Qeveria nuk duhet të zmbrapset për taksën ndaj Serbisë

23 nëntor 2018 | 15:03

Kryetari i Lëvizjes për Bashkim (LB), Valon Murati, ka thënë se vendimi për rritjen e taksës ndaj mallrave të Serbisë është i drejtë dhe duhet të vlerësohet në kontekstin e obstruksioneve të vazhdueshme të Serbisë ndaj Kosovës.

Ai e ka inkurajuar Qeverinë e Kosovës të mos zmbrapset nga ky vendim. Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Murati ka theksuar se ky vendim duhet ta detyrojë Serbinë të heqë dorë nga politikat destruktive në raport me Kosovën. Sipas tij, nga kjo betejë Kosova nuk duhet të dalë pa përfitime.

Murati ka shprehur optimizëm se vendosja e reciprocitetit me Serbinë do ta afronte zgjidhjen e problemeve në mes të dy vendeve. Ai ka vlerësuar se vendimi për taksën ndaj produkteve serbe është mesazh për Serbinë dhe bashkësinë ndërkombëtare që të fillojnë ta trajtojnë Kosovën dinjitetshëm dhe barabartë me shtetet e tjera

“Epoka e re”: Z. Murati, si e komentoni vendimin e Qeverisë së Kosovës për rritjen e taksës doganore ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnjës nga 10 për qind në 100 për qind?
Murati: Vendimi është i drejtë dhe duhet të vlerësohet në kontekstin e obstruksioneve të vazhdueshme të Serbisë ndaj Kosovës. Ajo nuk lë gur pa lëvizur për ta dëmtuar Kosovën, qoftë duke e minuar stabilitetin e brendshëm me Listën Serbe, qoftë duke lobuar kundër anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare. Vazhdon ta shfrytëzojë tregun e Kosovës për ta fuqizuar jo vetëm ekonominë e vet, por edhe për ta financuar tërë punën kundër Kosovës që bën si dhe diskriminimin e shqiptarëve në Kosovën Lindore. Nuk bën t’i lejohet Serbisë që ajo të pranojë të bashkëpunojë me Kosovën vetëm në fushat që i konvenojnë asaj, ndërsa ta minojë shtetin e Kosovës në të gjitha fushat ku ajo mendon se po fuqizohet sovraniteti i Kosovës. Serbia dëshiron ta respektojë CEFTA-n, se përfiton nga Kosova, ndërsa nuk realizon marrëveshjen për energjinë, sepse forcohen Kosova dhe Shqipëria në planin e pavarësimit energjetik. Vërtet këto masa mund të duken se janë kundër frymës së integrimeve evropiane e rajonale, kundër tregut të lirë etj. por, së pari, të vlerësojmë se në çfarë fryme vazhdon të sillet Serbia me Kosovën dhe shqiptarët në Kosovën Lindore. Në frymën evropiane? Jo, aspak! Serbia vazhdon të jetë vetëm në formën e saj evropiane dhe demokratike, ndërsa në përmbajtjen e saj është thellë nacional-shoviniste dhe neo-kolonialiste në raport me Kosovën dhe shqiptarët. Andaj reciprociteti me Serbinë duhet të jetë i plotë dhe i thellë. Sado sakrifica që mund të na kërkohen, ne si qytetarë do t’i përballojmë. Nga kjo betejë nuk duhet të dalim pa përfitime. Mbi të gjitha, besoj se kjo situatë tensioni do t’i krijojë kushtet që të gjithë t’i qasen shumë më seriozisht zgjidhjes politike të kontestit shqiptaro-serb, në mënyrë që pastaj të ndërtohen raporte më normale dhe më të barabarta në mes të dy vendeve dhe popujve tanë.

 “Epoka e re”: Cilat janë të mirat dhe pasojat që mund t’i sjellë ky vendim?
Murati: E mira e madhe është se Serbisë po i dërgohet një mesazh, por jo vetëm asaj, por edhe bashkësisë ndërkombëtare, që duhet të fillojë ta trajtojë Kosovën me dinjitet dhe si partnere e barabartë. E dyta, mund të nxisë një atmosferë më të mirë për prodhimet vendore në mënyrë që të fillojmë të krijojmë më shumë besim në to, por edhe të krijojë hapësirë për ndërmarrësit aktualë, edhe ata të rinj që të hyjnë në projekte ekonomike prodhuese, në lëmenjtë në të cilët deri më tani nuk kemi prodhim (e ato janë të shumta). E treta, krijon kushte që tregtarët tanë të fillojnë të mendojnë që të krijojnë edhe rrugë të tjera importi, fillimisht nga Shqipëria, pastaj edhe nga vendet e tjera. Në anën tjetër, duhet të jemi të vetëdijshëm se kjo betejë nuk do të jetë e lehtë as për Kosovën dhe as për qytetarët e saj. Çmimet e produkteve bazike mund të rriten, po ashtu mund të ketë efekt negativ në prodhuesit vendorë të cilët lëndën e parë e marrin në Serbi. Mirëpo të gjithë duhet t’i shtrëngojmë dhëmbët, të sakrifikojmë e të mos zmbrapsemi nga kjo betejë. Nuk ka kuptim që ne në pëllëmbë dore t’ia dhurojmë Serbisë nga 450 milionë euro në vit. Në këtë situatë Qeveria, së bashku me të gjithë mekanizmat shtetërorë dhe me asociacionet e bizneseve, duhet të mobilizohen dhe t’u ndihmojnë bizneseve për gjetjen e rrugëve alternative për lëndë të parë, në anën tjetër, nëse është nevoja përkohësisht edhe t’i subvencionojë prodhuesit e produkteve bazike dhe të atyre që janë me interes për ekonominë e Kosovës. Nëse këto masa nënkuptojnë shkelje të rënda të CEFTA-s, atëherë ndoshta është mirë të mendohet që përkohësisht Kosova ta suspendojë anëtarësinë e saj në këtë organizatë. Të gjithëve duhet t’ia bëjmë me dije seriozitetin e situatës në raport me dëmet që po na i shkakton Serbia.

 “Epoka e re”: Përveç reagimeve të Serbisë dhe Bosnjës, ka pasur reagime të ashpra edhe nga zyrtarët e lartë të Bashkimit Evropian. Si i keni parë reagimet e Mogherinit dhe Hahnit të cilët kanë kërkuar të shfuqizohet ky vendim?
Murati: Reagimet e BE-së janë të pritshme, sepse ata çdoherë i frikësohen destabilizimit rajonal. Gjithashtu, duke qenë se tregtia e lirë është një prej shtyllave të krijimit dhe funksionimit të BE-së, ajo medoemos do të reagojë në këtë drejtim. Por, BE-së i duhet bërë e qartë se destabilizues i Ballkanit vazhdon të jetë Serbia dhe ndaj saj duhet të shtohet presioni në mënyrë që të zgjidhet me bisedime politike kontesti në mes të dy vendeve. Unë jam optimist se kjo masë dhe masat e tjera që do të duhej Qeveria të ndërmarrë në fushën e vendosjes së reciprocitetit me Serbinë, vetëm sa do ta afrojnë zgjidhjen e problemeve në mes të dy vendeve.

 “Epoka e re”: Sa mund t’i bëjë ballë presionit të BE-së Qeveria e Kosovës për këtë çështje? Ka rrezik që të ketë kthim prapa?
Murati: Kjo është një çështje që i mbetet Qeverisë. Ne e inkurajojmë të mos zmbrapset, së paku pa e detyruar Serbinë të zmbrapset nga politikat destruktive në raport me Kosovën dhe të mos e trajtojë Kosovën vetëm si një treg të garantuar të cilin duhet ta mjelë pa mëshirë.

 “Epoka  e re”: Nëse Kosova arrin ta mbajë në fuqi taksen prej 100 përqindësh, cilët janë hapat që duhen ndjekur?
Murati: Në raport me Serbinë duhet të vendoset reciprociteti në çdo fushë dhe të kërkohet që të drejta të njëjta që garanton Kosova për serbët, të garantohen edhe për shqiptarët në Serbi, përfshirë vendet e garantuara dhe të drejtën e vetos për ndryshime kushtetuese dhe ligjore. Ndërsa sa iu përket masave të brendshme, përveç atyre që i theksova më lart, duhet të punojë shumë seriozisht për krijimin e një ambienti ku do të sundojë ligji, ku do të luftohet korrupsioni dhe krimi i organizuar në mënyrë që edhe me këto mekanizma të ndihmohen ndërmarrësit aktualë dhe ata potencialë.

 “Epoka e re”: Gjithashtu, Serbia ka paralajmëruar se nuk mund të vazhdohet dialogu me Kosovën pa u hequr taksa. A do të duhej që Kosova të marrë vendim që përkohësisht ta ndërpresë edhe dialogun?
Murati: Pavarësisht prej taksës, ky dialog është dashur të përfundojë moti sepse është ndërtuar në premisa të gabuara. Kosova përfundimisht nuk duhet të bëjë dialog me Serbinë ku diskutohet vetëm për interesat e Serbisë dhe të serbëve në Kosovë. Kjo ka qenë një qasje e gabuar prej fillimit. Në dialogun e deritanishëm kryesisht janë akomoduar interesat e Serbisë në Kosovë dhe të serbëve të Kosovës, përderisa edhe nëse është arritur diçka në të mirë të Kosovës, apo shqiptarëve në Kosovën Lindore, ato marrëveshje ose nuk janë realizuar asnjëherë, ose realizohen me vështirësi. Ne me Serbinë kemi probleme politike, andaj duhet të përgatitemi mirë që të realizojmë një dialog të mirëfilltë politik. LB-ja, duke u bazuar në platformën e vet, është e bindur se zgjidhja më e mirë është që të vendoset parimi i reciprocitetit në të drejta në mes të shqiptarëve të tri komunave të Kosovës Lindore me ato të serbëve të Leposaviqit, Zubin Potokut dhe Zveçanit, parim i cili si zgjidhje logjike do të kishte ridefinimin e kufijve në mes të dy popujve dhe vendeve, duke u bazuar në vullnetin e tyre në këto pjesë për të cilat i përmenda. Kur t’i zgjidhim problemet politike atëherë edhe këto tekniket (nëse ka diçka teknike në mes të Kosovës dhe Serbisë) do të zgjidheshin automatikisht.

Shqipe HETEMI

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Serbët e komunave veriore të Kosovës kanë protestuar të premten…