Rasti ‘Veteranët’, Daut Haradinaj e quan kryeministrin Kurti ‘veteran mashtrues’

26 shkurt 2024 | 16:05

Në seancën e së hënës në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në rastin e njohur si “Veteranët”, Daut Haradinaj, ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, në cilësinë e dëshmitarit, e ka quajtur Kryeministrin Albin Kurti “veteran mashtrues”.

Haradinaj, duke u përgjigjur në pyetjen e prokurorit special Valdet Gashi, se meqenëse sipas përcaktimit ligjor përcaktohet se secili person i cili për shkak të veprimtarisë së tij si pjesëtar i UÇK-së është arrestuar gjatë periudhës ‘97-‘99 dhe është mbajtur në burg nga forcat e Serbisë, a ka pasur ndonjë kategori të tillë të personave që kanë aplikuar për veteranë luftëtarë, dëshmitari Haradinaj ka thënë se “përpos kryeministrit Kurti që është veteran mashtrues, për të tjerët nuk më kujtohet”.

Haradinaj ka deklaruar se te asnjë formular që është plotësuar nga kandidatët për veteranë pjesëtarë ose pjesëmarrës, anëtarët e komisionit qeveritar nuk kanë qenë të involvuar, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas tij, përgjegjësit kanë qenë në nivelet e dyta e të treta të komandantëve të kompanisë dhe skuadrës.

“Unë personalisht (mbajë) përgjegjësinë e komandantit të brigadës. I kam edhe me statistika. Prej krejt listës së aplikantëve, 24 janë përjashtuar që nuk kanë qenë pjesëmarrës në luftë, ndërsa të tjerët në mënyrë kolektive e kam konfirmuar që kanë qenë ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, ka thënë Haradinaj,

Ai ka thënë se prej luftëtarëve që kanë marrë pjesë më 24 mars 1998, të plagosur në Deçan janë 1 mijë e 264, kurse të vrarë 166 dëshmorë.

“Këtë e thash me qëllimin që me kuptuar gjykata që shtabet lokale në nënzonat operative në rajonin e Dukagjinit kanë me qindra dëshmorë deri në krijimin e brigadave. Tash nëse ju nuk ju njihni veteranëve qysh e njohim statusin e dëshmorit ose invalidit të luftës, këta duhet me kuptuar gjykata që pikërisht këtu është kontesti”, ka thënë Haradinaj.

Më tutje, ai ka sqaruar se ai nuk kishte marrë pjesë në verifikim, por ka qenë i involvuar direkt dhe se mban përgjegjësi për të gjitha nivelet, prej komandantit të brigadës deri të ushtari i fundit se si ka shkuar procedura.

“Asnjë formular nuk është pranuar në komision nëse nuk e ka pas nënshkrimin e udhëheqësve të njësive, po flasim në nivelin lokal, që i bie komandant të shtabeve lokale, komandant skuadre, shef logjistike, shef i policisë ushtarake apo secili në sektorin e vet e ka marrë përgjegjësinë për atë që i takon. Që i bie që mban përgjegjësi secili për atë që e ka shkruar e që e heq përgjegjësinë nga komisioni qeveritar”, ka thënë Haradinaj.

Ai ka thënë se, meqenëse ka qenë një proces voluminoz, ka mundur të ketë lëshime apo shpërdorime në raste të kufizimeve të individëve.

“Por për këtë situatë, kemi njësi lokale të cilat merren me shpërdorimin e caktuar dhe qëndrimi im ka qenë që institucionet të bëjnë punën e vet, aty ku u bë shpërdorimi në nivele më të ulëta, por jo te komisionet qeveritare”, ka thënë Haradinaj.

Në vazhdim, ai ka thënë se jo vetëm Agim Çeku, por asnjë kryetar apo anëtar i komisionit nuk ka mundur të ndërhyjë në nivel të udhëheqësve lokalë.

Haradinaj ka thënë se nuk është e vërtetë që ka nënshkruar ndonjë formular, por se ka qenë i inovluar indirekt prej ditës së parë derisa ka përfunduar procesi.

Ai ka thënë se komandanti i brigadës e ka organizuar komplet funksionimin e strukturave për aplikim nga aplikantët, dhe se gjithçka në këtë drejtim është përgjegjësi e tij personale si komandat i zonës, i Brigadës 131, apo më saktësisht i rajonit të Deçanit.

Haradinaj ka thënë se në radhët e UÇK-së kishte të angazhuar edhe dhjetëra të mitur të cilët shërbenin në logjistikë, në mirëmbajtjen e objekteve apo në kuzhinë. Ai ka thënë se njëri nga ata ka qenë ai vetë.

“Unë personalisht jam një prej veteranëve që kam qenë nën moshën 18-vjeçare aktiv në luftë”, ka thënë ai.

Seanca është duke vazhduar në sesionin e pasdites me dëgjimin e dëshmitarëve të tjerë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shqipëria do të luajë më 25 mars ndaj Suedisë “në…