Ramush Haradinaj: Mund ta shqyrtoj ofertën për President

14 korrik 2020 | 09:09

Ish-kryeministri i Kosovës, lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, tha se sa u përket krimeve që janë bërë në Kosovë pas luftës, ato ‘nuk janë më akuza ndaj UÇK-së, janë ndaj individëve’. Ai tha se çështja e ndarjes së Kosovës është mbyllur, pasi askush nuk ishte i zoti të siguronte ndarjen.

I pyetur nëse do e merrte në konsideratë një propozim për t’u bërë president në rast se konfirmohet aktakuza ndaj Thaçit, Haradinaj e la të hapur mundësinë që të shqyrtojë propozimin.

“Nuk është koha me qenë lakmitar, por nuk nxjerr kandidaturë. Në rast se ekziston një mundësi, dhe ma kërkojnë të marr një përgjegjësi të tillë, edhe mund ta shqyrtoj,” tha Haradinaj, në një intervistë për Syri TV.

“Unë kam pasur ballafaqimet e mia me ligjin ndërkombëtar dhe jam rast i mbyllur. Unë kam mjaft punë, Aleanca ka mjaft përgjegjësi dhe jam i kënaqur të vazhdoj kështu siç jam”, tha Haradinaj.

Gazetari Peka, që po intervistonte Haradinajn, tha se për momentin përflitet për dy kandidatura nga PDK për president. E para, Vlora Çitaku, e mbështetur nga Hashim Thaçi- ndërlidhësja me Bolton.

Propozimi i dytë është Enver Hoxhaj, një kandidaturë e mbështetur nga Rama, një njeri pranë kryeministrit shqiptar.

I pyetur se kë do të zgjidhte mes tyre, Haradinaj tha se “Nuk mund të jap përgjigje në këtë kohë sepse dua të ruaj respektin për kolegët”.

“Do ishte një spekulim i imi. Ajo që dihet është se ndarja është evituar. Pasojat i kemi sot ne që i kemi qëndruar përballë kësaj teme. U vërtetua se askush nuk është i zoti për të siguruar ndarjen”, tha ai.

Haradinaj komentoi edhe bisedën që ka pasur me John Bolton, ish-këshilltarin për sigurinë e presidentit amerikan, Donald Trump.

Në media është komentuar se biseda ka qenë e tensionuar, por Haradinaj tha se Bolton e ka dëgjuar me vëmendje.

“Unë kam mjaft miq nëpër kryeqendra, me të cilët kemi folur hapur për këtë temë. Kundërshtimi për ndarjen ka qenë real dhe mjaft serioz. Argumentet me të cilët jam prezantuar, qoftë në bisedën me John Bolton.

John Bolton është njeri që dëgjon të tjerët. Ndarja nuk ka buruar prej Uashingtonit, por vjen nga rajoni ynë. Unë kam pasur një bisedë shumë përmbajtësore, me të cilën jemi ndarë me respekt të ndërsjellë. Pra zotit Bolton i është propozuar ky projekt, por ishte i kujdesshëm për të dëgjuar çdo argument.

Më ka bërë përshtypje se ishte i kujdesshëm dhe i respektueshëm dhe më ka dhënë kohën për të paraqitur argumentet e mia. Ideja e ndarjes ka bërë shumë dëme, na ka shkaktuar shumë humbje. Por edhe ideja e aktakuzës i bën dëm Kosovës,” tha Haradinaj.

Ai tha se ka pasur disa biseda me presidentin Hashim Thaçi, përfshi një telefonatë në mëngjes sot, përpara se ai të futej për intervistim.

“Kam pasur një telefonatë sot në mëngjes me Thaçin para intervistës. Presidenti i Kosovës dhe Kosova e kanë respektuar ligjin dhe nuk i kanë ikur drejtësisë. Ky është një intervistim, ai kthehet pas intervistimit. Edhe nëse konfirmohet aktakuza, kjo nuk do të thotë se prezumon fajësinë”, tha Haradinaj.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Qeveria e Kosovës në mbledhjen e mbajtur dje mori disa…