QKMF-ja e Prishtinës me aparaturë të re për të porsalindurit

03 mars 15:55

Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare (QKMF) në Prishtinë është bërë me aparaturë për detektimin e deformimeve të ijëve te foshnjat e porsalindura.

Kjo aparaturë është dhënë donacion nga “Rotary Club Prishtina”.

Nënkryetari i Prishtinës, Selim Pacolli, tha se kjo aparaturë mundëson evidentim më të shpejtë të deformimeve te të porsalindurit.

“Ne ju kemi mundësuar një trajtim të shpejtë, një evidentim të shpejtë të asaj diagnoze dhe sigurisht që do të ketë impakt edhe te fëmijët por edhe të prindërit, që të ulë koston.

Sa më herët që evidentohet kjo sëmundje te fëmijët është më e lehtë për shërim por edhe për gjendjen ekonomike të familjes”, ka thënë Pacolli, raporton Ekonomia Online.

Drejtori i Shëndetësisë në komunën e Prishtinës, Arben Vitia, tha se me shërbimet e kësaj aparature do të jetë ndihmesë në shumë aspekte. Ai deklaroi se një pjesë e qytetarëve këtë ekzaminim e kanë kryer në klinika private.

“Ky aparat do të ndihmojë jashtëzakonisht shumë në shumë aspekte, përveç asaj që do të jetë shërbimi në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare duke ulur numrin e shtuar të këtyre pacientëve në QKUK.

Duhet përmendur faktin se për arsye të mungesës së një aparati të tillë në këto institucione, një pjesë e qytetarëve të Prishtinës këtë ekzaminim e kanë bërë nëpër klinika private.

Investimi i tillë në një institucion publik shëndetësor do të thotë që të gjithë qyetarët e Prishtinës pa dallim socio-ekonomik do të mund të iu drejtohen këtij institucioni”, ka deklaruar Vitia.

Ai bëri të ditur se ky shërbim është ofruar edhe më herët, veçse me aparaturë më të vjetër.

Drejtoresha e QKMF-së, Sadete Hadri, tha se numri i rasteve me këtë patologji është i madh, derisa tha se disgnostifikimi i hershëm është shumë i rëndësishëm për shërim të plotë.

“Me këtë aparaturë do të diagnostifikohet patologjia e cila është mjaft e shpesht te fëmijët në Kosovë dhe e prognoza e kësaj patologjie është plotësisht e varur prej momentin se kur diagnostifikohet, prandaj është më rëndësi të diagnostifikohet sa më herët në mënyrë që të ketë shërim të plotë”, tha Hadri.

Ndërsa Mërgim Prishtina, kryetar i “Rotary Club Prishtina”, tha se vlera e aparaturës është 9 mijë e 200 euro.

“Ne kemi marrë iniciativën dhe kemi organizuar një gala mbrëmje, falënderoj kompanitë dhe gjithë personat që kanë dhënë kontribut që kjo iniciativë të jetësohet. Po presim për listen e re të kërkesave nga komuna e Prishtinës. Është kënaqësi që kemi furnizuar me një instrument të kohës së fundit, vlera e të cilit është 9 mijë e 200 euro”, deklaroi Prishtina.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Flamurtari ka shënuar fitore në shtëpi në duel me Llapin,…