Ramadani dhe Muhaxheri presin paraqitje dinjitoze në Botëror

23 maj 2019 | 11:07

Përzgjedhësi i Kosovës në hendboll, Taip Ramadani, ka thënë se Përfaqësuesja U21 do të udhëtojë në Spanjë për të dëshmuar që e meriton të jetë pjesë e ngjarjes më të madhe, kampionatit botëror për juniorë. Kampionati botëror i juniorëve zhvillohet në muajin korrik, ndërsa shorti është hedhur të martën në Ponteverda, njërin prej dy qyteteve ku zhvillohet botërori i 22-të i juniorëve.

Është hera e parë që një përfaqësuese e Kosovës merr pjesë në botëror, pra hendbolli po shkruan kapitull të ri të historisë së sportit kosovar. Kosova U21 do të luajë në Grupin C së bashku me Portugalinë, Kroacinë, Hungarinë, Brazilin dhe Bahrejnin.

“E kemi pasur të qartë që në grup do t’i kemi tri ekipe të forta evropiane dhe dy ekipe të tjera sipas fatit. Portugalia në vitet e fundit ka ecur shumë para me gjenerata të reja dhe është favorite në grupin tonë. Por kuptohet që edhe Kroacia e Hungaria janë superfuqi në këtë nivel. Gjithashtu, Brazili e Bahrejni në 10 vjetët e fundit kanë prodhuar një sasi të madhe të talenteve vendorë dhe pres cilësi të lartë edhe nga këto dy ekipe kombëtare. Mirëpo duhet të kuptojmë se klasifikimet në kampionat botëror bëhen sipas cilësisë së dëshmuar nga kampionati i fundit dhe kjo nuk do të thotë se këto grupmosha mund ta përsërisin suksesin e paraardhësve të tyre”, ka thënë Ramadani, i cili ka shtuar se: “Ne ndihemi krenarë të jemi në mesin e ekipeve më të forta në botë dhe do të shkojmë me këtë mentalitet, që të dëshmojmë se e meritojmë të jemi në këtë ngjarje të madhe. Për sa kohë jemi në botëror, çdo gjë mund të ndodhë”.

Për shortin foli edhe trajneri i Përfaqësues U21, Fatmir Muhaxheri. “Grupi është i fortë, por në kampionate botërore nuk ka ekipe të lehta. Mendoj se do të përgatitemi mirë, ndërsa planin e përgatitjeve e kemi bërë tashmë. Përgatitjet fizike planifikojmë t’i fillojmë më 18 qershor dhe ato do të zgjasin deri më 26 qershor. Djemtë më pas do të kenë dy ditë pushim, para se të vazhdojmë me fazën e dytë. Faza e dytë përfundon më 3 korrik e më pas planifikojmë që fazën përfundimtare ta zhvillojmë jashtë vendit, ku do të kemi edhe ndeshje përgatitore”, ka theksuar Muhaxheri.

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, pas publikimit të…