Rashfordi dhe historia tragjike që qëndron pas dygolëshit ​​të shënuar ndaj Uellsit

30 nëntor 2022 | 16:10

Marcus Rashford shënoi dy goditje për Anglinë kundër Uellsit të martën në mbrëmje, duke e dërguar skuadrën e tij në fazën eliminatore të Kupës së Botës. Por fitorja 3-0 ishte akoma më e veçantë për yllin e “Tre Luanëve” pasi ai ia dedikoi një miku që humbi jetën vetëm disa ditë më parë. 25-vjeçari realizoi golin e parë me një goditje dënimi, kurse golin e dytë e realizoi pas një aksioni.

Ai festoi duke u ulur në gjunjë dhe duke treguar qiellin me sy të mbyllur dhe më vonë zbuloi se po i bënte homazh shokut të humbur Garfield Hayward. Duke folur pas ndeshjes, Rashford ka thënë: “Fatkeqësisht, kam humbur një nga miqtë e mi disa ditë më parë. Ai ka pasur një betejë të gjatë me kancerin, kështu që jam i kënaqur që arrita të shënoj për të. Ai ka qenë gjithmonë një mbështetës i madh. Ai ishte thjesht një person i mrekullueshëm dhe jam i kënaqur që ai erdhi në jetën time, me të vërtetë”.

Rrjetet sociale janë përmbytur me homazhe për “Garf”, të cilin miqtë e përshkruan si “një legjendë, gjithmonë”. Calder Taylor, i cili ndau një video emocionuese: “Prehu në paqe, vëllai im! Unë do të të dua gjithmonë”. Ndërsa një tjetër postoi: “Një nga njerëzit më të këndshëm që pata kënaqësinë të takoja”. Dhe “MailOnline” raporton se nipi i tij Steven ka shkruar: “Zemra ime po dhemb aq shumë duke ditur që nuk do të të shoh më në këtë jetë”. “Xha Garf, një nga njerëzit më të vërtetë që kam njohur ndonjëherë. Ti do të jesh përgjithmonë në mendimet dhe zemrën time deri në ditën që do të vdes”. Anglia ka kaluar në 1/8-at ku do të përballet të dielën me Senegalin. Rashford beson se skuadra e Gareth Southgate është mjaft e fortë për të ngritur një sfidë serioze në fazat e eliminimit. “Ndihem sikur ambicia në skuadër është vërtet e mirë. Ne kemi një përzierje të mirë cilësish. Kemi një skuadër vërtet të mirë dhe një skuadër që është padyshim e aftë të sfidojë për ta fituar turneun. Shpresoj që ne mund t’i japim vazhdimësi kësaj paraqitje, të vazhdojmë të përmirësohemi dhe të vazhdojmë të shënojmë gola dhe të tregojmë cilësitë tona”, ka deklaruar ylli i Manchester Unitedit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ronaldo Luis Nazario de Lima ka zgjedhur mes Leo Messit…