Raka tregon kriteret që duhet ndjekur për lehtësimin e masave kufizuese

25 prill 2020 | 17:48

Mikrobiologu, Lul Raka, nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, ka treguar disa kritere që duhet ndjekur për të vlerësuar nëse ka ardhur koha për të filluar lehtësimin e masave në raste të pandemive.

Kriteret epidemiologjike, që tregojnë se përhapja e sëmundjes është zvogëluar dhe stabilizuar për një periudhë të qëndrueshme kohore, shkruan Raka, mund të jenë ulja e vazhdueshme e numrit të infeksioneve të reja, pranimit të pacientëve në spital dhe pacientëve në kujdesin intensiv.

Sipas tij kapaciteti i duhur për monitorim, përfshirë kapacitetin e testimit në shkallë të gjerë për të zbuluar dhe monitoruar përhapjen e virusit, po ashtu thotë Raka, është një nga kriteret, që duhet vlerësuar para se të ndërmerren veprime për lehtësimin e masave kundër koronavirusit.

“Lehtësimi i masave do të jetë gradual dhe të bëhet në etapa të ndryshme, duke lënë kohë të mjaftueshme ndërmjet etapave. Masat e përgjithshme duhet të zëvendësohen në mënyrë progresive me masat e shënjestruara. Grupet më të rrezikuara të popullatës duhet të mbrohen në periudhë më të gjatë kohore. Të moshuarit dhe personat që vuajnë nga sëmundjet kronike janë më të rrezikuarit”, ka shkruar mikrobiologu Raka në “Facebook”.

Sipas të dhënave të Institutit të Shëndetësisë Publike në Kosovë nga data 8 shkurt deri më 24 prill 2020 janë testuar gjithsej 5,890 mostra të dyshimta me koronavirusin e ri dhe prej tyre 703 raste janë konfirmuara pozitivë, 19 pacientë kanë vdekur, ndërsa 162 janë shëruar.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shef i Grupit Parlamentar të Nismës Socialdemokrate, Haxhi Shala, tha…