Rasti i liderëve të UÇK-së, trupi gjykues: ZPS-ja dështoi t’i shpalosë me kohë dëshmitë shfajësuese

08 shkurt 2023 | 11:33

Trupi gjykues në rastin e drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), të cilët ka më shumë se dy vjet që po mbahen në paraburgim në Hagë, ka zbuluar edhe një lojë të pisët të Zyrës së Prokurorit të Specializuar.

Trupi gjykues në rastin ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve Kadri Veseli e Jakup Krasniqi dhe ish-shefit të deputetëve të Vetëvendosjes, Rexhep Selimi, gjykim që pritet të nis më 1 mars të këtij viti, ka konstatuar se ZPS-ja ka dështuar që t’i shpalosë dëshmitë shfajësuese më kohë.

“Trupi gjykues është i mendimit se, më shumë se dy vjet pas arrestimit të të akuzuarve dhe nisjes së gjykimit pas më pak se 40 ditë, konteksti i procedurës nuk e arsyeton më zbulimin e vonuar të provave shfajësuese për mbrojtjen. Paneli gjithashtu rithekson se detyrimi i prokurorisë për t’ia zbuluar këtë lloj informacioni mbrojtjes është po aq i rëndësishëm sa edhe detyrimi për të ndjekur penalisht”, ka konstatuar paneli i trupi gjykues.

Po ashtu, ky panel ka konstatuar se ZPS-ja nuk i ka arsyetuar në mënyrë adekuate vonesat në shpalosjen e materialit në fjalë.

“Në veçanti, fakti që detyrimi për dhënien e informacioneve shfajësuese bazuar në Rregullën 103 është i vazhdueshëm ose “i përsëritur” nuk mund t’i justifikojë ato vonesa. Rregulla 103 kërkon që një material i tillë të shpaloset “menjëherë”, që do të thotë posa ai të jetë në posedim të prokurorisë dhe pa vonesë të panevojshme”, ka konstatuar paneli gjykues i Gjykatës Speciale.

Prokuroria është urdhëruar t’i trajtojë detyrimet e saj për shpalosjen e materialeve si prioritet që kërkon kohë dhe resurse në përpjesëtim me rëndësinë e saj.

“ZPS-ja urdhërohet të zbatojë një përkufizim të gjerë të detyrimeve të saj për shpalosjen e materialeve shfajësuese, sipas Rregullës 103, siç përshkruhet më lart në pikën 29”, ka konstatuar trupi gjykues i Speciales.

Gjithashtu, sipas tyre, çdo kërkesë e mbrojtjes për të shtyrë dëshminë e dëshmitarëve të prokurorisë, materiali dëshmues i të cilëve u shpalos ose do të shpaloset me vonesë, do të merret parasysh nga paneli në rastet kur shpalosja e vonuar e materialit përkatës ka ndikuar dukshëm në mundësinë e mbrojtjes për t’u përgatitur në mënyrë efektive.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Trajneri aktual i Atletico Madrid, Diego Simeone pëlqehet nga Interi.…