Rama takohet me Zelenskyn në Moldavi, ja për çfarë biseduan

01 qershor 2023 | 15:30

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, bashkë me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski janë takuar të enjten  me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, gjatë vizitës në Samitin e Komunitetit Politik Evropian, që po mbahet në Moldavi.

“Maqedonia e Veriut dënoi agresionin brutal ushtarak që Rusia po kryen kundër Ukrainës së pavarur dhe sovrane. Ne mbështesim sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës dhe të drejtën e saj për të përcaktuar rrugën e vet. Ne kemi ofruar dhe do të vazhdojmë të ofrojmë mbështetje në çdo formë që Ukrainës i nevojitet”, ka theksuar Kovaçevski.

Ndërsa presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, përmes një postimi në “Twitter” ka falënderuar kryeministrin e Shqipërisë dhe atë të Maqedonisë së Veriut për vendosjen e sanksioneve kundër Rusisë.

“Në Moldavi, në margjinat e samitit të dytë të Komunitetit Politik Evropian, u takova me kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, Edi Rama dhe kryeministrin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski. Falënderova liderët për mbështetjen e vazhdueshme gjithëpërfshirëse të Ukrainës dhe ndihmën praktike në luftën kundër agresionit rus, veçanërisht për pranimin e vendeve të Ballkanit në të gjitha paketat e sanksioneve të BE-së kundër Rusisë”, ka shkruar Zelensky.

Me Zelenskyn është takuar edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila ia ka shprehur solidaritetin të plotë presidentit të Ukrainës.

“Askush nuk e kupton dhimbjen, luftën dhe qëndrueshmërinë e Ukrainës më mirë se populli i Kosovës. Asgjë nuk mund ta pengojë vullnetin e një populli për të qenë i lirë”, ka shkruar Osmani në “Twitter”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Policia e Kosovës ka njoftuar se dy qytetarë shqiptarë janë…