Raporti i KE-së për Kosovën: Vërejtje serioze për vettingun e nisur nga Qeveria Kurti

19 tetor 2021 | 17:32

Komisioni Evropian (KE) në raportin e fundit të vitit 2021 për Kosovën ka vlerësuar se sa i përket disa opsioneve që Qeveria Kurti ka propozuar lidhur me procesin e vetting-ut siç është rivlerësim i plotë dhe i njëhershëm i të gjithë prokurorëve dhe gjyqtarëve paraqet një burim shqetësimi serioz.

“Qeveria e re ka shqyrtuar disa opsione për një proces për ‘vetting’ të gjyqësorit dhe prokurorisë. Në këtë kontekst, prezantimi i mundshëm i një rivlerësimi të plotë të njëhershëm të të gjithë prokurorëve dhe gjyqtarëve paraqet një burim shqetësimi serioz. Një proces i tillë do të duhej të konsiderohet vetëm si një masë e jashtëzakonshme e mjetit të fundit, pasi të jenë shteruar të gjithë mjetet dhe mekanizmat ekzistues për të siguruar integritetin dhe për të luftuar korrupsionin e titullarëve të detyrave gjyqësore, dhe do të duhej të jetë në përputhje me standardet evropiane dhe ndërkombëtare, si dhe me këshillat e Komisionit të Venecias”, është në raportin e KE.

Komisioni Evropian gjithashtu ka vlerësuar se administrimi i përgjithshëm i drejtësisë vazhdon të jetë joefiçent.

“Kosova është ende në një fazë të hershme të zhvillimit të një sistemi gjyqësor që funksionin mirë. Administrimi i përgjithshëm i drejtësisë vazhdon të jetë i ngadalshëm, joefiçient dhe i prekshëm nga ndikimi i parregullt politik. Gjatë periudhës së raportimit janë shënuar disa përparime. Rishikimi Funksional i Sektorit të Sundimit të Ligjit rezultoi në një Strategji dhe Plan Veprimi për Sundimin e Ligjit, që përshkruan sfidat kryesore në sistemin e sundimit të ligjit dhe u adoptua në gusht 2021. Kosova futi në përdorim një sistem elektronik për menaxhimin e lëndëve dhe ngriti një sistem qendror të evidencave penale, megjithatë sfidat mbeten të pranishme. Kosova ka bërë përpjekje për të implementuar Ligjin për ndërmjetësimin”,është thënë në raport.

 

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Analisti politik Ilir Ibrahimi ka kritikuar ministrin e Financave, Punës…