PZAP-i korrigjoi padrejtësinë që tentohej t’u bëhej 42 mijë votuesve

13 nëntor 2019 | 15:55

Sekretari i përgjithshëm i Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi, ka vlerësuar lart vendimin e Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) për anulimin e votave të ardhur nga Serbia. Ai ka thënë se një veprim i tillë ktheu integritetin dhe besueshmërinë e zgjedhjeve të 6 tetorit të cilin e kishte dëmtuar KQZ-ja.

Në këtë intervistë dhënë gazetës “Epoka e re”, Sherifi ka thënë se PZAP-i ka korrigjuar padrejtësinë që tentohej t’u bëhej 42 mijë votuesve të Republikës së Kosovës. “Vendimi i PZAP-it ka kthyer ligjshmërinë në vend sepse KQZ-ja me një numër të vendimeve të saj të paligjshme ka rrezikuar integritetin dhe besueshmërinë e zgjedhjeve të 6 tetorit. Me këtë vendim të PZAP-it mund të themi se në një masë të madhe është korrigjuar padrejtësia që tentohej t’u bëhej 42 mijë votuesve të Republikës së Kosovës, duke përfshirë në tërësinë e votave 3 104 vota të ardhura në mënyrë të paligjshme nga Serbia”, ka thënë Sherifi.

Për devijimin dhe zvarritjen e këtij procesi ai e ka akuzuar KQZ-në. “Pajtohem se ka zvarritje të këtij procesi, mirëpo fajtor për këtë është KQZ-ja dhe askush tjetër”, është shprehur Sherifi.

Sekretari i përgjithshëm i Nismës u është përgjigjur edhe kritikëve për zvarritje të procesit zgjedhor. Ai ka thënë se shpejtësia e përmbylljes së këtij procesi nuk duhet të ketë prioritet në raport me saktësinë e leximit të votës, të cilën e ka dhënë sovrani më 6 tetor.

“Për partitë që kanë marrë pjesë në zgjedhje dhe për shoqërinë civile, përparësi duhet të ketë cilësia e zgjedhjeve, cilësia e rezultatit dhe jo shpejtësia në dëm të cilësdo parti politike sepse, në fund të fundit, partitë politike nuk ekzistojnë për vete, por për qytetarët. Pra, kritikuesit kritikat e tyre duhet t’i adresojnë te fajtori kryesor dhe jo te Nisma apo PZAP-i. Ne ndihemi mirë, se çdo gjë që kemi konstatuar, tani ka dalë e vërtetë”, ka thënë Sherifi. Ai është shprehur i bindur se rinumërimi i 1 472 kutive do ta rritë numrin e votave për koalicionin Nisma-AKR-PD.

 “Epoka e re”: Z. Sherifi, PZAP-i ka pranuar ankesën e koalicionit Nisma-AKR-PD për largimin e votave të ardhura nga Serbia. Cili është komenti juaj?
Sherifi: Vendimi i PZAP-it ka kthyer ligjshmërinë në vend sepse KQZ-ja me një numër të vendimeve të paligjshme ka rrezikuar integritetin dhe besueshmërinë e zgjedhjeve të 6 tetorit. Me këtë vendim të PZAP-it mund të themi se në një masë të madhe është korrigjuar padrejtësia që tentohej t’u bëhej 42 mijë votuesve të Republikës së Kosovës duke përfshirë në tërësinë e votave 3 104 vota të ardhura në mënyrë të paligjshme nga Serbia. Prandaj, na vjen mirë që më në fund ligjshmëria u kthye në vend, edhe pse ne konsiderojmë se kjo gjë nuk ka pasur fare nevojë të ndodhë sepse KQZ-ja e ka pasur obligim ligjor të mos lejojë procedimin e atyre votave në asnjë mënyrë, duke pasur parasysh faktin se, siç thotë edhe PZAP-i, nuk ka pasur dërgesa postare nga Serbia, por dorëzim masiv të votave, të cilat më shumë i ngjajnë votimit kolektiv sesa votimit me postë.

 “Epoka e re”: Në bazë të këtij vendimi koalicioni Nisma-AKR-PD bëhet pjesë e Kuvendit. Por, PZAP-i ka marrë vendim edhe për rinumërimin e 1 472 kutive të tjera. A mund të ndikojë ky rinumërim në rezultat përfundimtar?
Sherifi: Së pari ne besojmë shumë se Nisma ka qenë, është dhe do të jetë pjesë e Kuvendit të Kosovës. Ne i dimë votat tona, e dimë sa vota i kemi marrë në çdo vendvotim dhe e dimë se sa vota i kanë marrë të tjerët. Duke përjashtuar votat e ardhur në mënyrë të paligjshme nga Serbia, ne nuk kemi pasur asnjëherë dilema dhe nuk kemi dilemë se do të jemi pjesë e Kuvendit. Ashtu siç ka ndodhur në procesin e rinumërimit të kutive të para, ne jemi të bindur se edhe në procesin e rinumërimi të këtyre 1 472 kutive të tjera për Nismën do të dalin më shumë vota sesa kemi aktualisht. Trendi ka qenë i tillë, ne gjatë rinumërimit të kutive të para kemi marrë rreth 400 vota më shumë. Pra, besojmë se nuk ka arsye të jetë ndryshe edhe në procesin e rinumërimit të këtyre kutive. Por, sidoqoftë, rendësi ka që gjithçka në këtë proces të jetë e ligjshme. Ne do të pranojmë çdo rezultat që del nga votat e rregullta dhe të ligjshme përmes të cilave qytetarët e Republikës së Kosovës janë përcaktuar për secilën parti se sa mandate do t’i japin.

 “Epoka e re”: Mirëpo vendimet e fundit të PZAP-it kanë nxitur kritika te disa parti politike dhe shoqëria civile. Si i keni parë këto kritika?
Sherifi: Unë iu bashkëngjitëm këtyre kritikave, mirëpo mendoj se ata e kanë huqur përgjegjësinë e këtij procesi. Përgjegjës për këtë proces është KQZ-ja. Pajtohem se ka zvarritje të këtij procesi, mirëpo fajtor për këtë është KZQ-ja dhe askush tjetër. PZAP-i me vendime e ka kthyer ligjshmërinë në vend. Edhe për partitë që kanë marrë pjesë në zgjedhje dhe për shoqërinë civile, përparësi duhet të ketë cilësia e zgjedhjeve, cilësia e rezultatit, e jo shpejtësia në dëm të cilësdo parti politike. Sepse, në fund të fundit, partitë politike nuk ekzistojnë për vete, por për qytetarët. Pra, kritikuesit kritikat e tyre duhet t’i adresojnë te fajtori kryesor dhe jo te Nisma apo PZAP-i. Ne ndihemi mirë se çdo gjë që ne kemi konstatuar tani ka dalë e vërtetë.

“Epoka e re”: Këto vendime po e zvarrisin procesin zgjedhor dhe po e lëndojnë atë, apo jo?
Sherifi: PZAP-i e ka shpëtuar integritetin e zgjedhjeve dhe besueshmërinë e këtij procesi. Shoqëria kosovare, partitë politike, shoqëria civile kanë qenë para një situate ta mbështesin vullnetin e 42 mijë votuesve të rregullt apo ta vrasin vullnetin e tyre përmes 3 100 votave kriminale. Në çdo shoqëri demokratike të gjithë mekanizmat e asaj do të ishin ngritur në këmbë për të mos lejuar të preket vullneti i atyre 42 mijë njerëzve. Unë jam i zhgënjyer në masë të madhe me mungesën dhe ndjeshmërinë publike, sidomos nga shumë aktorë të skenës politike dhe shoqërisë civile, me përjashtim të disa individëve që reaguan ditët e fundit në funksion të mbrojtjes së ligjit dhe ligjërisë në vend. Ata, para se të jenë kritikë ndaj Nismës, duhet të jenë kritikë ndaj vetes se si arritën që të bien pre e lakmisë për dy-tre mandate të vjedhura, nga një parti politike të tentojnë ta marrin qeverinë e vendit. Kjo është zhgënjyese sepse unë kam pritur që ndjeshmëria publike do të jetë më e lartë edhe te partitë e tjera politike, por dhe te shumë aktorë të shoqërisë civile. Shpejtësia e përmbylljes së këtij procesi nuk duhet të ketë prioritet në raport me saktësinë e leximit të votës të cilën e ka dhënë sovrani.

 “Epoka e re”: Nëse vendimet e PZAP-it mbesin në fuqi dhe rinumërimi nuk do të sjellë ndonjë ndryshim në renditjen e subjekteve politike, a mund të presim që Nisma të jetë pjesë e qeverisë së re?
Sherifi: Koalicioni bëhet mbi bazën e gatishmërisë së subjekteve politike për të bashkëpunuar me njëra-tjetrën. Nëse këto dy parti, të cilat kanë filluar një proces të bisedimeve për qeverinë e re, dëshirojnë të bisedojnë edhe me Nismën, besoj se jemi të gatshëm ta shqyrtojmë këtë. Mirëpo për këtë çështje mendoj se mund të flasim vetëm pas certifikimit të rezultatit kur kryetari Limaj do ta thërrasë mbledhjen e kryesisë së partisë dhe aty do të vendoset se si do t’i qasemi kësaj çështje.

Muhamet KOCI

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një ekip i përbërë prej mjekëve kirurgë, urologë dhe anesteziologëve,…