Rasti i Pjetër Shalës në Hagë, prokurori: Kemi vendosur t’i heqim disa dëshmitarë

18 tetor 2022 | 11:23

Në Gjykatën Speciale në Hagë është duke u zhvilluar konferenca përgatitore për gjykimin në rastin e ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Pejtër Shala, i njohur ndryshe si komandant “Ujku”.

Prokurori i rastit ka deklaruar se kanë vendosur që t’i heqin disa dëshmitarë në këtë çështje.

“Çështja e prokurorisë nuk ka ndryshuar. Ne kemi vendosur që të heqim disa dëshmitarë, gjë e cila është tërësisht normale në momentin kur shkon në gjykim, në mënyrë të tillë që ta kemi më të përqendruar çështjen. Sa i takon dokumenteve të reja që i kemi shtuar, mendoj që ndoshta avokati i referohet kërkesës për të ndryshuar listën e dokumenteve”,  ka thënë ai.

Po ashtu, prokurori ka thënë se këto janë të vetmet dokumente të cilat i kanë shtuar në prezantimin e çështjes.

“Këto janë të vetmet dokumente të cilat ne i kemi shtuar në prezantimin e çështjes tonë. Dy dokumente, kanë të bëjnë me statusin e dëshmitarit në fund të korrikut. Prokurori, gjithashtu shpjegon që ndoshta nuk synon që t’i përdorë këto dokumente në gjykim, megjithatë ka vendosur që t’i përfshijë këto dokumente, për të qenë sa më përfshirës në dokumentet që i jep mbrojtjes”, ka thënë ai.

Ish-komandanti i UÇK-së, Pjetër Shala, ishte arrestuar më 16 mars 2021 në Belgjikë. Aktakuza ndaj tij është konfirmuar më 12 qershor 2020.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka mbajtur një konferencë për media…