Rama dhe Ramushi

21 janar 2020 | 18:29

Nga Bedri Islami

Tashmë dihet nga të gjithë, se kryeministri i shtetit shqiptar, Rama, ka hedhur në gjyq, akuzuar për shpifje, shefin në largim të Qeverisë së Kosovës, zotin Haradinaj. Një gjë e tillë ndodh për herë të parë dhe as që ishte menduar më herët se do të mund të ndodhte. Përplasja mes dy njerëzve, që deri para pak muajve shtrëngonin duart mbi flamur dhe besatonin me njëritjetrin, në mos qoftë e pazakontë, të paktën është komike.

Sipas akuzës së shefit të qeverisë shqiptare, Rama, gjithçka që ka lindur në konfliktin mes tyre ka të bëjë me deklaratat e mikut të tij të dikurshëm lidhur me lëvizjen e kufijve, ku njëri, Haradinaj, mburret se ishte ai dhe vetëm ai që e shpëtoi Kosovën, pikërisht nga Rama dhe Thaçi, të cilët, gjithnjë sipas shefit në largim të Qeverisë Kosovës, ishin bërë gati të nënshkruanin një akt tradhtie, ndërse tjetri, Rama, deklaron se e gjithë kjo është, thjesht, një shpifje që duhet dënuar. Miku i tij në Prishtinë, presidenti i Kosovës, si duket nuk ia vënë veshin kësaj akuze, ndoshta nga që shpeshherë është akuzuar për këtë “lloj tradhtie”, saqë e di se asgjë nuk ka vlerë.

A ka të drejtë në akuzën e tij shefi i Qeverisë së Kosovës? Me siguri që jo. Edhe ai vetë e di se e gjithë kjo akuzë, më shumë sesa bindje e tij, është rrjedhë e miqësive të tashme politike, të cilët, duke e ditur sinqeritetin e tij politik, e kanë më të lehtë ta sulmojnë rivalin e tyre në Tiranë përmes një figure të njohur të luftës sesa vetë drejtpërsëdrejti, ndoshta ngaqë mëkati i tyre në çështjen kombëtare është i ndjeshëm.

Edi Rama, jo pak herë, nga forca të ndryshme të politikës në Kosovë, është akuzuar për braktisje të çështjes së tyre, edhe kur, në fakt, ai duhej duartrokitur dhe mbështetur. Megjithatë, ai asnjëherë nuk ka ndërmarrë një hap të tillë, butaforie në vetvete dhe i pakuptimtë në zgjidhjen e tij. Si duket, edhe ai akuzën ndaj ishmikut të vet e bëri më shumë për t’i goditur rivalët e tij, të njohur si mbështetësit e shefit në largim të Qeverisë së Kosovës.

Më shumë se gjithçka, qoftë goditja pa sens e Haradinajt, qoftë akuza e tashme e Ramës, kanë të bëjnë me atë që ndodh në Shqipëri, më shumë se atë që ndodh në Prishtinë. Si në një lojë luftërash, dy liderët qeveritarë kanë ndërruar fushat dhe po bëhen gati t’i përvjelin mëngët. Gjithkush të jetë i bindur, asnjëri nuk do të jetë humbës dhe asnjëri nuk do të jetë i fituar.

Përse e akuzoi Haradinaj shefin e qeverisë shqiptare? Përse shefi i qeverisë shqiptare fillon një padi penale ndaj shefit të Qeverisë së Kosovës?

Haradinaj, duan apo nuk duan në Tiranë, ka qenë një ndër drejtuesit më të shquar të luftës në Kosovë dhe, për më tepër, një ndër përgatitësit e saj kryesorë. Pa dyshim, ka qenë më i njohuri ndër të gjithë komandantët e zonave dhe, po ashtu, pa dyshim, në zonën më të vështirë, mbyllja e së cilës do të ishte fatale për të ardhmen. Jo më kot aty u dërguan disa farkistë, sipas një marrëveshje ende të mjegullt, të cilët synuan pikërisht këtë: largimin e Haradinajt nga drejtimi i Zonës Operative të Dukagjinit dhe vendosjen aty të disfatistëve, të cilët pastaj ia mbathën dhe u bënë pjesë e grushtit të shtetit të shtatorit të vitit 1998. Për qëndrimin e Haradinajt në luftë është e tepërt të flitet.Ai ka qenë një ndër komandantët më të shquar të zonave operative, në mos më i shquari, dhe debati për rolin e tij në luftë nuk ka të bëjë me përplasjen e tashme.

Çfarë mund të synohet të arrihet përmes një gjyqi, i cili, më shumë se një përplasje mes dy shefave, do të jetë një grindje politike e cila jo vetëm nuk do të mund ta qartësojë rrjedhën e ngjarjeve, por edhe nuk do të ketë një përcaktim përfundimtar, pasi vetë shpjegimi i gjërave gjithnjë do të jetë i njëanshëm. Përzierja në këtë përplasje e liderëve të opozitës në Shqipëri, duke u bërë palë me kundërshtarët e Ramës, jo vetëm nuk qartëson gjë, por e bën edhe më të dukshme karrocatën politike të gjithë kësaj përplasje, që frymëzimin e ka në zyrat presidenciale apo opozitare, vazhdon si rrjedhë e asaj që ndodh në Prishtinë dhe përplaset në një mjegull, ku asgjë nuk është e qartë.

Edi Ramën e kanë akuzuar për tradhti, për braktisje të idesë së kombit, shitje të interesave kombëtare jo pak herë edhe liderët e opozitës. Edhe tani, në diskurset e tyre të fundit, ata e bëjnë këtë. E bëjnë më me pasion sesa e bëri Haradinaj, i cili ra në një lojë naive të politikës së Tiranës dhe u fut në një rrjedhë që nuk e kishte menduar.

Rama, si shef i qeverisë, ka dërguar në gjyqet e Tiranës rivalët e tij opozitarë, e ka bërë këtë me zell, me pasion, me dëshirë të madhe dhe kjo është e drejta e tij. Por i ka dërguar për shpifje të vogla, gjithnjë sipas perceptimit të saj dhe asnjëherë nuk i ka dërguar për atë që është më thelbësore në jetën e një njeriu të politikës, besnikërinë ndaj kombit. Megjithëse është e ditur se ata që po e akuzojnë për bjerrje të vlerës kombëtare, në të shumtën janë nga ajo mori që nuk i kanë pasur kurrë këto vlera, që janë përafruar në çastet më të rënda të kombit në anën e gabuar. Përse Rama nuk i ka dërguar ato në një gjyq të hapur publik, por e përcjellë zemërimin e tij tej kufijve, kjo është, po ashtu, e drejta e tij, veçse një e drejtë që shkon ndesh me atë që vetë ka nxitur, bashkësinë jetuese.

Në raportet me Kosovën Edi Rama ka pasur çastet e tij shkëlqyese, ashtu si edhe ato humbëse; ka pasur ditët e tij të zenitit, por edhe të rënies. E vërteta është se në raportet mes Kosovës dhe Shqipërisë, e majta ka pasur gjithnjë një horizont më të gjerë, më reflektues, ka qenë më e hapur dhe ka nxitur gjithnjë krijimin e urave të përbashkëta, edhe kur ato nuk janë pritur dhe janë cilësuar, ose të parakohshme, ose jo të drejta; ndryshe nga rivalët e tyre në Shqipëri, e majta e dikurshme nuk ishte kurrë në idenë paternaliste ndaj politikës në Kosovë dhe nuk luajti kurrë me ndjenjën e pushtetit.

Tani ndodh ndryshe: për herë të parë, e majta, përmes Rilindjes, fillon e humbet rolin e saj afirmues, nxitës dhe krijuese e urave dhe vizioneve të përbashkëta. Ajo nga kujdesi për të mos qenë paternaliste është kthyer në refuzuese dhe larguese; në politikën e saj kanë zënë vend shpërthimet e rastit politik, si është i quajturi “minishengen” që, në fakt, nëse do të vazhdojë me këtë platformë dhe këta aktorë, do të jetë në dëm të së përbashkëtës dhe do ta humbë qëllimin që mund të jetë në koka të veçanta.

Jo një herë, nisur nga një mendësi zotëruese, por e panevojshme, ai, shefi i qeverisë shqiptare, nuk e ka menduar pasojën e veprimit të vet dhe, i bindur se vetëm e vërteta e tij është e drejtë, ka shkuar në të kundërtën e asaj që kanë shkuar rivalët e tij; nga paternalizmi në mënjanim; nga ideja e bashkëpunimit në krijimin e dy domeneve politikë që nuk kanë lidhje njëri me tjetrin; nga krijimi i raporteve të njëmendta dhe të njënjëshme me të gjithë faktorët politikë në Kosovë, në përzgjedhjen e tyre; nga politika pragmatiste e përbashkësie në krijimin e një ndarje vizionesh, sikur të ishte fjala për dy qasje të ndryshme.

Megjithëse është e drejta e tij t’i përzgjedhë këshilltarët e ministrat, njerëzit me të cilët rrethohet dhe që krijojnë stafin e tij të gjerë apo të ngushtë, qofshin nga Kosova apo viset e tjera shqiptare, shefi i qeverisë shqiptare kurdoherë nuk mund tashkëpusë përzgjedhjen e tij nga ajo që do të vlerësohet nga njerëzit. Si edhe pararendësit e tij kryeqeveritarë, edhe për Ramën ka qenë më e lehtë të mbledhë rreth vetes figura, të cilat, për vetë të shkuarën e tyre, disa herë haptas në dobi të shërbimit të fshehtë serb apo paraardhësit e tyre të kenë qenë funksionarë të lartë të regjimit shtypës në Kosovë dhe kjo ka krijuar një zbrati rreth tij dhe figurës së tij.

Nëse Berisha e konceptonte Prishtinën si domenin e vet, që mund ta përdorte për lojërat e rënda politike, Rama nuk mund të shkojë në të kundërtën, në mohimin e saj.

Nëse Berisha e përdori embargon ndërkombëtare për ta bërë tregtinë e zezë të karburanteve dhe armëve, dhe ky është akti më i rëndë politik në jetën e tij, Rama nuk duhet të shkojë në krahun tjetër: t’u hapë të gjitha dyert prodhimeve të skaduara serbe, të cilat dëmtojnë jo vetëm ekonominë shqiptare dhe biznesin shqiptar, por edhe shëndetin njerëzor.

Të jesh në gjyq me njeriun tënd, që deri para kohe e quaje vëlla dhe, nga ana tjetër, të përqafohesh dhe të bësh kauzë të përbashkët me ata që deri dje i kanë vrarë njerëzit tuaj e ende nuk kërkojnë faljen e parë, edhe kjo nuk është kombëtare.

Një tryezë e përbashkët “minishengeniste”, ende e pasqaruar si duhet, e dyshimtë dhe përjashtuese, po ashtu, nuk është në dobi të shqiptarëve.

Shefi i qeverisë shqiptare dhe shefi në largim i Qeverisë së Kosovës, para se të hedhin bomba ndaj njëritjetrit, le ta lexojnë verdiktin e popullit, që në një masë të madhe është për bashkimin e kombit, si aspiratë, si mundësi dhe si kërkesë.

Për to, e jo vetëm për këto që qeverisin sot, më mirë është të jesh i pari në katund sesa i dyti në qytet… pasi, qoftë fshatin këndej e qoftë fshatin andej, i konsiderojnë si domenet e pasurisë së tyre.

Nëse është i vërtetë fakti se rruga e Kosovës drejt BE-së duhet të kalojë përmes shtetit shqiptar, po aq e vërtetë është edhe se rruga e Shqipërisë drejt krijimit të raporteve të reja me shtetin serb duhet, domosdo, të kalojë edhe përmes Prishtinës.

Fakti që Albin Kurti bën gabimin e tij historik politik, duke krijuar rreth bashkues me kundërshtarët e Ramës, si kundërvënie të miqësisë së këtij të fundit me presidentin e Kosovës, nuk duhet gjetur si alibi për të krijuar edhe më tej vijën ndarëse dhe, për ta bërë atë sa më të dukshme dhe të thelluar, të nisë stina e gjyqeve, për gjëra që mund të zgjidhen lehtësisht brenda mureve, edhe ashtu të hekurta, të politikës shqiptare.

gjashtë vjetët e fundit janë bërë disa takime mes shtabeve qeveritare Tiranë Prishtinë, por është e mundur që më shumë kanë kushtuar financiarisht këto mbledhje dhe takime, lojëra basketbolli dhe udhëtime sesa ka qenë dobia e tyre.

Fakti që shteti shqiptar ka mbi vete një përvojë shumë më të gjerë sesa shteti i ri i Kosovës nuk e bënte parin të jetë dominues ndaj të dytit. Aftësia shtetformuese shqiptare është ende në zanafillën e saj dhe kjo është e vlefshme në të dyja anët e kufirit shtetëror, i cili nuk është edhe kufi mentaliteti.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kolegji ISPE përmes një komunikate për media u është bashkuar…