Qeveria e Kosovës ndan 50 mijë euro për Luginën e Preshevës

01 qershor 2022 | 16:22

Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për ndarjen e 50 mijë eurove për Preshevën, Bujanocin e Medvegjën.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se ky vendim është marrë pas kërkesë së Këshillit Nacional Shqiptar dhe përfaqësuesve të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit.

“Me qëllim të përkrahjes së kauzës politike të shqiptarëve të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit dhe në bazë të kërkesës së parashtruar propozohet të ndahet mjetet në vlerë prej 50 mijë euro në mbështetje të aktiviteteve lobuese të Këshillit Kombëtar Shqiptar dhe përfaqësuesve shqiptarë atje. Mjetet propozohen të ndahen nga mjetet e buxhetuara te zyra e kryeministrit në programin ‘përkrahje për Luginën e Preshevës’”, ka thënë Kurti në mbledhjen e qeverisë.

Në prill të 2020-ës, kur situata me Covid-19 sapo kishte shpërthyer në Kosovë dhe në rajon, qeveria kishte ndarë 500 mijë euro për tri komunat e Luginës, Preshevën, Medvegjën dhe Bujanocin. Ndërsa në shtator të po të atij viti, qeveria që drejtohej nga ish-kryeministri Avdullah Hoti, kishte themeluar “Zyrën për ofrimin e asistencës për qytetarët e Luginës së Preshevës”.

Ndihma e Kosovës, vjen pasi Lugina e Preshevës ka mbetur pa përfaqësues shqiptar në Parlamentin e Serbisë. Shaip Kamberi, kryetari i koalicionit të Shqiptarëve të Luginës nuk ka arritur të fitojë mandatin e deputetit për një numër shumë të vogël votash.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryediplomatja Donika Gërvalla ka reaguar pasi Partia Demokratike e Kosovës…