QKMF-ja ‘Dr. Nexhat Çuni’ në Mitrovicë furnizohet me material mjekësor stomatologjik

08 prill 2022 | 10:33

Pas një kohe të gjatë të mungesës së materialit të nevojshëm për punë, Sektori i Shëndetit Oral i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare “Dr. Nexhat Çuni” të Mitrovicës është furnizuar me një kontingjent me material mjekësor stomatologjik në vlerë prej 13,000.00 euro, të financuara nga buxheti komunal i destinuar për QKMF-në.

Derisa furnizimi i të gjithë sektorëve të tjerë të QKMF-së ka filluar me herët dhe tanimë është normalizuar plotësisht, Sektori i Shëndetit Oral kishte mbetur i vetmi sektor pa furnizim me medikamente dhe materiale mjekësore të nevojshme për punë. Kjo vonesë sipas Drejtorisë së Shëndetësisë ka ndodhur për shkak të procedurave të stërzgjatura ankimore, si pasojë e mungesës së bordit të OSHP-së, në nivelin qendror.

Drejtoria e Shëndetësisë ka njoftuar qytetarët se prej javës së ardhshme do të mund të marrin shërbimet e nevojshme stomatologjike, që ofrohen në Sektorin e Shëndetit Oral në QKMF dhe QMF-të e AMF-të që ofrojnë shërbimet stomatologjike (Iliridë, Vaganicë, Bajr 2, Shipol, Tunel i Parë, Gushac dhe Bare).

Përveç furnizimit me materiale mjekësore, drejtori i Shëndetësisë, Fahri Shabani, ka potencuar se janë duke punuar intensivisht në procesin e shpalljes së konkursit për punësim të specialistëve, mjekëve, infermierëve dhe profileve të tjera të punëtoreve shëndetësor për të plotësuar mungesën e madhe të kuadrit mjekësor në QKMF, QMF-të dhe AMF-të e Kujdesit Parësor Shëndetësor të Komunës së Mitrovicës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar për parashikimin e motit…