Rashit Qalaj: Rrugët në veri të hapën edhe me forcë nëse është nevoja

29 shtator 2021 | 14:26

Ish-drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, ka bërë me dije se rrugët e bllokuara në veri të vendit duhet të hapën edhe me forcë nëse është nevoja.

Në këtë intervistë dhënë gazetës “Epoka e re”, ai ka thënë se nuk duhet lejuar KFOR-in dhe askënd tjetër të ndërmjetësojë mes barrikaduesve dhe policisë për hapjen e rrugëve.

Sipas tij, hapja e rrugëve dhe zbatimi i ligjeve në vend është kompetencë vetëm e Policisë së Kosovës.

“Unë mendoj se rrugët duhet të hapen edhe me forcë nëse është e nevojshme. Nuk duhet lejuar që as KFOR-i dhe askush tjetër të negociojë apo të luaj rolin e ndërmjetësuesit në mes të barrikaduesve dhe Policisë së Kosovës në mënyrë që rrugët të hapen. Aq më pak të negociohet me KFOR-in që të hapë rrugët pasi që mandat për zbatimin e ligjeve të Kosovës ka vetëm Policia e Kosovës, ndërsa KFOR-i ka mandat vetëm të kujdeset për vijën kufitare me Serbinë”, ka thënë Qalaj.

Qalaj ka treguar se Policia e Kosovës ka kapacitete operacionale të mjaftueshme për zhbllokimin e rrugëve që të dërgojnë në pikat kufitare në Jarinjë dhe Bernjak.

Ish-drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës thotë se këto turma të qytetarëve serbë janë të organizuara nga strukturat komunale në veri dhe përfaqësuesit e Listës Serbe, në koordinim me Beogradin zyrtar.

Muhamet KOCI

“Epoka e re”: Z. Qalaj kanë kaluar më shumë se një javë kur Qeveria e Kosovës ka marrë vendim të zbatohet masa e reciprocitetit në targa ndaj Serbisë. Për sigurinë e institucioneve që do ta zbatojnë këtë vendin, qeveria ka dërguar në veri edhe njësit speciale të policisë. A ka qenë vendimi i duhur i qeverisë për t’i dërguar këto njësi atje?
Qalaj: Sot është dita e dhjetë prej kur Qeveria e Kosovës ka vendosur reciprocitetin në targa të automjeteve ndaj Serbisë. Partia Demokratike e Kosovës si gjithmonë kur kemi të bëjmë me vendime që konsiderohen të interesit nacional e ka mbështetur vendimin duke e konsideruar të drejtë dhe legjitim, dhe kërkon nga Qeveria e Republikës së Kosovës që ky vendim të implementohet deri në fund, pra mos të zmbrapset. Çështja e dislokimit të njësive elite të Policisë së Kosovës, pra njësive speciale është e diskutueshme pasi mendoj se fillimisht ndoshta ka qenë më mirë që të udhëhiqej një kampanjë informimi i qytetarëve të komunave të veriut të Kosovës por edhe të të gjithë qytetarëve tjerë të Republikës së Kosovës p.sh. Për një periudhë kohore dyjavore e pastaj në rast se ishin vërejtur se ky vendim nuk po implementohet apo po pengohej që të implementohej atëherë ishte dashur që të rivlerësohet situata nga aspekti i sigurisë dhe në rast nevoje edhe të kyçeshin njësit speciale.

“Epoka e re”: Dërgimi i këtyre njësive ka nxitur reagime të shumta të serbëve lokal, të cilët kanë bllokuar rrugët për në pikat kufitare në Jarinjë dhe Bernjak. Cili është mendimi i juaj për aspektin operacional të këtij aksioni?
Qalaj: Po, është e vërtet se në momentin që njësitë speciale janë dislokuar në rrugët që shpien për në pikat kufitare Jarinjë dhe Bërnjak kemi parë se turma e qytetarëve serbëve ka bllokuar rrugët duke përdorur automjete të rënda dhe në këtë mënyrë është penguar lëvizja e lirë, në fakt është bllokuar lëvizja e lirë. Mendoj se këto turma të qytetarëve serbë kanë qenë dhe aktualisht janë të organizuara nga strukturat komunale dhe përfaqësues të Listës Serbe me në krye ministrin e Qeverisë së Kosovës nga Lista Serbe, Goran Rakiq, në koordinim të plotë me Beogradin zyrtar. Mendoj se nuk kemi të bëjmë vetëm me reagim të serbëve lokal mirëpo në turmë ka shumë individë që nuk janë fare banorë të Kosovës që janë dërguar aty për tensionim të situatës dhe po ashtu ka shumë individë të cilët janë të dyshuar për vepra të ndryshme kriminale. Është mendim personal i imi që reagimi i turmave në veri të vendit fare pak ka të bëjë me vendimin e Qeverisë së Kosovës mbi reciprocitetin e targave edhe pse e kanë shfrytëzuar si pretekst. Kjo ka të bëjë më shumë me qëllimet e shtetit serb që të mbajë këtë pjesë të tensionuar, që atje mos të respektohet rendi dhe ligji, dhe që ta shfrytëzojnë këtë momentum për presion dhe avantazh mbi dialogun që do të zhvillohet në Bruksel.

“Epoka e re”: Gjatë ndërrimit të orarit, pjesëtarët e Policisë së Kosovës po kalojnë në këmbë për disa kilometra, duke kaluar mes barrikadave. Madje, gjatë këtij rrugëtimi ata janë të ekspozuar dhe po fyhen nga ata që kanë bllokuar rrugën. Sa po rrezikohen këto njësi duke qëndruar në këtë mënyrë atje?
Qalaj: Është e vërtetë që pjesëtarët e Policisë së Kosovës, konkretisht njësitë speciale të saj janë duke kaluar momente mjaftë të vështira dhe shumë sfiduese në rrugët që shpien për në pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak. Unë mendoj se operatorët e njësive speciale janë duke u sjell në mënyrë profesionale dhe janë shumë të kujdesshëm në veprimet e tyre. Mos harroni se është mjaftë vështirë të përmbahesh në situata të tilla kur turmat e njërëzve nën ndikim të alkoholit të fyejnë para fytyrës, të shajnë e poshtërojnë, këndojnë këngë nacionaliste dhe këngë për kriminel të luftës, ndërsa operatori i njësive speciale duhet që me çdo kusht që të përmbahet vetëm e vetëm që mos ta dëmtojë qëllimin e operacionit.

“Epoka e re”: Nga shumë kush është vlerësuar se kjo çka po ndodhë atje është fyerje për policinë. Si duhet të veprojë tani qeveria për të dalë nga kjo situatë?
Qalaj: Situata e krijuar është mjaftë e rëndë, sidomos për pjesëtarët e njësive speciale pasi që nuk është mandat i njësive speciale të angazhohen në operacion dhe me ditë të tëra mos të veprojnë. Çka është më e keqja ata mos të kenë mundësi të lëvizin me veturat e tyre operacionale apo edhe disa vetura të tyre të mbahen të bllokuara. Nga aspekti i sigurisë, mendoj se duhet që të ndërmerren veprime që rrugët të debllokohen sa më shpejtë pasi që sa më gjatë njësitë speciale të qëndrojnë atje do të humbet kuptimi. Pra, Qeveria e Kosovës duhet që të marrë vendim dhe pastaj ky vendim të implementohet nga Policia e Kosovës.

“Epoka e re”: Ju keni qenë drejtor i i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, sa ka kapacitetet Policia e Kosovës për t’i zhbllokuar këto rrugë?
Qalaj: Unë mendoj se rrugët duhet të hapen edhe me forcë nëse është e nevojshme. Nuk duhet lejuar që as KFOR-i dhe askush tjetër të negociojë apo të luaj rolin e ndërmjetësuesit në mes të barrikaduesve dhe Policisë së Kosovës në mënyrë që rrugët të hapen. Aq më pak të negociohet me KFOR-in që të hapë rrugët pasi që mandat për zbatimin e ligjeve të Kosovës ka vetëm Policia e Kosovës, ndërsa KFOR-i ka mandat vetëm të kujdeset për vijën kufitare me Serbinë. Po, Policia e Kosovës ka kapacitete operacionale të mjaftueshme për zhbllokimin e rrugëve dhe pastaj që të mbajë këto rrugë të hapura për lëvizjen e lirë për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës. Ndërsa, nuk mund të flasë për pajisjet pasi që mund ta dëmtojë operacionin, mirëpo jam i sigurt se ish-kolegët e mi kanë planifikuar të gjitha opsionet në rast të intervenimit, duke qenë të përgatitur edhe për pajisjet që u duhen.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Golin e Messit e admiroi edhe ish-profesori i tij, Pep…