Qindra të arrestuar në protestat në Minsk

02 nëntor 2020 | 14:23

Ministria e Brendshme e Bjellorusisë ka bërë me dije se rreth 300 vetë janë arrestuar të dielën në Minsk, në protestat kundër udhëheqësit të këtij vendi, Alyaksandr Lukashenka.

Ministria ka thënë të hënën se zyrtarët e zbatimit të ligjit kanë përdorur granata tymi dhe plumba gome për të shpërndarë mijëra protestues.

“Rreth 300 vetë u arrestuan në Minsk dhe në rajonin e Minskut për shkelje të ligjeve për tubimet masive”, ka thënë ministria në kanalin e saj në “Telegram”.

Katër gazetarë janë në mesin e të arrestuarve, dy prej të cilëve “janë rrahur rëndë”, ka thënë për Shërbimin bjellorus të “Radios Evropa e Lirë:, Boris Goretsky nga Shoqata e Gazetarëve të Bjellorusisë.

Protestuesit në Minsk, tash e 12 javë, mblidhen për të kërkuar dorëheqjen e Lukashenkës.

Autoritetet u janë përgjigjur brutalisht protestave, me rrahje dhe arrestime masive.

Lukashenka mban pushtetin në Bjellorusi qysh në vitin 1994.

Ai është rizgjedhur president në muajin gusht, por, sipas opozitës dhe protestuesve, zgjedhjet janë manipuluar.

Vendet perëndimore refuzojnë ta njohin Lukashenkën si udhëheqës legjitim të Bjellorusisë dhe i kërkojnë atij ta transferojë pushtetin në mënyrë paqësore.

Lukashenka i mohon akuzat për manipulim të votave dhe i fajëson disa vende të Bashkimit Evropian për përpjekje për të detyruar ndryshimin e regjimit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Të premtën është pezulluar nga puna drejtori i Kardiokirurgjisë dhe…