Qeveria Kurti, pa strategji zhvillimore

27 prill 2022 | 20:05

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ferat Shala, ka thënë se qeveria e drejtuar nga Albin Kurti është e zhytur thellë në krizën energjetike në vend.

Në këtë intervistë dhënë për “Epokën e re”, Shala ka thënë se PDK-ja ka pasur dhe ka indikacione se qeveria është e përfshirë në afera të dyshimta në tërë sektorin energjetik.

“Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe grupi parlamentar ka pasur dhe ka indikacione që qeveria Kurti ka qenë dhe është thellë e zhytur në afera të dyshimta në tërë sektorin energjetik, në eksport, në import, në tenderë njëburimor, në punësime, në subvencionim të sektorit, me ndërmarrjet publike dhe private të sektorit energjetik, me negociata për zgjidhje të problemit energjetik në pjesën veriore me KOSTT-in, me ZRrE-në, KEDS-in, KESCO-n dhe KEK-un. Problem është heshtja e kryeministrit dhe kabinetit qeveritar. Problem është paaftësia menaxhuese e kësaj qeverie”, ka thënë Shala.

Për shkak të këtyre dyshimeve, Shala ka thënë se është e domosdoshme që të krijohet Komisioni Hetimor për Energji. “Qeveria ka qenë thellë e zhytur në keqmenaxhimin e krizës energjetike, me ndërhyrje politike në gjithë sektorin energjetik, me ndërhyrje në Zyrën e Rregullatorit të Energjisë (ZRrE), me ndërhyrje të mëdha financiare, pa qartësi dhe transparencë, pa bazë ligjore dhe pa arsye ekonomike. Pra, shpenzim i buxhetit me pasoja dhe dyshime të mëdha”, ka thënë ai.

Shala, i cili është edhe kryetar i Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, ka thënë se pa u zbardhur e vërteta e subvencionimit të mbi 100 milionë eurove për energjinë elektrike, nuk mund të ketë asnjë hap zhvillimor. “Presim që opinioni dhe qytetarët ta dinë të vërtetën mbi konsumin vendor dhe importet. Presim të zbardhet e vërteta mbi sektorët energjetikë. Presim që të qartësohet rruga për menaxhim më të mirë të këtij sektori për të ardhmen. Nuk mund të vazhdojmë më tutje në asnjë hap tjetër zhvillimor pa u qartësuar periudha e dyshuar”, është shprehur Shala.

Në këtë intervistë Shala ka folur edhe për opozitën dhe menaxhimin e ndërmarrjeve publike nga ana e pushtetit. Sa i përket opozitës, Shala ka thënë se nuk ka kopjuar asgjë nga metodat opozitare nga e kaluara. Ndërsa për ndërmarrjet publike, Shala ka thënë se janë në një situatë të vështirë. “Asnjë projekt, asnjë strategji, asnjë projekt zhvillimor deri më tani nuk e kemi. Borxhet e këtyre ndërmarrjeve për çdo ditë shtohen me miliona euro. Keqmenaxhimi dhe nepotizmi është i dukshëm. Joprofesionalizmi menaxhues është shumë i lartë”, ka deklaruar Shala.

“Epoka e re”: Z. Shala, çfarë vlerësimi keni për punën e qeverisë Kurti?
Shala: Më shumë se një vit kjo qeveri, përjashto skemat sociale, nuk ka arritur që asnjë nga projektet e planifikuara apo të premtuara t’i realizojë. E vetmja gjë për të cilën do të mbahet mend kjo qeveri është shpenzimi i parasë së buxhetit pa asnjë planifikim dhe pa asnjë investim.

“Epoka e re”: Po për punën e opozitës, çfarë vlerësimi keni?
Shala: Opozita ka ndjekur rrugën e qetësisë opozitare, një kulturë që qytetarëve të vendit u duhet. Opozita nuk ka kopjuar asgjë nga mënyrat opozitare të së kaluarës. I ka dhënë hapësirë të mjaftueshme qeverisë për realizimin e synimeve programore të saj e që, fatkeqësisht qeveria, nuk e ka shfrytëzuar këtë mundësi. Por, opozita është edhe në kërkim të metodave dhe praktikave më të mira të të bërit opozitë. Përkundër kësaj qetësie, lë shumë për të dëshiruar që të jetë një opozitë e zëshme, e arsyeshme, e bashkuar, me kauza të qarta ekonomike dhe nacionale. Deri më tani kemi parë vetëm kauzën energjetike dhe asgjë tjetër. Mbesim me shpresë që ditët në vijim opozita të reflektojë dhe të orientohet drejt kauzave shtetërore.

Epoka e re”: Gjatë këtyre muajve Kosova, përpos rritjes së çmimit të energjisë, është ballafaquar edhe me ngritjen e çmimeve të produkteve elementare. Sipas jush, si e ka menaxhuar qeveria këtë situatë?
Shala: Qeveria “de fakto” dhe “de juro” ka qenë jashtë lojës me menaxhimin e situatës së inflacionit. Asnjë nga mekanizmat e saj institucionalë nuk ka qenë funksional dhe në krye të detyrës, me masa preventive në mbajtjen nën kontroll të inflacionit. Ndërsa qeveria ka qenë thellë e zhytur në keqmenaxhimin e krizës energjetike, me ndërhyrje politike në gjithë sektorin energjetik, me ndërhyrje në Zyrën e Rregullatorit të Energjisë (ZRrE), me ndërhyrje të mëdha financiare, pa qartësi dhe transparencë, pa bazë ligjore dhe pa arsye ekonomike. Pra, shpenzim i buxhetit me pasoja dhe dyshime të mëdha.

“Epoka e re”: PDK-ja është duke insistuar në themelimin e Komisionit Hetimor për Energjinë, derisa pozita është duke e kundërshtuar një gjë të tillë. Pse duhet të themelohet ky komision?
Shala: Komisioni Hetimor duhet të themelohet që ta zbardhë të vërtetën e menaxhimit të keq qeveritar në tërë periudhën e krizës energjetike. Pra ta zbardhë arsyeshmërinë e subvencionimit të mbi 100 milionë eurove, ta zbardhë arsyeshmërinë e importeve energjetike, ta zbardhë arsyeshmërinë e eksporteve, ta zbardhë arsyeshmërinë e çmimeve. Po ashtu, ky komision duhet të themelohet për t’i zbardhur të dhënat reale mbi prodhimin vendor, t’i zbardhë partnerët vendorë e ndërkombëtarë që kanë punuar me Kosovën gjatë periudhës së krizës energjetike she t’i zbardhë kontratat njëburimore si dhe shumë defekte të tjera në këtë sektor.

“Epoka e re”: Mediet sllovene para disa ditësh raportuan për përfshirjen e ambasadorit të Kosovës në Kroaci në afera korruptive, që e ndërlidhin atë me mafinë energjetike serbe. A ka pasur indikacione PDK-ja për diçka të tillë, pasi më herët insistonte të themelohet Komisioni Hetimor?
Shala: Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe grupi parlamentar kanë pasur dhe kanë indikacione që qeveria Kurti ka qenë dhe është thellë e zhytur në afera të dyshimta në tërë sektorin energjetik, në eksport, në import, në tenderë njëburimor, në punësime, në subvencionim të sektorit, me ndërmarrjet publike dhe private të sektorit energjetik, me negociata për zgjidhje të problemit energjetik në pjesën veriore me KOSTT-in, me ZRrE-në, KEDS-in, KESCO-n dhe KEK-un. Problem është heshtja e kryeministrit dhe kabinetit qeveritar. Problem është paaftësia menaxhuese e kësaj qeverie.

“Epoka e re”: Personalisht, çfarë prisni të dalë në pah nga hetimi parlamentar për energjinë?
Shala: Presim që të gjitha vërejtjet dhe sugjerimet në pikat e lartcekura të zbardhen. Presim që opinioni dhe qytetarët ta dinë të vërtetën mbi konsumin vendor dhe importet. Presim të zbardhet e vërteta mbi sektorët energjetikë. Presim që të qartësohet rruga për menaxhim më të mirë të këtij sektori për të ardhmen. Nuk mund të vazhdojmë më tutje në asnjë hap tjetër zhvillimor pa u qartësuar periudha e dyshuar.

“Epoka e re”: Z. Shala, ju jeni edhe kryetar i Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti. Mund të na thoni se si janë duke operuar ndërmarrjet publike që nga ardhja në pushtet e qeverisë Kurti?
Shala: Mbështetur në raportet e performancës, ndërmarrjet publike janë në një situatë jashtëzakonisht të rëndë, me theks të veçantë Trepça, KOSTT-i, Posta, KEK-u, ndërmarrjet e ujësjellësve regjionalë. Gjithashtu, në gjendje të rëndë janë Trainkos-i dhe Infrakos-i. Të vetmet ide qeveritare deri më tani janë pretendimet që t’i futin nën një kulm administrativ, të quajtur fondi sovran, e që për ne është pothuajse e pamundur dhe utopike, sidomos në situatën që ndodhen këto ndërmarrje. Asnjë projekt, asnjë strategji, asnjë projekt zhvillimor deri më tani nuk e kemi. Borxhet e këtyre ndërmarrjeve për çdo ditë shtohen me miliona euro. Keqmenaxhimi dhe nepotizmi është i dukshëm. Joprofesionalizmi menaxhues është shumë i lartë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në mbledhjen elektronike të mbajtur sot, Qeveria e Kosovës ka…