Rainer Wieland viziton UP-në

04 janar 2019 | 16:07

Zëvendëspresidenti i Parlamentit Evropian, Rainer Wieland, ka vizituar të premten Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, ku është pritur në takim nga rektori i këtij universiteti, prof. dr. Marjan Dema.

Dema u shpreh i lumtur për vizitën që Wieland ia ka bërë Universitetit të Prishtinës.

Ai i ka informuar vizitorët për rëndësinë dhe progresin që ka shënuar UP-ja, duke theksuar që Universiteti i Prishtinës dhe rrugëtimi i tij janë storie suksesi.

“Ne kemi bërë progres në disa fusha por, mbi të gjitha, kemi krijuar standarde të aplikueshme në mënyrë të barabartë për të gjithë”, ka thënë Dema në këtë takim, duke potencuar faktin që UP-ja është në proces të transformimit të tij.

Në anën tjetër, zëvendëspresidenti Wieland e ka falënderuar rektorin Dema për pritjen, duke pohuar se është shumë i lumtur, për faktin që krijimi i standardeve zuri vend në fjalën prezantuese të rektorit Dema.

“Prodhoni studentë për t’u punësuar, prodhoni studentë të gatshëm për jetë si dhe të vullnetshëm për të kontribuuar dhe prosperuar”, ishte porosia e Wielandit për menaxhmentin e universitetit.

Zëvendëspresidenti Wieland e ka vizituar Fakultetin Juridik, ku ligjëroi para studentëve të UP-së me temën “Bashkimi Evropian – dje, sot, nesër”.

Ligjërata u pasua me diskutim të hapur me studentë për çështje me interes për vendin.

Wieland, përveç funksionit si zëvendëspresident në Parlamentin Evropian, ka përvojë të gjerë në fushën e ligjit, teksa është edhe anëtar i Komitetit të Peticioneve.

Rektori i UP-së, Marjan Dema Dema, në këtë takim ishte i shoqëruar nga prorektori për bashkëpunim ndërkombëtar, prof. ass. dr. Dashamir Berxulli, prorektorja për zhvillim dhe cilësi, prof. asoc. dr. Merita Kocinaj-Berisha, dekani i Fakultetit Juridik, prof. dr. Haxhi Gashi, sekretari i UP-së, Esat Kelmendi, si dhe këshilltari juridik, prof. Flamur Hyseni.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
KB Rahoveci ka arritur marrëveshje për transferimin e basketbollistit Fisnik…