Ramush Haradinaj i shkon në konak familjes së Shaban dhe Bedri Shalës

02 qershor 2021 | 15:26

Me medaljen “Me besim në zot, atdhe e shtet”, lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka nderuar së fundmi familjarët e të rënëve për liri. Përveç vizitave të shumta në familjet e të rënëve për liri, së fundmi ai ka ndarë edhe medalje për ta.

Megjithatë, për vizitë Haradinaj nuk i ka shkuar familjes së gjeneralit Shaban Shala, ndonëse familjarë të tij kanë thënë se kanë një lidhje shumë të afërt me familjen Haradinaj.

Më herët, djali i gjeneralit Shala, Xheladin Shala, kishte thënë se Haradinaj po e neglizhon familjen e tij dhe se që 22 vjet nuk e ka vizituar asnjëherë.

E pak ditë pas kësaj deklarate, Haradinaj ka njoftuar për vizitën e zhvilluar në familjen e dy heronjve, Shaban dhe Bedri Shalës.

“Trimëria, guximi, vendosmëria, ndershmëria, pastërtia dhe besnikëria, janë cilësitë që i përcollën deri në frymën e fundit të dy vëllezërit heronj e gjeneralë. Kam ndarë sot, për familjen Shala, me motivacionin për kontribut në çështje kombëtare shqiptare, medaljen ‘me besim në zot, atdhe e shtet’”, shkruar Haradinaj në llogarinë e vet në “Facebook”.

Postimi i Haradinajt:

Në familjen e dy Heronjve, Shabanit e Bedriut!

Te Shalajt në Gjergjaj të Drenasit, frymon patriotizmi dhe atdhedashuria.

Evokuam kujtime me vëllain e heronjve, luftëtarin e dalluar të UÇK-së, Elmi Shala e ishte kënaqësi edhe biseda me Nënën Taibe, e cila jeton me dhembjen dhe krenarinë për djemtë e saj.

Ashtu i kujtojmë dhe ne.

Bedriun e shumë betejave deri në rënien e tij heroike në ballafaqim me armikun në mbrojtje të Junikut me 10 gusht 1998. Emri i tij u nderua nga Brigada 134 “Bedri Shala” e ZO të Dukagjinit.

Shabanin e organizimeve për liri e çlirim. Bashkëndërtuesin e tri ushtrive, UÇK-së, TMK-së e FSK-së.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Barcelona është duke punuar intensivisht për sezonin e ri. Deri…