Ramadani: Askush s’mund ta ndalë transformimin e FSK-së

16 nëntor 2018 | 14:19

Zëvendësministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), Burim Ramadani, ka thënë  se paraqitja e hapur dhe e drejtpërdrejtë në Këshillin e Sigurisë së OKB-së për mbështetje të procesit legjitim dhe gradual të transformimit të FSK-së ka qenë dhe mbetet politikë e vazhdueshme amerikane.

Ai ka thënë se Kosova është e bekuar me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Ramadani ka bërë me dije se për këtë proces edhe angazhimi me NATO-n është i përditshëm dhe komunikimi me strukturat e NATO-s, në Bruksel dhe në Prishtinë, është i vazhdueshëm.

Ai ka theksuar se anëtarësimi në NATO është objektiv kombëtar i Kosovës. “Prania e NATO-s në Kosovë, qoftë përmes NALT-it, qoftë përmes KFOR-it, është e mirëseardhur për tërë jetën. Kosova nuk ka asnjë plan për ta zëvendësuar praninë e NATO-s dhe të KFOR-it. Përkundrazi, besoj se ndërtimi dhe konsolidimi i arkitekturës së sigurisë kombëtare të Kosovës, përfshirë këtu edhe tranzicionin e FSK-së, paraqet një partneritet më të thelluar. Tekefundit, rruga për anëtarësim në NATO është objektiv kombëtar i Kosovës”, është shprehur Ramadani.

Ai ka bërë me dije se brenda këtij viti do të nisë procesi i transformimit të FSK-së. Në këtë kontekst, Ramadani ka paralajmëruar se së shpejti do të miratohen dhe do të hyjnë në fuqi tri projektligjet përmes të cilave Kosova do të bëhet me ushtri.

Sipas tij, askush nuk do të mund ta ndalë transformimin e FSK-së. Ramadani ka theksuar se është e gabueshme kushdo që mendon se nëpërmjet presioneve dhe kërcënimeve mund ta pengojë këtë proces.

Megjithëse emri mbetet i njëjti, ai ka thënë se mandati, misioni, detyrat dhe përgjegjësitë e FSK-së do të jenë ushtarake dhe mbrojtëse.

Zëvendësministri Ramadani ka treguar se operimi i FSK-së do të bazohet mbi nevojat dhe kërkesat e sigurisë në tërë territorin e Kosovës. Ai ka bërë me dije se Kosova ka kapacitete për këtë proces dhe, sipas Ramadanit, buxheti për FSK-në do të rritet gradualisht.

“Epoka e re”: Z. Ramadani, të mërkurën Kosova ka marrë mbështetje të fuqishme nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për procesin e transformimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri. Tani do të ketë dinamikë të re në këtë proces, pra Kuvendi pritet t’i aprovojë edhe në leximin e dytë tri projektligjet e nevojshme që Kosova të bëhet me ushtri.
Ramadani: Mbështetja amerikane është vazhdimësi, është bekim. Sigurisht, Kosova është me fat që ka partneritet të thelluar me ShBA-në. Sidoqoftë, po flasim për një proces të koordinuar mirë në të gjitha etapat e tij. Me të gjithë partnerët strategjikë që në numër janë të shumtë dhe në përmbajtje janë demokratikë. Një angazhim metodik dhe sistematik për ta treguar storien e vërtetë të Kosovës dhe për t’i mënjanuar konfuzionet që janë ndërtuar kryesisht për shkak të propagandës dashakeqëse dhe armiqësore. Rruga për tranzicionin e FSK-së nuk është ndërtuar dhe as dinamizuar dje. Në fakt, paraqitja e hapur dhe direkte në Këshillin e Sigurisë së OKB-së për mbështetje të procesit legjitim dhe gradual të tranzicionit të FSK-së ka qenë dhe mbetet politikë e vazhdueshme amerikane. Ne kemi punuar vazhdimisht gjatë vitit 2018 në një qasje të përbashkët me partnerët strategjikë, duke përfshirë këtu komunikimin e detajuar të brendshëm dhe të jashtëm. Përpjekjet e suksesshme të FSK-së në integrimin e komuniteteve pakicë, sikurse edhe kredibiliteti, profesionalizmi dhe gjithëpërfshirja që ka zhvilluar FSK-ja, është thelbi i këtij procesi. Në aspektin politik dhe qeveritar, dinamizimi i përpjekjeve, angazhimit, sikurse edhe plani i saktë i dokumentimit, informimit dhe koordinimit me partnerët strategjikë ka dëshmuar të rezultojë në sukses të plotë. Vendet e tjera strategjike mbështetëse të Kosovës janë të shumta dhe roli i secilit partner mbështetës, sidomos Gjermanisë, Mbretërisë së Bashkuar, Italisë, Francës, Shqipërisë, Kroacisë, Malit të Zi, Sllovenisë, Turqisë, Bullgarisë, vendeve baltike, vendeve skandinave, Kanadasë, vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore, e shumë e shumë vendeve tjera të cilat vazhdimisht kanë mbështetur Kosovën dhe janë shtete anëtare të NATO-s.

“Epoka e re”: Është arritur përkrahja edhe nga NATO dhe a ka bashkëpunim e koordinim me partnerët strategjikë?
Ramadani: Angazhimi me NATO-n është i përditshëm dhe komunikimi me strukturat e NATO-s, në Bruksel dhe në Prishtinë, është i vazhdueshëm. Ne kemi pasur mundësinë të realizojmë edhe brifingun informues në selinë qendrore të NATO-s, disa javë më parë. Por, angazhimi i përbashkët është aspekt i punës ditore. Prania e NATO-s në Kosovë, qoftë përmes NALT-it, qoftë përmes KFOR-it, është e mirëseardhur për tërë jetën. Kosova nuk ka asnjë plan për ta zëvendësuar praninë e NATO-s dhe të KFOR-it. Përkundrazi, besoj se ndërtimi dhe konsolidimi i arkitekturës së sigurisë kombëtare të Kosovës, përfshirë këtu edhe tranzicionin e FSK-së, paraqet një partneritet më të thelluar. Tekefundit, rruga për anëtarësim në NATO është objektiv kombëtar i Kosovës.

 “Epoka e re”: Cili është dallimi i krijimit të ushtrisë së Kosovës përmes ndryshimeve kushtetuese dhe krijimi i ushtrisë përmes ligjeve, sepse ka pasur reagime të ndryshme?
Ramadani: Ne jemi përpjekur vazhdimisht që të arrijmë ndryshime kushtetuese si një sukses i përbashkët politik i të gjithëve në Kosovë. Por se vetoja nga jashtë nuk ka qenë e pranueshme as në fillim të procesit dhe as tash afër përfundimit të vendimmarrjes në Kuvend. Sigurisht, përmbajtja e ligjeve është kushtetuese dhe, si të tilla, ato nuk kanë asnjë kufizim. Megjithëse emri FSK mbetet i njëjti, mandati, misioni, detyrat dhe përgjegjësitë e FSK-së marrin kornizë të plotë ushtarake dhe mbrojtëse. Ministria e FSK-së kthehet në Ministri të Mbrojtjes, e cila do të jetë përgjegjëse për planifikimin dhe implementimin e politikave të mbrojtjes së Republikës së Kosovës. Thjesht, ndryshimi i vetëm mes këtyre dy opsioneve është se mbetet emri i njëjtë.

“Epoka e re”: A pritet që brenda këtij viti të finalizohet procesi, pra të kryhen procedurat e nevojshme, sepse është përmendur që në nëntor do të ketë një datë nga kur do të llogaritet të nisë procesi i transformimit të FSK-së i cili do të zgjasë 10 vjet?
Ramadani: Tashmë procesi është në procedurë të rregullt parlamentare. Më lejoni që edhe një herë t’i falënderoj deputetët e të gjitha subjekteve politike, veçanërisht komuniteteve pakicë që kanë mbështetur në mënyrë të plotë procesin. Leximi i dytë i projektligjeve dhe më pas hyrja në fuqi do të ndodhë brenda këtij viti. Ndërsa aspektet e sakta kohore janë aspekte krejtësisht parlamentare. Sidoqoftë, duhet qartësuar se me hyrjen në fuqi të këtyre ligjeve fillon një proces gradual i tranzicionit të FSK-së, që zgjat 10 vjet dhe, si i tillë, është i mjaftueshëm për të arritur kapacitetet e plota operacionale në mandatin e ri.

“Epoka e re”: A ka Kosova kapacitete buxhetore për këtë transformim të FSK-së?
Ramadani: Rritja graduale e buxhetit për FSK-në dhe programin e mbrojtjes në përgjithësi është e analizuar mirë dhe e mjaftueshme për detyrat që do të ketë FSK-ja. Sigurisht, nuk mund t’i disbalacojmë mundësitë buxhetore, prandaj rritja do të jetë graduale.

“Epoka e re”: Gjatë kësaj periudhe FSK-ja është përballur me largimin e disa pjesëtarëve nga komuniteti serb. Keni arritur ta plotësoni numrin e të larguarve, dhe kjo çështje a do të ketë ndikim në procesin e transformimit?
Ramadani: Është fatkeqësi që qytetarët e Kosovës, në këtë rast pjesëtarët serbë të FSK-së, janë përballur dhe vazhdojnë të përballen me presion dhe kërcënime të jashtme. Këto veprime janë krejtësisht të papranueshme dhe të dënueshme. FSK-ja mbetet shumetnike dhe profesionale. Për më shumë do të vazhdoj t’i inkurajoj komunitetet që të jenë pjesë e FSK-së për të shërbyer për sigurinë e të gjithë qytetarëve dhe të Kosovës. Është e qartë se ka dalë plotësisht i gabuar kushdo nga jashtë që ka menduar se nëpërmjet këtyre presioneve dhe kërcënimeve mund të pengojë tranzicionin e FSK-së. Sepse, tranzicioni po ndodh.

“Epoka e re”: A do të ketë shtrirje dhe a do të mund të veprojë FSK-ja edhe në veriun e Kosovës, sepse ka dilema nga njohës të sigurisë dhe analistë, se FSK-ja në veri nuk mund të shkojë?
Ramadani: FSK-ja është edhe sot shumetnike dhe profesionale. Shtrirja dhe operimi i saj bazohet mbi nevojat dhe kërkesat e sigurisë. I njëjti parim është në tërë territorin e Kosovës. Asgjë nuk dallon dhe as ndryshon nga rajonet e tjera. Ndërsa, sa iu përket konfuzioneve, ato duhen larguar. Kosova është një dhe e pandashme. Institucionet e sigurisë, sikurse të gjitha institucionet e tjera publike, janë pjesë e sistemit unitar.

Shqipe HETEMI

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Policia e Kosovës në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Prizren…