Qeveria po tregon plogështi për përgatitjen e dialogut me Serbinë

08 qershor 19:00

Anëtari i Kryesisë i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Valon Murtezaj, ka bërë me dije se qeveria Kurti po tregon plogështi për përgatitjen e dialogut me Serbinë.

Ai ka vlerësuar se në përgatitjen e këtij procesi po shihet mungesë e orientimeve kryesore dhe një mungesë e transparencës në gjithçka që e rrethon procesin e dialogut.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Murtezaj ka deklaruar se ky proces kërkon përgatitje të mëdha dhe shumë ekspertizë. “Ky proces nuk është proces i ri, pra është një angazhim i njohur për të gjitha partitë dhe qeveritë. Prandaj, një qeveri si kjo aktualja, me gjithë këtë votë përkrahëse të dhënë nga qytetarët, do të duhej të ishte një projekt i rëndësishëm dhe i përgatitur mirë. Deri tani ne kemi parë një plogështi të qeverisë aktuale në përgatitjet për t’u përballur me dialogun, një mungesë të orientimeve kryesore të konsoliduara në një strategji negocuese, si një mungesë transparence në gjithë procesin”, ka thënë Murtezaj.

Ai ka treguar se procesi i dialogut me Serbinë duhet t’i hapë Kosovës rrugën drejt integrimit në BE dhe OKB.

“LDK-ja kërkon nga qeveria dhe kryeministri Kurti të marrin përgjegjësinë që u takon nga zgjedhjet e 14 shkurtit 2021, dhe në përputhje me Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2019, ta zhvillojë dialogun dhe ta përfundojnë atë me njohjen reciproke, duke mbrojtur interesat nacionale të Republikës së Kosovës në këtë proces, dhe duke hapur rrugën e Kosovës për integrime evropiane dhe anëtarësim në Kombet e Bashkuara”, ka vlerësuar Murtezaj.

Ndër të tjera, në këtë intervistë Murtezaj ka folur edhe për përgatitjet që duhet të bëjë Qeveria e Kosovës për këtë proces. Sipas tij, për të qenë ky proces mirë i përgatitur qeveria duhet të ketë qëllime të qartësuara për procesin negociator.

“Në secilin proces negociator është me rëndësi të jesh i përgatitur mirë. Të kesh qëllime të qartësuara për procesin negociator, të dish çfarë dëshiron, pastaj të kesh strategji si t’i arrish objektivat. Për më tej, të ndërtosh ekipe me ekspertizë dhe përvojë të duhur, dhe të ndërtohet një seriozitet maksimal për procese të tilla komplekse dhe me rëndësi për shtetin e Kosovës”, është shprehur Murtezaj.

“Epoka e re”: Z. Murtezaj, një nga sfidat me të cilën do të përballet qeveria Kurti në këtë muaj është dialogu me Serbinë. Sa besoni se qeveria është e përgatitur për këtë proces?
Murtezaj: Dialogu për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë është një proces kompleks. Po bëhet një dekadë që ky dialog i lehtësuar nga Bashkimi Evropian dhe me përkrahjen e Shteteve te Bashkuara ka qenë temë e vështirë për Kosovën. Ky proces kërkon përgatitje të mëdha dhe shumë ekspertizë. Si rrjedhim, ky proces nuk është proces i ri, pra është një angazhim i njohur për të gjitha partitë dhe qeveritë. Prandaj, një qeveri si kjo aktualja, me gjithë këtë votë përkrahëse të dhënë nga qytetarët, do të duhej të ishte një projekt i rëndësishëm dhe i përgatitur mirë. Deri tani ne kemi parë një plogështi të qeverisë aktuale në përgatitjet për t’u përballur me dialogun, një mungesë të orientimeve kryesore të konsoliduara në një strategji negocuese, si një mungesë transparence në gjithë procesin dhe në gjithçka që e rrethon procesin e dialogut. LDK-ja kërkon nga qeveria dhe kryeministri Kurti të marrin përgjegjësinë që u takon nga zgjedhjet e 14 shkurtit 2021 dhe në përputhje me Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2019, ta zhvillojë dialogun dhe ta përfundojnë atë me njohjen reciproke, duke mbrojtur interesat nacionale të Republikës së Kosovës në këtë proces, dhe duke hapur rrugën e Kosovës për integrime evropiane dhe anëtarësim në Kombet e Bashkuara.

“Epoka e re”: Kryeministri Kurti ka deklaruar se takimin e parë me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq, nuk e sheh si vazhdim të dialogut, por si një fillim të ri të këtij procesi. Ndërsa BE-ja e ka bërë të qartë se bëhet fjalë për një vazhdim të procesit. Si e keni parë këtë qasje të kryeministrit ndaj dialogut me Serbinë?
Murtezaj: Kjo mbetet të shihet tani dhe sidomos në periudhën që vjen. Ne kemi të gjithë nevojë të kuptojmë më shumë çfarë nënkupton kjo. Deklarata e kryeministrit Kurti, që ky takim do të jetë për një proces të ri dialogu, është diçka që ne duhet ta shohim çfarë ka në përmbajtje. Në BE kanë theksuar, më saktësisht Borrel ka shprehur qëndrimin se nuk do të mund të hedhet nga dritarja gjithë puna e mëhershme në këtë proces. Sidoqoftë, i takon Qeverisë së Republikës së Kosovës që tani t’i përcaktojë mënyrat për t’i mbrojtur interesat nacionale të Kosovës në këtë proces. Gjërat duhet të bëhen të vërteta. Me rëndësi është të jenë konform interesave nacionale të Kosovës.

“Epoka e re”: Ju jeni edhe profesor në Francë në fushën e negociatave. Çfarë do të duhet të bënin institucionet e Kosovës për të qenë të përgatitura për dialogun me Serbinë?
Murtezaj: Në secilin proces negociator është me rëndësi të jesh i përgatitur mirë. Të kesh qëllime të qartësuara për procesin negociator, të dish çfarë dëshiron, pastaj të kesh strategji si t’i arrish objektivat. Për më tej, të ndërtosh ekipe me ekspertizë dhe përvojë të duhur, dhe të ndërtohet një seriozitet maksimal për procese të tilla komplekse dhe me rëndësi për shtetin e Kosovës.

“Epoka e re”: Po për fushat e brendshme të qeverisjes, cili është vlerësimi juaj për punën e deritanishme të qeverisë Kurti?
Murtezaj: Kjo qeveri ka dalë nga zgjedhjet e fundit të mbajtura më 14 shkurt, në të cilën disponimi dhe gjykimi i qytetarëve ishte për t’i dhënë përkrahje të fuqishme një subjekti politik, me 50 për qind plus. Kjo ka bërë që qeveria aktuale dhe kryeministri Kurti të kenë fuqi të madhe qeverisëse, të alokuar nga vota e qytetarëve të Kosovës. Kjo bën që kjo qeveri të ketë mundësi të jashtëzakonshme për të marrë vendime dhe më lehtësi që shpesh qeveritë e tjera nuk e kanë pasur. Një fuqi e tillë, me votat në Kuvendin e Kosovës, në rrethana normale qeverisëse, i mundëson qeverisjes të ecë shpejt, pa pengesa për ta realizuar planin qeverisës. Përkundër të gjitha këtyre rrethanave, ajo çfarë po mund të vërejmë, është se puna e qeverisë deri tani është pa objektiva të qarta, pa dinamikë dhe pa energji. Do të duhej të ketë dinamikë të madhe në të gjitha fushat, gjë e cila nuk po ndodh dhe të cilën nuk po mund ta konstatojmë.

“Epoka e re”: Z. Murtezaj, presidentja e vendit ka zhvilluar konsultimet me partitë politike për caktimin e datës së zgjedhjeve lokale, ndërsa kryetari i LDK-së ka paraqitur disa kandidatë për kryetarë të komunave. Cilat janë pritjet e juaja për këto zgjedhje?
Murtezaj: Lidhja Demokratike e Kosovës, me të gjitha strukturat e saj, kryetari Abdixhiku, dhe kryetarët e degëve në komuna, po punojnë në gjithë Kosovën për t’i ofruar kandidaturat më të mira për qytetarët e Kosovës. LDK si tërësi, do t’i ofrojë personalitetet më të përgatitura që do të mund të bëjnë zgjidhjet e duhura për problemet në nivelin komunal. Kjo është shumë e rëndësishme sepse jeta e përditshme ndikohet në masë të madhe nga vendimet në nivelin komunal. Prandaj, LDK-ja do të dalë mirë në këto zgjedhje lokale dhe do të tregojë që ka zgjidhjet më të mira dhe projektet më të mira për qytetarët.

(Muhamet Koci)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Qeveria e Kosovës e ka mbajtur sot mbledhjen e 15-të…