Qeveria duhet të japë dorëheqje

07 maj 2019 | 12:29

Nënkryetari i Aleancës Kosova e Re (AKR), njëherësh kryetar i Komunës së Mitrovicës së Jugut, Agim Bahtiri, ka kritikuar qeverisjen e deritanishme të koalicionit PAN.

Ai ka thënë se ky koalicion po qeveris në mënyrë çoroditëse meqë nuk ka platformë të përbashkët për t’i çuar proceset përpara.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Bahtiri ka deklaruar se një qeveri e cila nuk ka koncept dhe vizion nuk mund të ketë sukses. Prandaj, ai ka vlerësuar se qeveria aktuale duhet të japë dorëheqje.

Bahtiri ka folur edhe për zgjedhjet në AKR, duke iu bërë thirrje qytetarëve që t’i bashkohen këtij procesi për të mirën e vendit.

Ai i ka falënderuar qytetarët e Mitrovicës për mbështetjen që i kanë dhënë për t’u rizgjedhur kryetar i AKR-së në këtë komunë

“Epoka e re”: Z. Bahtiri, të dielën jeni rizgjedhur kryetar i Degës së Aleancës Kosova e Re (AKR) në Mitrovicë. Si ishte ky proces dhe çfarë do të thotë për ju marrja e këtij mandati?
Bahtiri: Kryesia e AKR-së dhe presidenti Pacolli më kanë shtyrë të kandidoj përsëri sepse kisha dilemë nëse duhet të kandidoj apo jo meqenëse familja ime është jashtë vendit. Mirëpo dëshira e tyre ishte që t’i hyj kësaj gare dhe të jem sërish kryetar i AKR-së në Mitrovicë. Procesin zgjedhor e kam pritur me kënaqësi të madhe sepse në historinë e të gjitha partive politike në Mitrovicë nuk ka ndodhur mbledhja e 500 delegatëve për të zgjedhur një kryetar pa konkurrencë. Kjo më bën të ndihem mirë dhe qytetarët e kanë kuptuar se jam njeriu i duhur i tyre. Besimi dhe mbështetja e qytetarëve më mbajnë gjallë dhe më mbajnë në Kosovë.

“Epoka e re”: Rizgjedhja juaj në krye të AKR-së ka hequr përfundimisht dilemat se ju nuk do ta braktisni AKR-në dhe të shkoni në Lëvizjen Vetëvendosje ashtu siç është përfolur në opinion?
Bahtiri: Jam kthyer në Kosovë për t’i ndihmuar popullit dhe vendit tim pavarësisht prej partive politike. Për çdo cent të keqpërdorur do ta ngreh zërin. Dal edhe jashtë kornizave, programit dhe statutit të partisë sime për ta luftuar të keqën, pavarësisht nëse vjen nga anëtarët e partisë sime apo nga dikush tjetër. Do të vazhdoj të kontribuoj për Kosovën dhe të luftoj të keqen që i vjen këtij vendi nga kushdo qoftë.

“Epoka e re”: Edhe për një mandat do t’i qëndroni besnik AKR-së?
Bahtiri: Pavarësisht asaj që AKR-ja është pjesë e Qeverisë së Kosovës, unë do ta luftoj me çdo kusht të keqen. Askush nuk mund të më kushtëzojë që të jem në parti dhe të mos e ngre zërin kundër së keqes. Kështu që çdo zë i ngritur për ndaljen e së keqes së këtij vendi, pavarësisht se nga cili subjekt politik vjen, unë do ta përkrah sepse e dua këtë vend dhe do të bëjë gjithçka për të mirën e tij. Nuk më intereson fare nga vjen iniciativa. Do të angazhohem për të mirën e popullit dhe do ta ngreh zërin për ta kundërshtuar të keqën.

“Epoka e re”: Pse po merrni pjesë në tubimet e organizuara nga Lëvizja Vetëvendosje kundër ‘PANhajnisë’ përderisa AKR-ja është pjesë e këtij koalicioni?
Bahtiri: Jam kundër ‘PANhajnisë’ deri në fund pavarësisht se AKR-ja është pjesë e koalicionit. Hajnat duhet të dalin në shesh dhe ata duhet t’i luftojmë të gjithë. Unë nuk e përkrahi hajninë, prandaj publikisht kam dalë kundër. Në vazhdimësi kam luftuar për ta hequr hajninë nga Komuna e Mitrovicës dhe për disa herë me radhë kemi dalë komuna më transparente. Jam bërë kryetar për ta zhdukur të keqën dhe për t’i dhënë frymë të mirë këtij vendi. Pavarësisht se nga vjen iniciativa kundër hajnisë, unë do ta përkrah.

“Epoka e re”: Duke i pasur parasysh zhvillimet në terren, jeni i kënaqur me gjendjen e AKR-së në përgjithësi?
Bahtiri: AKR-ja në Mitrovicë është shumë e fuqishme dhe do të jetë sërish partia e parë. Këtë e konfirmoi edhe konventa zgjedhore ku pati një interesim të madh sidomos nga të rinjtë. AKR-ja aktualisht është duke iu nënshtruar procesit të brendshëm zgjedhor dhe Mitrovica është komuna e parë që i ka kryer zgjedhjet. Tani duhet ta shohim ecurinë e procesit zgjedhor në komunat e tjera. U bëj thirrje të gjithëve që të bashkohemi në këtë proces për të mirën e vendit. AKR-ja është e gatshme për t’i pranuar gjeneratat e reja, intelektualët dhe njerëzit që e duan vendin.

“Epoka e re”: Kur do të përfundoj procesi zgjedhor dhe si e shihni AKR-në pas zgjedhjeve?
Bahtiri: Nuk e di se kur do të përfundoj procesi meqë secila komunë veç e veç do t’i shpallë zgjedhjet e brendshme. Për shkak të punëve në komunë nuk kam pasur mundësi të angazhohem shumë në parti. Komuna e Mitrovicës është komuna më problematike jo vetëm në Kosovë, por edhe në Ballkan. Prandaj, nuk kam pasur kohë të merrem shumë me parti, por do të angazhohem në të ardhmen për të bërë më të mirën për AKR-në dhe për Kosovën.

“Epoka e re”: Si e komentoni rolin e AKR-së në qeverisjen e nivelit qendror?
Bahtiri: Njerëzit e AKR-së deri më tani nuk kanë keqpërdorur asnjë cent dhe nga kjo duhet të marrin mësim edhe të tjerët se si qeverisin ministrat tanë. Z. Pacolli dhe unë nuk kemi ardhur për të përfituar nga politika, por kemi humbur shumë. Kemi fituar besueshmëri dhe mbështetje për t’i kontribuar vendit. Puna jonë me duar të pastra duhet të jetë shembull për të tjerët që të na bashkohen për t’i çuar proceset përpara. Shteti i Kosovës ka nevojë për njerëz me duar të pastra dhe që e duan vendin.

“Epoka e re”: Z. Bahtiri, çfarë vlerësimi keni në përgjithësi për qeverisjen e deritanishme të koalicionit PAN?
Bahtiri: Mendoj se është jashtëzakonisht e keqe. Është një qeverisje çoroditëse për arsye se nuk ka platformë për t’i çuar proceset përpara. Secila parti e ka në plan për të përfituar sa më shumë për veti dhe nuk ka koordinim për t’i lëvizur përpara proceset. Unë mendoj se kjo qeveri duhet të shkojë sa më shpejt në shtëpi.

“Epoka e re”: Edhe pse janë bashkë në pushtet, sipas jush, AKR-ja po qeveris mirë, por partitë e tjera në koalicion po qeverisin keq.
Bahtiri: Një qeveri e cila nuk ka një koncept dhe vizion të përbashkët asnjëherë nuk ka arritur sukses. Samiti i Berlinit shpërfaqi mosbashkëpunimin e partive në pushtet. Kjo është për të ardhur keq, prandaj kjo qeveri duhet t’i kthehet normalitetit dhe të shikojë se ku ka arritur dhe të japë dorëheqje.

“Epoka e re”: Kur do ta ketë fundin ky koalicion qeverisës?
Bahtiri: Koalicioni qeverisës është duke u varur nga PDK-ja. Kësaj partie i ka ardhur fundi dhe nuk mund t’i fitojë zgjedhjeve dhe të jetë pjesë e qeverisë së re. Kjo qeverisje po shtyhet për këtë qëllim e jo për gjëra të tjera. Në të kundërtën, në momentin që PDK-ja do ta kishte kuptuar se do të mund të jetë pjesë e pushtetit përsëri, sigurisht se do ta kishte prishur qysh moti koalicionin. Është e habitshme se si tani ngrehët zëri për krijimin e një tribunali për krimet serbe gjatë luftës në Kosovë. Pse deri më tani nuk është bërë një gjë e tillë? Cila ka qenë arsyeja që për 20 vjet nuk kanë kërkuar të krijohen mekanizmat për zbardhjen e krimeve serbe në Kosovë? Tash kur do të shkojnë në Hagë ngrehin teza. Kjo është e keqja e këtij vendi. Plani paska qenë që të barazohet lufta në mes të Serbisë që ka bërë krime në Kosovë dhe liridashësve tanë të cilët kanë luftuar për t’i dalë zot atdheut dhe për ta mbrojtur popullin.

“Epoka e re”: Kryetar, çfarë është duke ndodhur me iniciativën për bashkimin e Mitrovicës?
Bahtiri: Qëllimi im është i qartë për arsye se qytetarët e Mitrovicës të pjesës së veriut ende nuk e kanë gëzuar lirinë dhe sovranitetin e Kosovës. Ata nuk kanë lëvizje të lirë dhe çdoherë e shohin qytetin dhe pronën e tyre si të huaj nga pjesa e jugut. Nuk ka më vështirë sesa të jesh refugjat në qytetin tuaj. Kjo më ka shtyrë ta marr iniciativën për bashkimin e Mitrovicës sepse është ndarë padrejtësisht dhe dihet se kush e ka bërë këtë ndarje. Dëshira e qytetarëve, pavarësisht prej kombësisë që i takojnë, është të bashkohet Mitrovica. Veriu udhëhiqet nga grupet kriminale dhe ka pasur përpjekje për mbledhjen e serbëve nga ish-Jugosllavia për t’i sjellë në veri në mënyrë që të ndryshohet numri i popullsisë. Kurse shqiptarët nuk lejohen të shkojnë në pronat e veta në veri dhe qeveria nuk ka bërë asgjë për ta. Plani ka qenë i përcaktuar por, fatbardhësisht, e kemi kuptuar me kohë dhe e kemi parandaluar. Plani i Hashim Thaçit është varrosur njëherë e përgjithmonë. Plani për shkëmbimin e territoreve ka qenë i fuqishëm, është investuar shumë, por e kam ngritur zërin te vendorët dhe te ndërkombëtarët për të pamundësuar realizimin e tij.

Shqipe HETEMI

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Boksieri Andy Ruiz Jr ka folur përpara meçit të 1…