Rama i drejtohet Trumpit në Uashington për çështjen e ish-drejtuesve të UÇK-së: Të veprojmë para se të ndodhin gjëra të këqija
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka shfrytëzuar takimin e parë të Bordit të Paqes për t’i kërkuar presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, që të ndërmarrë hapa lidhur me procesin në Gjykatën Speciale në Hagë.
Në fjalën e tij, Rama tha se gjatë mandatit të parë të Trump, SHBA-ja kishte arritur ta afronte Kosovën dhe Serbinë drejt një marrëveshjeje paqeje si asnjëherë më parë.
Ai pretendoi se presidenti i atëhershëm i Kosovës ishte ndaluar të udhëtonte drejt Shtëpisë së Bardhë për të nënshkruar marrëveshjen, duke e lidhur këtë me veprimet e prokurorit Jack Smith.
Rama u ndal veçanërisht te rasti i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, i cili po gjykohet në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.
Sipas tij, Thaçi ka kaluar gjashtë vite në paraburgim, ndërsa kërkesa e Prokurorisë për dënimin e tij me 45 vjet burgim ka shkaktuar “valë shoku”.
“Sot, presidenti i Kosovës tani ka shpenzuar gjashtë vite në paraburgim në Gjykatën Speciale në Hagë, sponsorizuar nga disa shtete demokratike… që duhet të jenë të turpëruara nga ai lloj i drejtësisë ndërkombëtare”, tha Rama.



