.

Që nga fundi i grushtit të shtetit të shtunën në mbrëmje, luftëtarët e Wagner-it janë kthyer në bazat e tyre dhe policia ruse dhe një pjesë e vogël e njësive të Gardës Kombëtare Ruse që u dislokuan, i zhvendosën postblloqet rreth Moskës, transmeton Klankosova.tv.

Por, megjithëse një betejë për kontrollin e kryeqytetit rus u shmang, edhe propaganduesit më besnikë të Putinit kanë vënë në pikëpyetje se si disa mijëra mercenarë ishin në gjendje të kalonin në Rusi nga Ukraina, të kapnin një qytet prej 1 milion banorësh dhe t’i afroheshin në rreth 240 kilometra Moskës praktikisht të papenguar.

“Nëse kolonat e tankeve po avancojnë, pse nuk po ndalohen?”, tha Vladimir Solovyov gjatë transmetimit të tij të rregullt në radio dhe TV të së shtunës në mbrëmje. “Ne kemi nevojë për një shtresë mbrojtjeje që mund ta vendosim në gatishmëri të lartë nëse ka një pushtim të Rusisë”.

Tsargrad, një njësi mediatike ortodokse nacionaliste që ka qenë një mbështetëse e fortë e pushtimit rus të Ukrainës, shkoi edhe më tej.

“Politikisht, balanca e forcave ekzistuese tashmë është thyer”, tha “Tsargrad” në një editorial në faqen e tij të internetit. “‘Kullat famëkeqe’ të Kremlinit po lëkunden. Disa njerëz mund të duhet të largohen”.

Dhe ky nivel i paparashikueshmërisë dhe kaosit në Rusi, e cila kontrollon arsenalin më të madh në botë të armëve bërthamore, duhet të shqetësojë Perëndimin, thanë analistët.

Edward Lucas, këshilltar i lartë në Qendrën për Analizën e Politikave Evropiane, i tha BBC Radio 4 se Britania duhet të shqetësohet se kush e përcjell Putinin në Kremlin.

“Ne përballemi ndoshta me një dekadë ose më shumë që kemi të bëjmë me një Rusi thellësisht të rrezikshme dhe të paparashikueshme pa as atë lloj sigurie sipërfaqësore që kemi duke e pasur Putinin në pushtet”, tha ai.

Imazhi publik i Putinit si një njeri i fortë ishte dëmtuar gjithashtu nga pamja e luftëtarëve besnikë të Ramzan Kadyrovit, udhëheqësit pro-Kremlinit të Çeçenisë, duke u zotuar të shpëtonin qytetin jugor rus të Rostovit nga mercenarët e Wagner-it, thanë analistët.

“Shumë në elitë do të fajësojnë personalisht Putinin për faktin se gjithçka shkoi kaq larg”, tha Tatiana Stanovaya, themeluese e kompanisë së konsulencës “R.Politik”, e fokusuar në Rusi. “Ne e nënvlerësuam Prigozhinin, por e kemi mbivlerësuar qartë edhe Putinin. Kjo është një goditje e madhe për të”.

Sam Greene, profesor i politikës ruse në “King’s College” në Londër, tha se dobësia e Putinit përballë një rebelimi do të jetë biseda e vetme në familjet anembanë Rusisë.

“Gjërat e paimagjinueshme më parë, si ndryshimi i lidershipit, mund të bëhen më të besueshme”, tha ai.

Ekaterina Shulman, një shkencëtare politike ruse, tha se megjithëse guvernatorët rajonalë dhe kreu i Kishës Ortodokse Ruse mbështetën të gjithë Putinin, këto ishin mesazhe boshe mbështetjeje nga njerëzit që ia detyronin karrierën e tyre udhëheqësit rus.

Shumë më e rëndësishme ishte mungesa e mbështetjes së vërtetë nga njerëzit e zakonshëm dhe gjithashtu nga shërbimet ruse të sigurisë.

“Agjencitë e zbatimit të ligjit kthyen kokën nën anën tjetër. Asnjë person nuk doli për të mbrojtur qeverinë. As edhe një nëpunës civil, një qytetar, votues apo taksapagues”, tha ajo për BBC. “Nuk kishte rëndësi që Wagner Group nuk arriti në Moskë. Është e rëndësishme që ajo ishte në gjendje t’i tregonte botës brishtësinë e pabesueshme (të Rusisë)”.

Përshkallëzimi, “opsioni i vetëm”

Prof Nikolai Petrov, një studiues në Institutin Gjerman për Çështjet e Sigurisë Ndërkombëtare, tha se pas këtij poshtërimi, Putini do të dëshirojë të demonstrojë forcën e tij.

“Mbetet vetëm opsioni i përshkallëzimit, që do të thotë jo vetëm ngritja e aksioneve në luftë, por edhe një transformim i përshpejtuar i regjimit”, tha ai, transmeton Klankosova.tv.

Dhe ky ndryshim i pushtetit në Rusi, thyerja e prestigjit të Kremlinit nën Putinin që kur ai urdhëroi pushtimin e dështuar të Ukrainës vitin e kaluar, u theksua sërish në Rostov të dielën.

Videoja tregonte njerëzit në qendër të qytetit duke shtrënguar duart me luftëtarët e Wagner-it dhe duke i falënderuar ata përpara se mercenarët të tërhiqeshin, siç ishte urdhëruar.

Kur oficerët e rregullt të policisë besnikë të Kremlinit u kthyen, njerëzit tundnin flamujt e Wagner-it në fytyrat e tyre dhe brohoritnin.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Mike Reiss dhe Alan Estrada, dy persona që udhëtuan në…