
Qendra e LV-së në Pejë propozon kandidatin për kryetar të komunës
Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje në Pejë ka gjetur kandidatin e saj për kryetar të Komunës së Pejës.
Burimet e gazetës brenda këtij subjekti politik kanë treguar se i preferuari i kësaj qendre për kryetar të komunës është aktivisti Gazmir Raci.
Madje, kjo qendër këtë emër ia ka propozuar edhe Kryesisë qendrore të LV-së.
Raci ka pranuar për gazetën se është kandidat potencial për të marr besimin e kësaj qendre për të qenë kandidat për kryetar të komunës së Pejës.
Megjithatë, ai ka thënë se në fund për nominimin do të vendos Këshilli dhe Kryesia e Qendrës.
“Po unë tashmë jam anëtarë i LVV-së, Qendra në Pejë, dhe sipas statutit të ri, kandidati për kryetar komune duhet të jetë anëtarë i LVV-së. Përgjatë udhëtimit të deritanishëm kam hasur në përkrahje të aktivistëve e anëtarëve, gjë që më bën të jem kandidat potencial për kreun e Komunës. Megjithatë, është Kryesia e Qendrës së LVV-së në Pejë dhe Këshilli i Qendrës që miratojnë dhe vendosin për kandidaturën time”, ka thënë Raci për gazetën “Epoka e re”.