Qytetarët shprehin keqardhje dhe mllef për drenushën e plagosur që ngordhi

17 janar 2022 | 10:54

Një ose disa gjuetarë kanë plagosur dje një drenushë në malet e Kaçanikut. Regjisorja Dituri Neziraj ka njoftuar se atë e ka gjetur vëllai i saj. Ajo ka shprehur keqardhje për atë ose ata njerëz që e kanë plagosur këtë drenushë. Ja çfarë ka shkruar ajo: “A ka krijesë më të shëmtuar se njeriu? Armik më të egër të botës? Më mirë të ishim pa mend e me zemër sesa me mendje e zemër gur!

Këtë mrekulli e gjeti sot vëllai im në një fshat të Kaçanikut, të cilën e kishin plagosur gjuetarët. Kafsha e gjorë kishte arritur të vinte afër fshatit, por pa shpresë për jetë. Vëllai është munduar që ta ndihmojë, por kishte ngordhur në duart e tij.

#njeriu?????

Njeriu, egërsira më e madhe e planetit!”, ka raportuar mbrëmë vonë gazeta “Epoka e re”.

Të shumta kanë qenë reagimet e qytetarëve pasi kanë parë videon e publikuar në gazetë. Pjesa më e madhe e tyre kanë kërkuar hetim dhe ndëshkim për atë ose ata njerëz që kanë shtënë me armë në këtë drenushë, e cila, pasi ka mbetur e plagosur dhe u është ofruar shtëpive të fshatit në qytetin e Kaçanikut, ka ngordhur pavarësisht ndihmës që ia kanë ofruar disa qytetarë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Mergim Bekteshi Janari shënon vdekjen e Profesor Avdi Kelmendit, i…