Qeveria miraton vendimin, ndërpritet tregtimi i rrymës me kompanitë nga Serbia
Qeveria e Kosovës ka miratuar propozim-vendimin për ndalimin e tregtimit të energjisë elektrike me kompanitë nga Serbia, përkatësisht blerjen e saj.
Kabineti qeveritar ka votuar pro këtij propozimi.
Në fillim të mbledhjes, Kurti ka thënë se kjo masë vjen si përgjigje ndaj bllokimit të linjave ndërkufitare për tregtimin e energjisë nga ana e Serbisë.
“Së pari, do të ndalojmë tregtimin e energjisë elektrike me kompanitë serbe, si masë e parë ndaj Serbisë për bllokimin e linjave ndërkufitare për tregtim, e cila mund të përshkallëzohet në të ardhmen, nëse nuk ka reflektim. Gjithashtu, për t’u përballur me vështirësitë e sektorit të energjisë që vijnë nga bllokimi i këtyre linjave të interkoneksionit 400 kilovolt dhe faktorë të tjerë të brendshëm e të jashtëm, sot po i vendosim KEK-ut obligimin publik për të siguruar një sasi të kapaciteteve ndërkufitare për muajin dhjetor, si dhe po vendosim masa emergjente në energji, që përfshijnë obligimin e Ibër-Lepencit për ta shitur energjinë për furnizimin e shërbimit publik”, ka thënë ai.
Në mbledhjen e qeverisë janë miratuar edhe dy vendime të tjera që lidhen me sektorin e energjisë elektrike. Bëhet fjalë për propozim-vendimin për shpalljen e masave emergjente për furnizimin me energji, si dhepropozim-vendimin për vendosjen e obligimit të shërbimit publik ndaj Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) për sigurimin e kapaciteteve ndërkufitare të transmisionit.
Këto tri vendime janë pjesë e masave të qeverisë për përballimin e sfidave në sektorin e energjisë elektrike dhe sigurimin e furnizimit me energji në vend.



