Rëndësia e D-dimerëve tek pacientët me Covid-19

13 janar 17:06

Nga Dr. Kujtim Veseli dhe Dr. Naim Mehmeti

D-dimerët janë proteina plazmatike të cilat tregojnë rritje të vlerave në rast të prezencës së trombëve (mpiksjes së gjakut) në enët e gjakut. Vlera të ngritura vërehen edhe në rast të inflamacioneve, infeksioneve, pas lëndimeve, pas operacioneve, tek mosha e shtyrë etj.

Prania e trombëve në arterie apo vena mund të shkaktojë bllokimin e enëve të gjakut dhe si pasojë mund të vjen deri tek çrregullimi i furnizimit të organeve me gjak. Në rast të mbylljes së arterieve kjo mund të manifestohet me simptoma si p.sh. sulm në tru (infarkt i trurit), infarkt i zemrës, pamjaftueshmëri e furnizimit me gjak të gjymtyrëve dhe organeve tjera të brendshme e njohur si iskemi.

Mpiksja (tromboza) e gjakut në venat e thella të këmbëve paraqet po ashtu një komplikim të mundshëm. Si rezultat i qarkullimit të trombëve nga venat në anën e djathtë të zemrës dhe vendosja e tyre në arteriet e mushkërive (pulmonare), mund të qojë deri tek e ashtuquajtura embolia pulmonare, e cila në disa raste mund të ketë edhe ecuri fatale.

Pacientët e infektuar me COVID-19 tek të cilët hospitalizimi është i nevojshëm, D-dimerët duhet të jenë pjesë e diagnostifikimit fillestar laboratorik. Në bazë të ecurisë klinike këto vlera duhet të kontrollohen rregullisht gjatë hospitalizimit.

Vlerat e D-dimerëve mund të jenë të ngritura në 40% – 60% të rasteve tek pacientët e hospitalizuar me COVID-19. Këto vlera mund të shoqërohen edhe me një prognozë jo të favorshme për pacientin.

Në shumë studime, tek pacientët e infektuar me COVID-19 është vërtetuar një tendencë e shtuar e mpiksjes së gjakut (trombozë/emboli), mirëpo tek këta pacientë vlerat e ngritura të D-dimerëve vijnë po ashtu si rezultat i zhvillimit të proceseve inflamatore në organizëm pa prezencën e një tromboze apo embolie.

Përmes D-dimerëve të ngritura nuk diagnostikohet tromboembolia venoze ose embolia pulmonale.

Nëse klinikisht ka dyshim, atëherë preferohet të bëhet sonografia e venave, ekokardiografia e zemrës apo CT-angiografia.

Në mungesë të kundërindikacioneve, pacientët e hospitalizuar me COVID-19 duhet të trajtohen me Heparin në dozë profilaktike standarde.

Pacientët me faktorë shtesë të rrezikut për tromboemboli venoze si p.sh. Obeziteti (BMI> 35 kg / m2), trombozë venoze paraprake, sëmundje tumorale, trombofili si dhe pacientët në kujdesin intensiv, në rast të ngritjes së vlerave së D-dimerëve (> 2-3 mg /l), nëse rreziku i gjakderdhjes është i ulët, sugjerohet trajtimi me Heparin në dozë më të intensifikuar (dozim terapeutik).

Tek pacientët me faktorë shtesë rreziku për tromboemboli venoze, sugjerohet vazhdimi i trajtimit me antikoagulans deri ne 30 dite pas hospitalizimit.

Pacientët ambulant COVID pozitiv të cilët kanë simptome të lehta dhe janë mobil, përcaktimi i D-dimerëve si dhe trajtimi me antikoagulans (t`hollues të gjakut) me doze profilaktike nuk është patjetër i nevojshëm.

 

Dr. med. Naim Mehmeti

Kryemjek udhëheqës,

Internist Angiolog

Spitali Kantonal Winterthur, Zvicër

 

Dr.med. Kujtim Veseli

Kryemjek,

Kirurg vaskular

Spitali Kantonal Winterthur, Zvicër

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
14.01.2021 Punime të domosdoshme për siguri të sistemit Mitrovicë 1.…