Rama për kaosin në komunikacion: Po bëjmë testime për të parë ku janë problemet

28 tetor 2022 | 14:21

Testimi i sotëm i unazës qendrore në kryeqytet ka shkaktuar një tollovi të madhe dhe radhë të gjata të automjeteve. Qytetarët ishin të revoltuar nga pritjet dhe kolonat e gjata, por këto kolonat i ka provuar edhe vet kryetari i Prishtinës, Përparim Rama.

Rama ka deklaruar se ky testim i sotshëm për dallim të herëve të kaluara që është bërë gjatë vikendit, ka ndodhur për shkak që të premteve kryeqyteti është më i ngarkuar me vetura, andaj ka qenë i nevojshëm për të shikuar dhe kuptuar problemet në komunikacionin e Prishtinës.

“Kemi bërë dhe teste të mëparshme gjatë vikendit për ta testuar qendrën, propozimet të cilat kanë ardhur si pjesë e testimeve për mobiliet, si pjesë e planit për testimin e mobilitetit ku e kemi bërë testimin të shtunën dhe të dielën. Faktikisht e kemi bërë për dy javë, ku para se të merret vendimi duhet që të testohet edhe gjatë javës. Kjo na tregon pikat e ndryshme që krijojnë probleme, pikat që duhet të ndryshohen për t’u transformuar dhe për të krijuar një komunikim më të lirshëm për kryeqytetin. Për këtë arsye, normal që është dashur të testohet edhe gjatë javës. Gjatë ditës së sotme, e premtja që shumë herë është më e ngarkuara për ta shikuar ku kemi pasur probleme më të shumta. Sot  kemi informata të shumta prej të gjitha pikave të kryeqytetit. Jemi duke ‘incizuar’ edhe me dron dhe kemi edhe ekipe në terren duke marrë informata se si po ecë trafiku dhe ku janë problemet”,  ka thënë ai.

Sipas Ramës, testimet nëpër rrugë duhet të bëhen për të kuptuar saktë problemet që janë në komunikacion.

Ai ka përmendur edhe projektet për rrugën “A”, ku në fund do të bëjnë një raport përfundimtar për këtë testim.

“Ne duhet të bëjmë testimet përveç atyre që i kemi bërë në aspektin e kompjuterëve, duhet të bëhen edhe në terren sepse kemi një numër të madh për t’i ditur dhe nga ku po vjen trafiku. Sot kemi informata të sakta se ku janë problemet prej nga po krijohen problemet në mënyrë që të kemi këtë informatë për përmirësimin e gjendjes në trafik. Kemi paralelisht dhe projekte që janë më se të nevojshme në rrugën ‘A’, rrugën ‘B’ që është e ndërlidhur me rrugën ‘A’. Po ashtu edhe unazën e mesme që është pjesë e procesit për transformim të kryeqytetit. Ekipet janë në terren, normal që do të vijmë me një raport final në fund të eksperimentimit”, ka thënë Rama.

Më tutje, Rama ka thënë se është normale që në fillim të këtij testimit të ketë kolona, por sipas tij, qytetarët duhet të presin dhe më pas do t’i shohin ndryshimet pozitive që do të bëhen me këtë testim të rrugës njëkahore.

Po ashtu, Rama ka treguar se e kishte përjetuar edhe vet trafikun dhe sipas tij nuk e kishte problem sepse ditën e nis në ora shtatë. Gjithashtu, ai ka thënë se problem të madh kanë pasur ata që kanë punën në ora tetë sepse atëherë ka qenë kolona më e madhe.

“Zakonisht fillojë në orën shtatë, kështu që për mua nuk ishte problem, por po e shoh që nga ora tetë kur i kemi të gjitha qytetarët që shkojnë në punë apo i dërgojnë fëmijët nëpër shkolla, është ajo kohë që ka shkaktuar tollovinë më të madhe. Kur erdha këtu vetëm desha ta provojë. Në orën 10 ishte liruar, mirëpo janë dy pika kyçe atje te lidhja me ‘Santen’, e cila është problematike për arsye që ndërlidhet trafiku njëkahor dhe dykahor edhe janë pikat tjera që tashmë jemi në analizë e sipër për të parë se ku po shkaktohet problemi me trafiku”, ka thënë Rama.

Ky testim i Ramës është kritikuar edhe nga përfaqësuesit e partive politike, sidomos nga ata të Vetëvendosjes dhe PDK-së.

Edhe gjatë muajit prill dhe maj gjatë ditëve të vikendit është bërë një testim i tillë i qarkores njëkahore në Prishtinë.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Laura Fazliu po vazhdon me paraqitje të mira në Kampionatin…