Qeveria kërkon miratimin e Kuvendit për dërgimin e FSK-së me mision jashtë vendit për tri vjet

29 nëntor 2022 | 22:03

Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për t’i propozuar Kuvendit të Kosovës miratimin për dërgimin e deri shtatë ushtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës me mision jashtë vendit që mund të zgjas deri në tri vjet dhe me mundësi vazhdimi.

Ky vendim u mor në mbledhjen e 110-të të Qeverisë së Kosovës që u mbajt sot.

Misioni i FSK-së do të jetë në mbështetje të paqes në Ishujt Falklands dhe gjatë këtij misioni do t’i nënshtrohet marrëveshjes së nënshkruar me Mbretërinë e Bashkuar.

“Vendimi për t’i propozuar Kuvendit të Republikës së Kosovës miratimin e vendimit për dërgimin e Kontingjentit të Forcës së Sigurisë së Kosovës jashtë vendit, përkatësisht dërgimin në operacionin në mbështetje të paqes, sipas Marrëveshjes Implementuese, lidhur me Atashimin e Personelit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në Kompaninë Roulment të Këmbësorisë në ishujt Falklands. Misioni i FSK-së do të jetë në mbështetje të paqes në Ishujt Falklands dhe gjatë këtij misioni do t’i nënshtrohet marrëveshjes së nënshkruar me Mbretërinë e Bashkuar. Në këtë mision do të dërgohen deri në 7 pjesëtarë të FSK-së dhe ky mision mund të zgjas deri në tre vite me mundësi vazhdimi”, thuhet në njoftimin nga zyra e Kryeministrit.

FSK-ja në këtë mision do të jetë nën komandën e Forcave të Armatosura të shtetit pritës dhe financiarisht mbulohet nga Buxheti i Republikës së Kosovës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Anglia është kualifikuar për në fazën tjetër të Botërorit si…