Qeveria duhet t’i ketë 61 vota të partive shqiptare

12 gusht 2020 | 11:06

Kryetari i Këshillit Kombëtar i Nismës Socialdemokrate, Jakup Krasniqi, ka bërë me dije se në këtë situatë kur Kosova po përballet  me sfida të shumta, qeverisë së vendit i duhen 61 vota të partive shqiptare. Ai ka vlerësuar se me një shumicë të tillë Kosova do të përballej më lehtë me Gjykatën Speciale, pandeminë dhe dialogun me Serbinë.

Në këtë intervistë dhënë gazetës “Epoka e re”, Krasniqi ka thënë se për këtë çështje duhet të vendosë partia nga e cila vjen kryeministri Avdullah Hoti, LDK-ja. “Ajo që mendoj se i duhet Qeverisë së Kosovës në një situatë të tillë, është se qeveria duhet t’i ketë 61 vota të partive shqiptare. Por, për këtë duhet të vendosë partia që e ka kryeministrin. Në një situatë të tillë, Kosova do të përballej më lehtë me Gjykatën Speciale, pandeminë dhe dialogun me Serbinë”, ka thënë Krasniqi.

Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës ka shprehur skepticizëm për procesin e dialogut Kosovë – Serbi. Sipas tij, ky proces ka filluar keq që në nisje dhe kjo qeveri e ka vështirë ta kthejë në binarët e duhur. Krasniqi ka treguar se në këtë proces as nuk ka pritur e as nuk pret ndonjë marrëveshje që i konvenon Kosovës.

“Procesi i dialogut ka filluar keq që në nismën e tij. Kjo qeveri e ka tepër vështirë ta vendosë në binarë të kënaqshëm. Por, Kosova nuk duhet ta marrë përgjegjësinë e mosgatishmërisë për dialog. Personalisht as kam pritur e as pres ndonjë marrëveshje që i konvenon Kosovës”, është shprehur ai.

Krasniqi ka folur edhe për mocionin e mosbesimit të iniciuar nga Lëvizja Vetëvendosje. Sipas tij, para se të bëhej mocioni, kërkuesi i tij duhet të mendojë a i ka numrat për arritjen e qëllimit.

“Nëse opozita nuk i ka numrat dhe e bën mocionin e mosbesimit, ia bën një shërbim të mirë qeverisë Hoti. Pra, mocioni është e drejtë ligjore e kushtetuese e opozitës. Por, mocioni i opozitës mund të jetë edhe një legjitimitet shtesë i Qeverisë aktuale?! Prandaj duhet ta mendojë se a mund të kenë sukses”, ka thënë Krasniqi. Sa i përket punës së qeverisë, Krasniqi ka thënë se me problemet e brendshme që i ka partia që drejton qeverinë, është vështirë të ketë qeverisje të suksesshme.

“Për t’u vlerësuar puna e një qeverie duhet të kalojë një periudhë nga 100 ditë pune deri në 6 muaj qeverisje. Po nga ajo që po shihet, ky kabinet qeveritar ka probleme brendapërbrenda partisë që e ka qeverinë. Me këto probleme të brendshme është vështirë të ketë qeverisje të suksesshme”, ka deklaruar Krasniqi.

“Epoka e re”: Z. Krasniqi, cili është vlerësimi juaj për punën e deritashme të qeverisë Hoti?
Krasniqi: Për t’u vlerësuar puna e një qeverie duhet të kalojë një periudhë nga 100 ditë pune deri në 6 muaj qeverisje. Po nga ajo që po shihet, ky kabinet qeveritar ka probleme brendapërbrenda partisë që e ka qeverinë. Me këto probleme të brendshme është vështirë të ketë qeverisje të suksesshme.

“Epoka e re”: Partia më e madhe opozitare, Lëvizja Vetëvendosje, ka nisur procedurat për një mocion mosbesimi ndaj qeverisë. Mund ta rrezikojë ky mocion qeverinë aktuale?
Krasniqi: Kam thënë në një rast tjetër se është e drejtë legjitime e opozitës të kërkojë mocion mosbesimi për qeverinë Hoti, por para se të bëhej mocioni, kërkuesi i tij duhet të mendojë a i ka numrat për arritjen e qëllimit. Nëse opozita nuk i ka numrat dhe e bën mocionin e mosbesimit, ia bën një shërbim të mirë qeverisë Hoti. Pra, mocioni është e drejtë ligjore e kushtetuese e opozitës. Por, mocioni i opozitës mund të jetë edhe një legjitimitet shtesë i qeverisë aktuale?! Prandaj duhet ta mendojë se a mund të kenë sukses.
“Epoka e re”: Kosova tashmë ka rifilluar procesin e dialogut me Serbinë në Bruksel. Si e keni parë fillimin e këtij procesi?

Krasniqi: Procesi i dialogut ka filluar keq që në nismën e tij. Kjo qeveri e ka tepër vështirë që ta vendosë në binarë të kënaqshëm. Por, Kosova nuk duhet ta marrë përgjegjësinë e mosgatishmërisë për dialog. Personalisht as kam pritur e as pres ndonjë marrëveshje që i konvenon Kosovës.

“Epoka e re”: Siç po shihet, as kjo qeveri nuk po mund ta unifikojë spektrin politik rreth dialogut me Serbinë. Si duhet të veprojnë institucionet dhe partitë politike në këto rrethana?
Krasniqi: Përgjegjësia e unifikimit kombëtar në raport me Serbinë nuk i përket një partie politike. Fryma politike, kultura e gjuha e komunikimit nuk është shpresëdhënëse se mund të krijojmë unitet.

 “Epoka e re”: Duke parë sfidat me të cilat po përballet Kosova, pandeminë, Gjykatën Speciale, dialogun me Serbinë, sa mund ta vazhdojë mandatin kjo qeveri, apo pritni zgjerim të koalicionit qeverisës?
Krasniqi: Ajo që mendoj se i duhet Qeverisë së Kosovës në një situatë të tillë, është se qeveria duhet t’i ketë 61 vota të partive shqiptare. Por, për këtë duhet të vendosë partia që e ka kryeministrin. Ne një situatë të tillë Kosova do të përballej më lehtë me Gjykatën Speciale, pandeminë dhe dialogun me Serbinë. Natyrisht, niveli intelektual, politik e qeverisës i njerëzve në institucionet e Kosovës është i mbushur me xhambazë politikë e jo me intelektualë të përgjegjshëm që kanë dije e përgjegjësi politike për të qeverisur! Ky është problem i madh shoqëror në Kosovë.

Muhamet KOCI

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Disa prej klubeve elitare në futboll si Llapi, Prishtina dhe…