Qeveria e Kuvajtit do ta ndihmojë Kosovën në punësim 

09 maj 2018 | 18:39

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica, po qëndron në një vizitë zyrtare në shtetin e Kuvajtit, me ftesë të homologes së tij.

Të mërkurën ministri Reçica ka takuar ministren e Çështjeve Sociale dhe të Punës, njëherësh ministre për Çështje Ekonomike, Hind Sabeeh Barak Al-Sabeeh.

I pari i MPMS-së e ka falënderuar homologen e tij për pritjen si dhe për përkrahjen që Kuvajti po i jep Kosovës. Gjithashtu, e ka njoftuar atë rreth gjendjes socio-ekonomike në Kosovë dhe përpjekjeve që po bën Qeveria e Republikës së Kosovës, respektivisht, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, në uljen e papunësisë dhe ngritjen e mirëqenies sociale për qytetarët e saj.

Në kuadër të kësaj, Reçica ka theksuar përkushtimin e tij dhe të dikasterit që drejton në arritjen e marrëveshjeve për punësim sezonal në shtete të BE-së dhe më gjerë dhe në këtë rast, edhe me shtetin e Kuvajtit.

Ai ka thënë se Kosova ka kuadro të përgatitura dhe të certifikuara, të gatshme për tregun e punës jashtë vendit.

Ministrja Hind Sabeeh Barak Al-Sabeeh ka thënë se Kuvajti ka nevojë për fuqi punëtore në disa profile, dhe me këtë rast ka shprehur gatishmërinë e plotë që një marrëveshje e tillë të arrihet sa më parë për punësim të qytetarëve të Kosovës në shtetin e Kuvajtit.

Temë diskutimi ishte edhe bashkëpunimi për ngritjen e mirëqenies së disa kategorive në Kosovë si, personave të moshuar, fëmijëve, si dhe grupeve të cenueshme, ku ministri Reçica ka kërkuar ndihmën e Qeverisë së Kuvajtit për ndërtimin e disa qendrave, për persona të moshuar, për banim social si dhe për fëmijë pa përkujdesje familjare.

Ministrja Hind Sabeeh Barak Al-Sabeeh ka ofruar mbështetjen dhe gatishmërinë e Qeverisë së Kuvajtit për ta ndihmuar Kosovën në këto çështje dhe u dakorduan bashkërisht që këto projekte të konkretizohen sa më parë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se vendi ynë…