Qetësohet situata në Francë

03 korrik 2023 | 13:48

Trazirat në mbarë Francën, që janë nxitur pas vrasjes së një 17-vjeçari, janë qetësuar në natën e gjashtë. Por, ndërtesat publike, makinat dhe koshat e plehrave kanë qenë cak i zjarrvënieve dhe vandalizmit gjatë natës.

Ministria e Brendshme franceze, ka thënë se gjatë natës janë arrestuar 157 persona. Që nga 27 qershori, kur nisën trazirat, në Francë janë arrestuar 3 354 persona, teksa janë sulmuar edhe dy stacione policore.

Afër 45 000 oficerë  janë dislokuar në mbarë vendin ku janë mbajtur protesta kundër diskriminimit ndaj personave që kanë prejardhje nga ish-kolonitë franceze dhe që jetojnë në lagjet me të ardhura të ulëta. Nahel, adoleshenti që është vrarë të martën e kaluar, ishte me prejardhje algjeriane. Ai është vrarë nga një polic në Nanterre, në periferi të Parisit.

Në mbarë Francën, 297 makina janë djegur gjatë natës, ndërkaq zjarrvënie ka pasur edhe në 34 ndërtesa.

Një zjarrfikës 24-vjeçar, ka vdekur pas një sulmi në zemër, teksa po punonte në shuarjen e zjarrit në një garazhë nëntokësore, tha policia në Paris. Shkaku i zjarrit në këtë ndërtesë banimi po hetohet, kanë thënë autoritetet.

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka fajësuar rrjetet sociale për përhapjen e trazirave dhe u ka bërë thirrje prindërve që të jenë përgjegjës për fëmijët e tyre adoleshentë.

Ndërsa ministri i Drejtësisë, Eric Dupond-Moretti, ka thënë për një radio franceze se prindërit që heqin dorë nga kjo përgjegjësi “ose për shkak të mosinteresimit ose qëllimisht” do të ndiqen penalisht.

Nahel, 17 vjeç, është vrarë gjatë një kontrolli në trafik. Familjarët e tij kanë bërë thirrje që të ndalen trazirat. /REL

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Policia Rajonale e Ferizajt ka njoftuar se ka ndërmarrë një…