Rama: Kanabisin do ta legalizojmë, ndoshta edhe për përdorim personal

01 korrik 2022 | 15:12

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se legalizimi i kanabisit mjekësor do të bëhet, pasi kështu kanë dashur shqiptarët që janë pyetur në këshillimin kombëtar.

Në përgjigje të pyetjes së gazetares së “Abc News”, Rama nuk ka kursyer ironinë me opozitën, për të cilën ka thënë se nuk ekziston.

Rama është pyetur se kush do të mbajë përgjegjësi nëse vendi kanabizohet me legalizimin e kanabisit, siç kanë qenë edhe akuzat e fundit të opozitës, ai ka thënë se do të pyesin sërish nëse do të bëhet edhe legalizimi për përdorim personal.

“Ka opozitë akoma këtu? Sa mirë do ishte të kishte opozitë, por nuk ka. Opozita e vetme e kualifikueshme si e tillë e jona jemi ne vetë. Sikur opozita e tërë, që quhet opozitë, të kishte gjysmën e energjisë dhe çerekun e vullnetit mund të merrte një licencë kualifikimi si opozitë. Shikoje se ça thonë. Ajo që unë po them, që për legalizimin e kanabisit mjekësor ne jemi konsultuar me shqiptarët në këshillimin kombëtar. Legalizimi i kanabisit do bëhet. Do pyesim dhe a doni të legalizohet përdorimi personal i kanabisit apo duhet të vazhdojë të jetë krim që dënohet. Do t’i pyesim, nëse do thonë po do e bëjmë sepse kemi një dilemë për këtë gjë. Po t’ju hap mendjen dhe zemrën jam i dyjëzuar në këtë pikë. Prandaj është këshillimi kombëtar. Amnistinë fiskale e njëjta gjë, shqiptarët kanë thënë masivisht po. Nuk kemi pse hyjmë në këto spirale helmi, çdo gjë që bën njeriu ka të mirat dhe të metat, s’mund të rrimë pa bërë asgjë që mos të marrim baltë dhe akuza. Siç thoshte edhe Loro Boriçi: ‘Shiu ka punën e vet, ne kemi punën tonë’”, ka thënë  Rama.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kosova e ka siguruar edhe medalja e gjashtë në Lojërat…