Në bisedimet me Serbinë nuk dilet me deklarime nënshtruese dhe mohuese ndaj luftës çlirimtare

05 tetor 2018 | 11:27

Akademik Rexhep Qosja ka komentuar fazën finale të bisedimeve Kosovë-Serbi.

Në profilin e vet në “Facebook”, Qosja ka porositur për dy gjëra intelektualët shqiptarë.

“Në dramën e sotme teatrore e politike mes Prishtinës e Beogradit politikanët dhe intelektualët e Kosovës dy gjëra më në fund do të duhej t’i kishin të qarta: E para, mes Prishtinës e Beogradit nuk bëhet dialog: dialogu bëhet mes dy vetëve apo grupeve për punë të ndryshme, kur e kur serioze e kur e kur joserioze. Mes Prishtinës e Beogradit ka kohë që po bëhen e do të bëhen bisedime zyrtare, politike dhe diplomatike shtetërore. Vetëm duke i quajtur këto bisedime shtetërore e jo dialog ne e ruajmë dinjitetin shtetëror të Kosovës”, ka shkruar Qosja, duke shtuar se në këto bisedime nuk duhet të dilet me deklarimet politike nënshtruese, mohuese ndaj luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“E dyta, në pazarin e sotëm të bisedimeve zyrtare, politike e diplomatike shtetërore mes Prishtinës e Beogradit nuk dilet me deklarimet politike nënshtruese, mohuese ndaj luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që ishin përmbajtje e mendimeve të kryetarit të LDK-së Ibrahim Rugova dhe argatit të tij Nexhat Daci. Historia mund të falsifikohet siç po faksifikohet sot nën dhunën e terrorin politik të oligarkëve politikë e të partive e drejtuesve të tyre, por s’mund te falsifikohet përgjithmonë”, ka shkruar akademik Rexhep Qosja.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nga: Besa Bytyqi Ora 7:30. Në oborrin e shkollës “Ismail Qemali”…