Qeveria reagon pas dënimit të Thaçit: Drejtësia duhet jo vetëm të vihet në vend, por edhe të jetë e drejtë dhe e besueshme

17 nëntor 2026 | 15:46

Qeveria e Kosovës ka reaguar pas aktgjykimit të shpallur sot në Dhomat e Specializuara në Hagë ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi dhe të tjerëve, lidhur me akuzat për pengim të administrimit të drejtësisë.

Në reagimin e saj, qeveria ka theksuar se pavarësia e gjyqësorit dhe respektimi i vendimeve gjyqësore janë parime themelore të sundimit të ligjit, por kjo nuk e përjashton të drejtën dhe përgjegjësinë për të ngritur shqetësime lidhur me funksionimin e institucioneve të drejtësisë.

Qeveria ka bërë me dije se kritikat dhe rezervat e shprehura vazhdimisht ndaj Dhomave të Specializuara mbeten të qëndrueshme, veçanërisht sa i përket transparencës së procedurave, respektimit të të drejtave të palëve dhe garantimit të standardeve për një gjykim të drejtë.

“Besimi në drejtësi nuk ndërtohet vetëm mbi vendimet që merren, por edhe mbi mënyrën se si arrihet deri tek ato”, është thënë në reagimin e qeverisë.

Më tutje, qeveria ka theksuar se angazhimi për sundimin e ligjit dhe respektimin e plotë të të drejtave dhe garancive procedurale janë pjesë e të njëjtit qëndrim parimor, sipas të cilit drejtësia duhet jo vetëm të vihet në vend, por edhe të jetë e drejtë, transparente dhe e besueshme.

Reagimi i plotë i qeverisë:

Sot, në Dhomat e Specializuara në Hagë, u shpall aktgjykimi në rastin ndaj Hashim Thaçit dhe të tjerëve, lidhur me akuzat për pengim të administrimit të drejtësisë.

Pavarësia e gjyqësorit dhe respektimi i vendimeve gjyqësore janë parime themelore të sundimit të ligjit. Megjithatë, kjo nuk e përjashton të drejtën dhe përgjegjësinë për të ngritur shqetësime lidhur me funksionimin e institucioneve të drejtësisë.

Në këtë kuptim, kritikat dhe rezervat që kemi shprehur vazhdimisht ndaj Dhomave të Specializuara mbeten të qëndrueshme, veçanërisht sa i përket transparencës së procedurave, respektimit të të drejtave të palëve dhe garantimit të standardeve të një gjykimi të drejtë.

Besimi në drejtësi nuk ndërtohet vetëm mbi vendimet që merren, por edhe mbi mënyrën se si arrihet deri tek ato. Prandaj, angazhimi ynë për sundimin e ligjit dhe insistimi për respektimin e plotë të të drejtave dhe garancive procedurale janë pjesë e të njëjtit qëndrim parimor: drejtësia duhet jo vetëm të vihet në vend, por edhe të jetë e drejtë, transparente dhe e besueshme.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka…