Rastet me Covid-19 rikthejnë izolimin në Azinë Qendrore

02 korrik 14:30

Vetëm disa javë pasi kanë dalë nga izolimet që kanë goditur ekonomitë e tyre të brishta, rritja e numrit të të infektuarve me koronavirus në Azinë Qendrore ka detyruar zyrtarët të rivendosin kufizime, që do të mbyllin biznese dhe do t’i lënë njerëzit pa punë.

Megjithatë, puna gjatë pandemive është gjithmonë e bollshme për punonjësit e kujdesit shëndetësor dhe varrmihësit.

“Normalisht në varrezat tona varrosen çdo muaj rreth pesë trupa”, thotë Turganbek Otebaev, varrmihës në periferi të qytetit Aktobe të Kazakistanit.

“Por, në dy-tre ditët e kaluara, gjashtë ose shtatë trupa po sillen çdo ditë për varrosje”, ka deklaruar ai për Radion Evropa e Lirë.

Në rajonin Bukhoro të Kazakistanit, qeveria ka urdhëruar të vendosen “kufizime” në transportin publik dhe të mbyllen disa pazare nga 1 korriku, “për shkak të numrit në rritje të të infektuarve”, njofton media shtetërore.

Qendrat tregtare dhe tregjet në të gjithë Uzbekistanin do të mbyllen gjatë fundjavave për dezinfektim, njoftoi më 30 qershor grupi punues kundër koronavirusit.

Vendi më i populluar i Azisë Qendrore, Uzbekistani, me 32 milionë banorë, ka regjistruar së paku 230 raste të reja çdo ditë kohëve të fundit, megjithëse numri i vërtetë i të infektuarve mbetet i panjohur, për shkak të mungesës së testimeve dhe akuzave se zyrtarët nuk i raportojnë të gjitha rastet.

Në Kazakistan, izolimi dyjavor do të nisë më 5 korrik. Masat e reja të karantinës janë ndërmarrë pasi ky vend ka përjetuar rritje të befasishme të rasteve me Covid-19, sëmundjen që e shkakton koronavirusi, në tri javët e fundit.

Presidenti Qasym-Jomart Toqaev ka urdhëruar zyrtarët që të ndërmarrin “masa të ngjashme me karantinën e rreptë” që Kazakistani ka pasur nga 16 marsi deri më 11 maj.

Numri i rasteve të konfirmuara me koronavirus është rritur në mbi 41000 më 1 korrik, nga rreth 5 000 në mes të majit, kur Kazakistani – ekonomia më e madhe në Azinë Qendrore – ka dalë nga izolimi mbarëkombëtar.

Numri i rasteve të reja është duke u rritur edhe në Kirgizi, ku qeveria thotë se kriza ka vënë presion të madh mbi sistemin shëndetësor të vendit./rel/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi është shprehur i pikëlluar me…