Qeveria mirëpret kërkesën e Gjermanisë dhe Francës për rifillimin e dialogut Kosovë-Serbi

23 maj 2020 | 16:04

Qeveria në detyrë e ka mirëpritur letrën e përbashkët të dy ministrave të Jashtëm të Gjermanisë dhe Francës për rifillimin e dialogut Kosovë-Serbi.

Në ekzekutiv kanë thënë se edhe dy shtetet aleate të Kosovës janë duke kërkuar që procesi i dialogut të jetë i përgatitur mirë dhe ndërtuar në parime.

Ndërsa, përkundër këtij insistimi, ata nuk kanë dhënë një datë se kur mund të rifillojë ky dialog.

Zëdhënësi i qeverisë në detyrë, Përparim Kryeziu, ka thënë për “Kosovapress” se shefi i ekzekutivit, Albin Kurti është i gatshëm të udhëheq dialogun me Serbinë.

Por, sipas tij dialogu nuk duhet të jetë akt drejt marrëveshjes, por proces që shpie në marrëveshje

“Ne kemi treguar gatishmërinë që të udhëheqim me dialogun. Kryeministri në detyrë madje ka propozuar modelin se si kjo gjë mund të bëhet, sa i përket përfaqësimit të Kosovës në këtë proces. Ne pajtohemi me letrën e përbashkët, sidomos sikur ata edhe ne pajtohemi që procesi i dialogut është një proces i përgatitur mirë dhe duhet ndërtohen në parime”.

“Dialogu duhet të rifillojë atëherë kur të gjitha palët e përfshira në këtë proces shprehin një gatishmëri të tillë. Ne jemi në pritje të vendimeve dhe veprimeve të BE-së. Por në njërën anë ne jemi në një situatë kur kemi një qeveri në detyrë. Në anën tjetër shteti i Serbisë është pranë zgjedhjeve nacionale. Kështu që ne konsiderojmë se këtë kohë duhet të shfrytëzojmë sa më mirë. Në mënyrë që ne të jemi të përgatitur në momentin e parë, kur palët e përfshira dhe ndërmjetësuesi e sheh të rrugës që ky proces të rifillojë. Ne jemi të interesuar për një dialog që nuk është akt drejt marrëveshjes, por një proces drejt marrëveshjes”,  ka thënë Kryeziu.

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Begzad Baliu “... gjuha është sendi më i çmueshëm i…