Trumpi kritikon republikanët, por pranon se demokratët bënë “punë të mirë” në zgjedhje

04 nëntor 2026 | 13:18

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka kritikuar republikanët pas humbjeve në zgjedhjet e mesmandatit, ndërsa ka pranuar se demokratët kanë bërë “punë të mirë”, pasi siguruan kontrollin e të dyja dhomave të Kongresit amerikan, Senatit dhe Dhomës së Përfaqësuesve.

Në një postim në platformën e tij “Truth Social”, Trump ka sulmuar guvernatorin e Teksasit, Greg Abbott, i cili humbi garën për një mandat të ri ndaj demokrates Gina Hinojosa. Presidenti ka pretenduar se Abbott nuk do ta kishte humbur garën nëse gjatë gjashtë muajve të fundit nuk do të ishte shndërruar në një “RINO”, shkurtesë për shprehjen “Republikan vetëm në emër”.

Trump ka deklaruar gjithashtu se, nëse emri i tij do të ishte në fletëvotim, republikanët do të kishin fituar “me një rezultat dërrmues”, transmeton “Telegrafi”.

Megjithatë, ai ka thënë se i pranon rezultatet e zgjedhjeve. Në një intervistë për gazetën “The New York Times”, Trump është shprehur se ishte “plotësisht i gatshëm t’i pranonte” ato dhe ka shtuar se mezi priste të bashkëpunonte me demokratët.

“Me siguri do të gjejmë një mënyrë për të arritur marrëveshje”, ka thënë ai.

Në një intervistë tjetër për “Fox News”, presidenti ka pranuar se ishte “paksa i befasuar” nga rezultati zgjedhor. Megjithatë, ai ka paralajmëruar se demokratët do të dërgonin në tavolinën e tij ligje “absurde”, të cilat do t’i bllokonte përmes vetos.

“Pas disa muajsh vetosh, ata do të telefonojnë dhe do të pyesin: ‘Si mund t’i miratojmë këto nisma?’. Atëherë do të bashkëpunojmë”, ka deklaruar Trump.

Në “Truth Social”, ai ka publikuar edhe një fotografi të një kapeleje të kuqe, të ngjashme me ato që zakonisht mbajnë sloganin e tij “Make America Great Again”, por kësaj radhe me fjalën “VETO”. Postimi duket se i referohet kompetencës së presidentit për të bllokuar ligjet e miratuara nga Kongresi.

Ndërsa humbjet e republikanëve po bëheshin gjithnjë e më të dukshme, Trump ka njoftuar në të njëjtën platformë se do të bëhej “komentues politik”, duke analizuar arsyet pse kandidatët kanë fituar ose humbur zgjedhjet.

Kritikat e tij të para janë drejtuar ndaj Abbottit, humbja e të cilit në Teksas shënon herën e parë në më shumë se 30 vjet që një demokrat fiton postin e guvernatorit në këtë shtet.

“Nëse Greg Abbott, guvernatori i Teksasit, nuk do të ishte bërë RINO gjatë gjashtë muajve të fundit të karrierës së tij politike, nuk do t’i kishte humbur zgjedhjet. Ai iu kthye formulës së tij të vjetër dhe nuk përfundoi mirë”, ka shkruar Trump.

Termi “RINO” përdoret brenda Partisë Republikane për të kritikuar anëtarët që konsiderohen se nuk janë besnikë ndaj parimeve ose qëndrimeve të partisë.

Trump është distancuar edhe nga disa kandidatë të tjerë republikanë që garuan në këto zgjedhje. Në një intervistë për “CBS News”, ai ka thënë se në disa raste votuesve nuk u kishin pëlqyer kandidatët, ndërsa në raste të tjera ata nuk kishin qenë miq të tij.

Presidenti ka kritikuar gjithashtu disa herë televizionin “Fox News” për mënyrën se si e ka mbuluar mbrëmjen zgjedhore. Ai e ka akuzuar rrjetin se ka shpenzuar tepër kohë duke raportuar për demokratët dhe ka pretenduar se rënia e audiencës së tij nuk ka ndodhur për shkak të Trumpit, por sepse televizioni ishte “kundër tij”.

Trump ka shprehur pakënaqësi edhe për intervistën që “Fox News” i kishte realizuar ish-kryetarit të bashkisë së New Yorkut, Bill de Blasio, të cilin e ka quajtur “kryetarin më të keq të bashkisë në historinë e qytetit”.

“Ai u largua nga qyteti në turp dhe dëmi që shkaktoi ishte i pallogaritshëm”, ka shkruar presidenti amerikan.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka Pula, ka marrë një letër…