Raporti i IKD-së: 25 kandidatë për deputetë të përfshirë në raste penale, prin LV-ja

29 maj 2026 | 12:19

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka publikuar një raport lidhur me kandidatët e certifikuar për zgjedhjet e parakohshme parlamentare, duke bërë të ditur se 25 prej tyre rezultojnë të përfshirë në raste penale.

Sipas hulumtuesit të lartë të IKD-së, Gzim Shala, në zgjedhjet e 7 qershorit do të marrin pjesë 21 subjekte politike me gjithsej 902 kandidatë të certifikuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

“Në zgjedhjet e parakohshme të 7 shkurtit do të marrin pjesë 21 subjekte politike të cilat janë çertifikuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e në të cilat bëjnë pjesë gjithsej 902 kandidatë. Nga këta 902 kandidatë, bazuar në të dhënat e Institutit të Kosovës për Drejtësi, rezulton se 25 prej tyre janë të përfshirë në raste penale. Shprehur në përqindje i bie se 2.77% e totalit të listave të kandidatëve janë persona të cilët kanë ose dënime të formës së prerë ose aktakuza aktive”, ka thënë ai.

Shala ka theksuar se nga ky numër, 25 kandidatë kanë ose aktakuza aktive ose dënime të formës së prerë nga e kaluara.

“15 prej tyre janë me aktakuza aktive, ndërkaq 13 të tjerë janë persona të cilët në të kaluarën kanë pasur dënime penale. Ndërkaq janë evidentuar edhe 3 raste, 3 kandidatë të cilët përpos aktakuzës aktive në të njëjtën kohë kanë edhe dënime penale”, ka thënë ai.

Sipas raportit, Lëvizja Vetëvendosje ka numrin më të madh të kandidatëve me probleme me ligjin, gjithsej 13 kandidatë.

“Sa i përket subjekteve politike, numrin më të madh të kandidatëve të cilët kanë probleme me ligjin e mban Lëvizja Vetëvendosje me gjithsej 13 kandidatë, që në raport me listën e përgjithshme prej 902 kandidatëve pjesëmarrja e këtij subjekti është 1.44 për qind. AAK-ja dhe Lista Serbe kanë nga 3 kandidatë të cilët kanë probleme me ligjin që përbën 0.33 për qind të listës së përgjithshme. PDK-ja me 2 kandidatë që përbën 0.22 për qind të listës së përgjithshme, ndërkaq katër subjekte të tjera kanë të përfshirë nga 1 kandidat i cili ka probleme me ligjin”, ka thënë ai.

IKD-ja ka bërë me dije se veprat penale që dominojnë janë ato që lidhen me korrupsionin zyrtar, ndërsa përdorimi i armës është vepra penale më e shpeshtë në mesin e kandidatëve të përfshirë në raste gjyqësore.

“Sa i përket kapitujve të veprave penale për të cilat ose janë dënuar ose akuzohen kandidatët në fjalë, sipas kapitujve dominojnë veprat penale të korrupsionit zyrtar, ndërkaq sipas veprave penale, vepra më e shpeshtë është vepra e përdorimit të armës”, ka thënë Shala.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kandidati i PDK-së për deputet, Qendrim Kryeziu, është shoqëruar për…