Ramadani: Synojmë Superkupën, por fokusi kryesor është në Kupë

13 janar 2021 | 17:09

FC Prishtina është duke i vazhduar përgatitjet për stinorin pranveror. Ky klub pritet që më 19 janar të udhëtojë në Antalya të Turqisë, ku do ta zhvillojë ndeshjen e Superkupës kundër Dritës së Gjilanit më 23 janar.

Trajneri i kryeqytetasve të Kosovës, Zekirija Ramadani, ka folur për faqen zyrtare të klubit për ndeshjen e Superkupës, por edhe për ndeshjen e 1/8 së finales së Kupës që do t’i zhvillojë ndaj Dritës. Ai ka thënë se përqendrimi kryesor është në ndeshjen e Kupës, por edhe në Superkupë do të mundohen që të triumfojnë.

“Janë dy gara të ndryshme dhe patjetër që fokusi kryesor në përballje me Dritën do të jetë për Kupë. Superkupa është ndeshje prestigji dhe me siguri do të jetë ndeshja jonë e parë në fazën përgatitore. Normalisht do të provojmë atë trofe, por përqendrimi ynë maksimal është ndeshja e Kupës më 10 shkurt, sepse kuptohet është garë që na sjell Evropën dhe aty do të jetë përkushtimi ynë maksimal”, ka thënë Ramadani.

“Shorti është i rëndë, por e mira është që luajmë vendas. Drita është kampione aktuale, është kampione vjeshtore, kundërshtare e fortë dhe e respektuar, pra short i rëndë, por e mira është që luajmë si vendas, shumë më mirë se po të luanim në Gjilan”, ka shtuar Ramadani.

Trajneri foli edhe për gjendjen e futbollistëve “bardhekaltër”, ku bëri me dije se futbollistët po tregojnë karakter të lartë dhe në pranverë do të jenë në formë të lartë.

“Ekipi është mirë, nuk kemi asnjë lëndim më të vogël dhe futbollistët janë duke e dhënë maksimumin në këto kushte që i kemi dhe në këto rrethana po provojmë ta përgatisim ekipin sa më mirë që është e mundshme. Futbollistët janë duke treguar karakter në çdo seancë stërvitore, pa marrë parasysh se fusha është e mbuluar me borë dhe jam i bindur që do të jemi shumë më mirë se në stinorin vjeshtor”, ka pohuar Ramadani.

Në fund trajneri Ramadani foli edhe për përforcime, kurse bëri me dije se me gjasë nuk do të ketë përforcime të tjera, por as largime. “Më nuk do t’i lirojmë futbollistë dhe me gjasë nuk do të ketë as ardhje tjetër. Me gjithë disa kontakte, ne kemi thënë që çdo ardhje e re duhet të jetë të paktën i barabartë me cilësitë që posedojmë, ose më i mirë. Nëse nuk kanë cilësi, atëherë ne më nuk kemi nevojë për futbollist vetëm sa për numër, thjesht na duhet vetëm cilësia”, ka përfunduar Ramadani.

FC Prishtina sezonin vjeshtor e mbylli në pozitën e tretë me 32 pikë, kurse ka regjistruar 9 fitore, 5 barazime dhe 4 humbje.

(Epoka e re) 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nga Dr. Kujtim Veseli dhe Dr. Naim Mehmeti D-dimerët janë…