Qeveria në vitin e fundit të mandatit: A e luftoi korrupsionin?

29 prill 2024 | 15:23

Me premtimin se do të luftojë korrupsionin dhe do të qeverisë me duar të pastra, Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti, ka marrë udhëheqjen në vitin 2021. Sot, në vitin e fundit të mandatit, zyrtarë të saj kritikohen për “përfshirje në praktika korruptive pa u ndëshkuar”.

Së paku dy ministre janë ose nën hetime, ose në procedura gjyqësore.

Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit ka thënë, po ashtu, se numri i zyrtarëve publikë, që s’e kanë respektuar obligimin e deklarimit të pasurisë, është rritur në vitin 2024 krahasuar me vitin 2021, ndonëse, ndër vite, është rritur edhe numri i zyrtarëve me këtë obligim ligjor.

Vetë Qeveria e Kosovës, në anën tjetër, ka thënë se ka bërë “përparim” në luftimin e, siç e cilëson, “problemit të trashëguar”.

Rastet Gërvalla dhe Hajdari

Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, është duke u përballur aktualisht me akuzën për mosdeklarim të pasurisë. Muajin e kaluar, ajo u deklarua e pafajshme para Gjykatës Themelore në Prishtinë, por procesi është në zhvillim e sipër.

Në fund të vitit 2022, ndërkaq, ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, u dënua me gjobë prej 700 eurosh nga Gjykata Themelore në Prishtinë për shkak të mosdeklarimit të pasurisë.

Hajdari, aktualisht, është nën hetime për keqpërdorim të detyrës në lidhje me rezervat shtetërore.

E ftuar, ditë më parë, nga Prokuroria Speciale e Kosovës për intervistim, Hajdari e mbrojti veten në heshtje.

Si Hajdari, ashtu edhe Gërvalla vazhdojnë t’i kryejnë detyrat ministrore.

Mosdeklarimi i pasurisë

Drejtori i Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit në Kosovë, Yll Buleshkaj, ka thënë se këtë vit janë mbi 130 zyrtarë publikë që nuk e kanë deklaruar pasurinë, ose e kanë bërë këtë jashtë afatit ligjor. Sipas tij, numri i tyre është rritur për disa fish krahasuar me vitin e kaluar.

Por, ka theksuar Buleshkaj, ngjashëm është rritur edhe numri i zyrtarëve me këtë obligim ligjor  nga rreth 4 900 në vitin 2021, në rreth 11 mijë këtë vit.

Ai ka treguar se si ka lëvizur numri i atyre që s’e kanë përmbushur këtë obligim ligjor ndër vite: “Në vitin 2021 kanë qenë 109 (zyrtarë). Pastaj, ky numër ka rënë në 61 në vitin 2022 dhe në 38 në vitin 2023. Por, ky numër tani është rritur. I kemi mbi 150 (zyrtarë), të cilët nuk e kanë kryer këtë obligim këtë vit”.

Buleshkaj ka thënë se ata zyrtarë që e kanë deklaruar pasurinë deri në 15 ditë pas afatit ligjor, do të gjobiten nga Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit, ndërsa të tjerët do të jenë subjekt i kallëzimeve penale.

Kjo agjenci e ka tani kompetencën që t’i shqiptojë vetë gjobat, të cilat, sipas Buleshkajt, sillen nga 30 për qind e pagës deri në 500 euro.

Ai ka thënë se këtë vit nuk ka ende ndonjë kallëzim penal për mosdeklarim të pasurisë, meqë nuk ka nisur ende procesi i verifikimit të të dhënave të mbledhura për 2024-shin.

Duke i komentuar vendimet e gjykatave për 38 rastet e vitit 2023, të cilat i ka pranuar Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit, Buleshkaj ka thënë se vlera e gjobave ka qenë prej 150 euro deri në 1 000 euro, si dhe burgim me kusht nga tre muaj deri në një vit, me kohë për verifikim deri në dy vjet.

Çka thotë Prokuroria?

Prokuroria Speciale e Kosovës ka konfirmuar se ministrja Hajdari dyshohet se ka kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” në lidhje me rezervat shtetërore.

Ajo dyshohet se e ka dëmtuar buxhetin e Kosovës me 600 mijë euro. Në fund të marsit, Prokuroria ka thënë e ka intervistuar ambasadorin e Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, nën dyshimet për veprat penale: “shpëlarje e parave”, “shmangie nga tatimi” dhe “mosraportim ose raportim i rremë i pasurisë ose detyrimeve financiare”.

Sipas Prokurorisë, Berishaj është ftuar edhe më herët për intervistim, por, me kërkesën e tij, procesi është shtyrë.

Para se t’i fitonte zgjedhjet në vitin 2021, Kurti, atëkohë kandidat për kryeministër, kishte thënë për gazetën britanike “Guardian” se duhet një aleancë e re politike për të trajtuar “murin e madh të korrupsionit” në Kosovë.

“Korrupsioni ka qenë i madh, por është shumë i përqendruar në krye. Ne besojmë se mund ta mposhtim. Shumë njerëz predikojnë tregun e lirë, por në praktikë kemi oligarkë, kartela dhe industri të rezervuara për gardën e vjetër”, kishte thënë Kurti për “Guardian”.

Kosova, prej vitesh, është në shënjestër të kritikave të institucioneve dhe organizatave të ndryshme ndërkombëtare për, siç thuhet, nivel të lartë korrupsioni.

Në raportin e fundit të Departamentit Amerikan të Shtetit për të drejtat e njeriut në botë, që është publikuar javën e kaluar, thuhet se në Kosovë ka pasur “disa raportime për korrupsion në qeveri” dhe se “zyrtarët, nganjëherë, përfshihen në praktika korruptive pa u ndëshkuar”.

Sipas raportit, në këtë problem kontribuojnë mungesa e mbikëqyrjes efektive gjyqësore dhe dobësia e përgjithshme në sundimin e ligjit.

“Rastet e korrupsionit u nënshtrohen rregullisht apelimeve të përsëritura dhe sistemi gjyqësor shpesh lejon skadimin apo parashkrimin e lëndëve”, ka vlerësuar DASh-i.

Ai ka cituar edhe raportimet e disa mediave se Prokuroria Speciale dhe Njësia e Hetimeve Speciale të Policisë së Kosovës kanë hapur hetime penale kundër së paku pesë ministrave dhe dy zëvendësministrave, për vepra të dyshuara të lidhura me korrupsionin, por Prokuroria, e kontaktuar nga “REL”-i, ka konfirmuar vetëm rastet e lartpërmendura.

Organizata ndërkombëtare, “Freedom House”, ka vlerësuar gjithashtu në raportin e sivjetmë se korrupsioni në Kosovë vazhdon të mbetet çështje shqetësuese, raporton “Radio Evropa e Lirë”.

“Vetë qeveria Kurti u përball me një skandal korrupsioni në vitin 2023 që përfshinte rezerva shtetërore të pallogaritura, të cilat janë ende nën hetim”, është thënë në raportin e “Freedom House”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Trajneri i Barcelonës, Xavi doli në konferencë para ndeshjes ndaj…