Rasti “Karaçeva”: Gjykata në Gjilan iu cakton 30 ditë paraburgim 24 personave të dyshuar për kontrabandë me gjedhe

02 tetor 2020 | 19:58

Gjykata Themelore në Gjilan ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjilanit, duke i caktuar masën e paraburgimit prej 30 (tridhjetë) ditë, për 24 (njëzet e katër) të dyshuar, të cilët janë ndaluar gjatë aksionit të djeshëm të zhvilluar nga organet e ndjekjes.

“Ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit R.S., L.M., F.A., A.A., N.M., H.Rr., P.Sh., A.D., F.B., R.K., I.Th., R.A., A.Th dhe F.K., që nga muaji nëntor 2019, në zonën kufitare mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, përkatësisht në territorin e fshatit Karaçevë  komuna e Kamenicës, në vazhdimësi, me dashje dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror, kanë ndërmarrë veprime për të kontrabanduar gjedhe, të cilat i kanë bartur përmes rrugëve ilegale  jashtë  vijës kufitare, duke iu shmangur kontrollit doganor. Me këto veprime të pandehurit dyshohet se kanë kryer veprën penale ‘’kontrabandimi me mallra’’, vepër e sanksionuar me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK). Të pandehurit J.H., N.Sh., Sh.K., K.M., U.A., B.R., A.H., H.M. dhe J.B., që nga muaji dhjetor 2019, si persona përgjegjës të bizneseve për përpunimin e mishit, me dashje dhe me qëllim të përfitimit pasuror, kanë blerë gjedhe, për të cilat kanë pasur dijeni se janë të kontrabanduara dhe me qëllim të shitjes kanë prodhuar dhe vënë në qarkullim produkte të mishit, pa u bërë kontrollet e nevojshme sipas standardeve”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Themelore në Gjilan.

‘Të pandehurit e lartcekur, dyshohet se kanë kryer veprat penale ‘’blerja, pranimi ose fshehja  e sendeve të përfituara me kryerjen e veprës penale’’, dhe ‘’prodhimi dhe vënia në qarkullimin e artikujve të dëmshëm ushqimor’’, të KPRK-së. Ndërsa, i pandehuri I.K., që nga muaji shtator 2019 deri më 18 shtator 2020,  në lokalin  “Automate  Club”, në fshatin Karaçevë, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror, në mënyrë të kundërligjshme  dhe në vazhdimësi ka organizuar lojërat të fatit, të cilat janë të ndaluara me ligj. Me këto veprime dyshohet se ka kryer veprën penale ‘’organizimi  i skemave  piramidale  dhe bixhozit  të paligjshëm’’, të KPRK-së. Gjyqtari i procedurës paraprake në Departamentin e Përgjithshëm, Ramiz Azizi, pas mbajtjes së seancës, dëgjimore, ka konsideruar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve, pasi që caktimi i masave tjera alternative do të pengonin zhvillimin normal të procedurës penale”, është thënë tutje në njoftim.

Palët kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent…