Rama e dërgon Metën në Gjykatën Kushtetuese

11 nëntor 2018 | 15:34

Krahas informacionit që kryeministri Edi Rama do t’i japë presidentit Ilir Meta të hënën për Sandër Lleshajn, socialistët kanë vendosur që në të njëjtën ditë t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese, duke i kërkuar që të interpretojë nëse kreu i shtetit ka të drejtë të mos dekretoje një ministër.

Kërkesa për intepretimin e Kushtetutës është paralajmëruar pak ditë më parë edhe nga vetë Edi Rama, i cili ka vlerësuar se është e nevojshme që të shmangen precedentët me presidentët e tjerë, pasi, siç ka thënë ai, me Ilir Metën është i bindur se do të kuptohen.

Me dy anëtar, praktikisht Gjykata Kushtetuese është jashtë loje, por kryeministri ka bërë të qartë se nuk e ka me ngut dhe se përgjigjen e pret kur gjykata të jetë funksionale, me qëllim që rasti Lleshaj të mos përsëritet në të ardhmen.

Por, në debatin e hapur nëse një president ka të drejtë të refuzojë propozimin e Kryeministrit për një anëtar kabineti, qëndrimet janë të ndryshme. Alfred Moisu, i cili si president ka pasur jo pak herë rezerva për propozimet që i vinin nga kryeministrat e kohës, Nano dhe Berisha, këshillon që Rama dhe Meta të ulen e të bisedojnë për të shmangur krizat.

Një ditë më parë, presidenti kishte lajmëruar se po e merr në konsideratë kandidaturën e Sandër Lleshit, që fillimisht nuk e bindi. Në lojë Ilir Meta e ka futur edhe kryetarin e Kuvendit, i cili duket se është në rolin e ndërmjetësit, ndërsa kryeministri përshëndeti kthesën e presidentit. (TCh)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka mirëpritur rreth 70 liderë…